Nga BDI thonë se edhe një skandal i ri po del në sipërfaqe nën pushtetin e VLEN-it. Sipas tyre, tenderi në Spitalin Psikiatrik “Bardovci”, me vlerë deri në 42 mijë euro në vit, ka përfunduar te kompania në pronësi të kushëririt të drejtorit të spitalit.

"Sipas informacioneve të publikuara, pronari i “Indigo Inc” DOOEL Shkup, Besim Avdullai, është kushëri i drejtorit Isa Avdullait. Vetë drejtori e ka konfirmuar lidhjen familjare, duke pranuar se bëhet fjalë për kushëri të dytë ose të tretë. Dhe bëhet fjalë për një tender serioz: mirëmbajtje të sistemeve të sigurisë, licenca për 300 email-kuti, monitorim të 300 kompjuterëve apo serverëve, firewall të gjeneratës së re dhe shërbime të tjera IT. Vlera maksimale e kontratës arrin në 2,59 milionë denarë, rreth 42 mijë euro".


"Drejtori thotë se tenderi është ligjor sepse nuk ka qenë pjesë e komisionit të përzgjedhjes. Por kjo nuk i përgjigjet pyetjes kryesore: a është verifikuar dhe trajtuar siç duhet konflikti i mundshëm i interesit kur fituesi është kushëriri i drejtorit? BDI kërkon përgjigje të menjëhershme nga Komisioni Antikorrupsion, Byroja e Prokurimeve Publike dhe institucionet kompetente. Të kontrollohet e gjithë procedura, ofertat, kriteret, pjesëmarrësit dhe çdo rrethanë që mund të ketë ndikuar në përzgjedhjen e kompanisë", thonë nga BDI.