LAJMI I FUNDIT:

Kuvendi mban peng miratimin e buxhetit 2020

Kuvendi mban peng miratimin e buxhetit 2020

Kosova ka nisur vitin 2020 pa buxhet të miratuar shkaku i vonesave për konstituimin e Kuvendit, i cili është institucioni kyç për kalimin e buxhetit. Megjithatë edhe pas konstituimit të tij më 26 dhjetor të vitit të kaluar deputetët ende nuk janë mbledhur për t’ia dhënë dritën jeshile miratimit të tij.

Nga njohësit e rrethanave vlerësohet se mosmiratimi i tij deri në prill çon vendin në kaos.


Vitin 2020, vendi e ka nisur pa buxhet të miratuar. Ndonëse për tre muajt e parë të këtij viti nuk pritet që të ketë problem, në rast të mosmiratimit të buxhetit deri në muajin prill rrethanat mund të ndryshojnë. Nëse kuvendarët nuk e kalojnë buxhetin për këtë vit, nga muaji prill ndalen të gjitha pagesat për paga, për pensione e për shërbime të tjera.

Kjo gjë sipas njohësve të çështjeve ekonomike sjell kaos, krizë financiare e buxhetore në vend. Në anën tjetër zyrtarë nga Qeveria e Kosovës i kanë thënë Zërit se ka buxhet të mjaftueshëm për t’i mbuluar tre muajt e parë të këtij viti.

Dogana dhe Administrata Tatimore mbushin arkën e Kosovës - gjatë vitit 2019 mblodhën rreth 1.7 miliard euro
Lexo po ashtu Dogana dhe Administrata Tatimore mbushin arkën e Kosovës - gjatë vitit 2019 mblodhën rreth 1.7 miliard euro

Deri më tani është e miratuar vetëm Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2020–2030, e cila paraqet dokumentin kryesor, mbi bazën e të cilit do të duhej të hartohej buxheti vjetor për vitin 2020. Sipas kësaj kornize, buxheti i Kosovës parashihet të jetë rreth 2.4 miliardë euro.

Sipas afatit kohor, në bazë të Ligjit për Menaxhimin e Financave, në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm, shpenzimet buxhetore duhet të realizohen në 1/12 e buxhetit të këtij viti. /Telegrafi/