Kushtetuta - çelësi i zgjidhjes së krizës
I. Krijimi, zgjedhja dhe funksionimi i institucioneve në mënyrën demokratike është e përcaktuar në ligjin bazik të Kosovës me Kushtetutë. Kushtetutës i detyrohemi të gjithë në zbatimin dhe respektimin e saj. Bartësit e institucioneve, pushtetarët gjatë ushtrimit të detyrave dhe përgjegjësive të tyre bazohen në Kushtetutë. Me të garantohen pavarësia dhe kontrolli i pushteteve në realizimin e përgjegjësive Kushtetuese. Në këtë mënyrë funksionon shteti dhe mbrohet sistemi juridik dhe demokratik. Tashmë në Kosovë ky sistem është në krizë funksionale. Shkëndijat e saj u shfaqen pas veprimeve të dy pushteteve (institucioneve) më të larta në vend, Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese që treguan funksionalitetin e mirë të tyre, vepruan duke zbatuar Kushtetutën. Edhe pse me vonesë Kuvendi ishte iniciues i kërkesës për vlerësimin e (papajtueshmërinë e mbajtjes së dy posteve nga presidenti) kushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese dhe vlerësimi i saj për shkelje serioze të Kushtetues. Gjykata e dha verdiktin, e mbrojti Kushtetutën nga shkelësit e saj. Një vendim shpëtoi demokracinë. U përkrah dhe iu dha kurajë qytetarëve se filloi një shembull dhe garanci e mirë që askush nuk mund të jetë mbi Kushtetutën dhe ligjin.
Aktgjykimi ishte determinues për fillimin e proceseve të reja politike dhe institucionale. Dorëheqja e presidentit hapi procese, sfida dhe kriza. Një gjë e tillë ndodh edhe në demokracitë më të zhvilluara, por lëvizjet dhe zhvillimi i proceseve bëhet sipas rregullave kushtetuese. Në Kosovë kjo nuk ndodhi. Kuvendi i Kosovës ... si organ zgjedhor është dashur t’i zbatojë dispozitat kushtetuese (neni 65.7 dhe nenit 86) për fillimin e zgjedhjes së presidentit të vendit. Kjo nuk ndodhi! Pse? Kush dhe me çfarë të drejte ka ardhur në një përfundim se Kuvendi, deputetët nuk mund ta zgjedhin presidentin. Kuvendarët (deputetët) ia mohuan vetës këtë kompetencë dhe këtë përgjegjësi. Janë ata që vendosin për apo kundër zgjedhjes. Shtrohet pyetja, a ishte ky veprim mosrespektim i Kushtetutës? Ku janë deputetët që nuk i drejtohen edhe një herë institucionit kompetent, pra Gjykatës Kushtetuese për interpretim të këtyre dispozitave. Mund të themi se kriza ka filluar atëherë kur Kuvendi si institucioni më i lartë i vendit, nuk e kreu detyrën kushtetuese. Kjo erdhi në emër të gjetjes së konsensusit politik të subjekteve parlamentare.
Me gjithë vullnetin e mirë të shprehur publikisht për të arritur marrëveshje (konsensus) politik, u.d. i presidentit e vlerësoi me shumë kompromisin si mjet për ta zgjidhur krizën e pashpallur institucionale sesa veprimin procedural për shkuarjen në zgjedhje të presidentit. Më pastaj, nëse Kuvendi nuk do ta kryejë obligimin kushtetues, pra zgjedhjen e presidentit, Ai, u.d. Presidenti, duke u thirrur në kompetencat kushtetuese neni 82.1.(3) ta shpërndajë Kuvendin dhe t’i shpallë zgjedhjet. Por ai në marrëveshje me partitë politike caktoi datën e zgjedhjeve të parakohshme, duke mos vlerësuar shkakun që detyroi shkuarjen e vendit në këto zgjedhje, por plotësoi vullnetin e partive politike. Apetitet e liderizmit dhe subjekteve politike për të përfshirë sa më shumë liderë dhe institucione në krizë e arriti qëllimin. Duke pamundësuar marrje të vendimeve në Kuvend, mospraninë në votim, lënien e posteve ministrore, pa procedurë apo protokoll dhe në mënyrë jodemokratike.
Vepro z. Kryeministër
II. Edhe kush ka mbetur pa u përfshirë në këtë cirk apo lojë politike në mosrespektimin e rregullave kushtetuese. Të gjithë janë fokusuar te shefi i Qeverisë, kryeministri i Kosovës. Si do të veprojë pas kësaj situate. I gjendur në udhëkryq, apo në lojë shahu në patpozicion me veprimet e aleatit të dikurshëm, para tij ka shumë sfida dhe mënyra për ta zgjidhur krizën institucionale. Mënyra më demokratike është duke bërë koalicione me ndonjë parti tjetër dhe kështu e sanon krizën, mandej, duke u mbështetur në kompetencat kushtetuese, neni 94. 4, pa humbur kohë, t’i zëvendësojë pozitat e lira, qoftë duke i caktuar nga kabineti aktual, duke i ngarkuar disa ministra me nga dy resorë ministrorë apo duke i emëruar individë me kredilibiltet dhe autoritativë në shoqëri në vendet e lira. Një veprim i tillë patjetër ka mbështetje ligjore dhe popullore. Pra, vepro z. Kryeministër. Është vendim i drejtë.
Në popull asgjë nuk çmohen më shumë sesa besnikëria dhe vendosmëria e liderit, sidomos në çastet delikate, kur vendoset për çështje me rëndësi për kombin dhe shtetin. Në këtë rast më mirë të kritikoheni duke vepruar pozitivisht për shtetin dhe institucionet sesa të kritikoheni duke mos vepruar. Mbetja e institucioneve pa epror politik është e rrezikshme, kundërligjore dhe antikushtetuese deri në zgjedhjet e parakohshme të parapërcaktuara në shkurt. Një gjë e tillë është në dobi të interesave të ngushta politike dhe në dëm të institucionit dhe shtetit. Nuk ka interes më të madh për vendin sesa funksionaliteti, kredibiliteti dhe fuqia politike e qeverisë në vendimmarrje. Prandaj vendosni, sa më parë, duke emëruar ministrat në ministritë përkatëse, deri në qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme. Është detyrim kushtetues dhe duhet të veproni.
Kuvendi dhe u.d. presidenti t’i japin rrugë daljes nga kjo krizë dhe të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. Çdo shtyrje artificiale e zgjedhjeve do të krijojë situatë edhe më të jashtëzakonshme. Prandaj legjitimiteti i pushtetit duhet të kërkohet te populli. Vetëm qytetarët do ta japin zgjidhjen më të mirë në zgjedhje me votë të lirë. Zgjedhjet janë shumë të rëndësishme për ruajtjen e demokracisë në vend. Qytetarët mund të kontribuojnë me pjesëmarrje aktive në debate dhe zgjedhje. Llogaridhënia dhe përgjegjësia politike do të jenë shumë të mëdha me pjesëmarrjen sa më të madhe të qytetarëve në votime, që është shumë e rëndësishme për t’i zgjedhur përfaqësuesit e preferuar, të përgjegjshëm, të pakorruptueshëm, mbrojtës dhe zhvillues të politikave dhe avancues të proceseve demokratike dhe stabilitetit në vend. Në këtë mënyrë qytetarëve kosovarë u afrohet mundësia e përfshirjes në vendimmarrje. I pazëvendësueshëm duhet të jetë vlerësimi i kësaj krize. Qytetarët me votën e lirë e japin vlerësimin dhe gjykimin e tyre.




















































