Kushtetuesja: Lejohet votimi ndaras për nënkryetarët e Kuvendit, konstituimi i obliguar për 12 ditë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë për çështjen e seancës konstituive, pas ankesës së Listës Serbe për moszgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb.
Sipas vendimit KO265/25, Kuvendi ende nuk është konstituar plotësisht, pasi nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb. Megjithatë, procedura e votimit për komunitetet joshumicë joserbe, që u zhvillua ndaras dhe jo “në pako”, nuk përbën shkelje, pasi deputetët mund të vendosin në vullnetin e tyre për mënyrën e votimit.
Gjykata thekson se edhe votimi i secilit deputet serb në tre runde të ndryshme nuk ka qenë shkelje, ndërsa Emilja Rexhepi është zgjedhur ligjërisht nënkryetare nga radhët e komuniteteve joshumicë joserbe.
"Gjykata rikujton se nga dispozitat kushtetuese, të Rregullores së Kuvendit dhe praktika gjyqësore e Gjykatës nuk rezulton ndonjë obligim i deputetëve për votimin në pako të nënkryetarëve të Kuvendit, qofshin ata që propozohen nga 3 (tre) grupet më të mëdha parlamentare apo komunitetet që nuk janë shumicë. Në këtë kontekst, duke qenë se votimi në pako nuk është shprehimisht i përcaktuar në Kushtetutë, i njëjti mund të realizohet nëse ka dakordim në mes të grupeve parlamentare apo deputetëve. Gjykata vëren se bazuar në praktikën parlamentare për zgjedhjen e nënkryetarëve nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë që nga viti 2011, nënkryetarët nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, janë votuar dhe zgjedhur në pako. Kësisoj, Gjykata vlerëson që një procedurë e tillë e votimit mbetet në vullnetin e deputetëve dhe grupeve parlamentare me kushtin që të realizohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit".
Aktgjykimi i publikuar të mërkurën (8 tetor) i obligon deputetët që të zgjedhin një nënkryetar nga komuniteti serb brenda 12 ditësh. Më 28 gusht, kryeparlamentari Dimal Basha shpalli Kuvendin të konstituar, pavarësisht moszgjedhjes së një deputeti serb për nënkryetar.
Lista Serbe dështoi të propozonte Sllavko Simiqin në tri runde votimesh, ndërsa Basha mundësoi votimin me short për çdo deputet të këtij grupi, përfshirë edhe deputetin jo të Listës Serbe, Nenad Rashiqin. As ai nuk mori votat e mjaftueshme.
Në pikën 153 të aktvendimit, Gjykata thekson se votimi i mëhershëm i një kandidati tre herë nuk mund të pengojë konstituimin e Kuvendit, nëse deputetët kanë vullnet për ta konstituar atë.

Procesi për zgjedhjen e nënkryetarëve pritet të rifillojë pas hyrjes në fuqi të vendimit, ndërsa Kuvendi duhet të sigurojë që zgjedhja të bëhet me konsensus dhe në një procedurë të vetme, pa diskriminim mes komuniteteve.
Në përbërjen e Kuvendit, Lista Serbe ka nëntë ulëse të rezervuara, ndërsa një tjetër e ka fituar Nenad Rashiq nga partia serbe “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, i cili është edhe ministër në detyrë në Qeverinë e Albin Kurtit.
“Përfaqësimi i komuniteteve që nuk janë shumicë në Kryesinë e Kuvendit është garanci kushtetuese, që edhe komunitetet e tjera të marrin pjesë në vendimmarrjen e Kryesisë,” thekson Gjykata në arsyetim.
Pavarësisht se kanë kaluar muaj nga zgjedhjet parlamentare, Kosova ende nuk ka institucionet e reja, ndërsa partitë më të mëdha shqiptare nuk kanë arritur pajtueshmëri për të çuar procesin përpara.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje fitoi 48 ulëse, PDK 24, LDK 20, Lista Serbe 9, dhe koalicioni mes AAK dhe Nismës Socialdemokrate 8 ulëse. Ulëset e tjera janë të pakicave.


















































