LAJMI I FUNDIT:

Kuvendi nuk arrin t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare

Kuvendi nuk arrin t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare
Foto: Arkiv

Ka nis vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës, ndërsa në mungesë të kuorumit për vendimmarrje meqë kërkohen 2/3 e votave ka dështuar votimi i Projektligjit për Ratifikimin e Amendamentimit të Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI), për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10.

Ani pse ishin të pranishëm 93 deputetë, vetëm 71 ishin pro dhe asnjë kundër këtij Projektligji.

Kryesuesja e seancës, Saranda Bogujevci tha se për shkak që kërkohet 2/3 e deputetëve të Kuvendit kjo pikë shtyhet deri në plotësimin e kushteve për votim.

Bogujevci edhe për tri projektligje të tjera për ratifikim propozoi që mos të shqyrtohen pa prezencën ministrave përkatës dhe derisa të krijohen kushtet për votim.

“Tani nuk i kemi pjesën e ministrave për prezantimin e këtyre pikave, por siç po duket nuk ka edhe kuorum për vendimmarrje, unë kisha propozuar që këto tri pikat e radhës që do t’i lexoj tani, t’i shtyjmë për më vonë kur krijohen kushtet për prezantim por edhe për votim”, tha Bogujevci.

Projektligjit për Amendamentimin e Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Dukës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II).

Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë (HERAS+)”.

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Amendamentimit nr.1 të Marrëveshjes kornizë së kredisë të datës 14 gusht 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”. /Telegrafi/