LAJMI I FUNDIT:

Kush do të paguajë për rindërtimin e Gazës?

Kush do të paguajë për rindërtimin e Gazës?
Ilustrim

Cathrin Schaer

Pavarësisht se luftimet, vdekja dhe shkatërrimi vazhdojnë, kanë filluar debatet se si mund të bëhet rindërtimi i Gazës. Çmimi njerëzor i konfliktit në Gaza është i pallogaritshëm, por kostot e rindërtimit pas shkatërrimit nga bombardimet izraelite janë të llogaritshme. Vlerësimet e para flasin për më shumë se 50 miliardë dollarë. Izraeli nga ana e tij nuk ka paraqitur një plan se kush do të qeverisë Gazën – nëse arrihet qëllimi i shkatërrimit të Hamasit – megjithëse kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu ka përjashtuar çdo lloj transferimi të pushtetit tek Autoriteti Palestinez. Ndërkohë, ai ka adresuar çështjen e rindërtimit të Gazës. Së fundmi, mediat izraelite kanë raportuar se ai ka biseduar me politikanë të afërt, se Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite do të ishin të gatshëm të ndihmonin rindërtimin.


Ka edhe një propozim, që evropianët po ashtu të mbështesin rindërtimin e Gazës. BE-ja dhe Gjermania në veçanti kanë qenë prej kohësh donatorë të rëndësishëm për ndihmën humanitare në territoret e pushtuara palestineze. ShBA-ja është donator i fuqishëm dhe me gjasë mund të bëjë edhe thirrje për krijimin e një fondi rindërtimi. Por, të dyja palët, si ShBA-ja edhe evropianët, në prapaskenë janë duke pyetur pse duhet të japin milionat e taksapaguesve të tyre për të rindërtuar një infrastrukturë që mund të bombardohet sërish në një të ardhme të afërt.

Ka pasur thirrje që Izraeli të paguajë për dëmet që janë bërë gjatë operacionit ushtarak në Gaza. Në vitin 2010, Izraeli ra dakord të kompensojë agjencinë e OKB-së që punon në Gaza, Agency for Palestinian Refugees in the Near East, e njohur si UNRWA, me 10,5 milionë dollarë për rindërtimin e ndërtesave të shkatërruara në operacionin e shtatorit 2009 në Gazë. Kjo solli debate te të dyja palët, te pala izraelite nëse pagesat nënkuptonin se ata ishin duke pranuar fajin, kurse nga ana tjetër organizatat humanitare kërkonin që t’u paguhej më shumë viktimave.

Qëkur Hamasi – që është klasifikuar si organizatë terroriste nga ShBA-ja, BE-ja, Gjermania e vende të tjera – sulmoi Izraelin më 7 tetor, Izraeli ka bombarduar Rripin e Gazës, vatra e më shumë se dy milionë palestinezëve. Izraeli filloi edhe një ofensivë tokësore në Rripin e Gazës, e si pasojë e luftimeve janë shkatërruar më shumë se 50 mijë shtëpi, kurse më shumë se 200 mijë të tjera janë dëmtuar.

Po ashtu janë shkatërruar dyzina spitalesh, qindra shkolla dhe ndërtesa qeveritare, shumë të ndërtuara me donacione ndërkombëtare. “Niveli i dëmit strukturor dhe shkatërrimit është i paprecedentë”, është shprehur Marta Lorenzo, drejtoreshë e përfaqësisë së UNRWA-s për Evropën. “Kjo nuk është e krahasueshme me ndonjë luftë tjetër në Gaza”. Lorenzo thotë se aktualisht është shumë e vështirë të dihet se sa do të kushtojë, por nuk do të jetë përgjegjësi vetëm për një donator. Ajo përfytyron se pas fundit të luftimeve, do të ketë një konferencë të posaçme “gjatë së cilës ne presim që komuniteti ndërkombëtar të ndajë përgjegjësinë.”

Kush do të jetë i gatshëm të japë fondet për një faturë që po rritet gjithnjë e më shumë? Përgjigja është e vështirë, pasi financimi i ndihmës dhe rindërtimi i Gazës, territoreve të pushtuara palestineze dhe projekteve të tjera palestineze, kanë gjithmonë çështje të tensionuara për dekada. Fakti që Hamasi qeveris Gazën nga viti 2007, ka qenë problematik për donatorët që kanë menduar se si t’i çojnë ndihmat tek ata që kanë vërtet nevojë. Bllokada 16-vjeçare e Gazës nga Izraeli dhe Egjipti, dhe injorimi nga ana e qeverisjes së Hamasit, e shkatërruan ekonominë e Gazës.

Në vitin 2022, rreth 80 për qind  e banorëve të Gazës ishin të varur nga ndihmat, sipas OKB-së. UNRWA ka siguruar një ndihmë të madhe për Gazën para krizës aktuale, përfshirë ndihmat humanitare, shëndetësore dhe arsimin. Ajo është punëdhënësja e dytë më e madhe në Gazë. Por, gjithmonë ka pasur kritika për anësi. Ish-ministra të qeverisë izraelite kanë thënë se nuk do donin ta kishin aty këtë organizatë, ndërkohë që të tjerët e konsiderojnë UNRWA-n si të rëndësishme.

Një shembull tjetër që tregon për grindjet në lidhje me rindërtimin është i ashtuquajturi Gaza Reconstruction Mechanism (GRM) – Mekanizmi i Rindërtimit të Gazës. I krijuar në vitin 2014, si masë e përkohshme për të ndaluar Hamasin për të pasur një “përdorim të dyfishtë” të materialeve të ndërtimit, që mund të përdoren për ndërtesa, por edhe për tunele, është ndërkohë një sistem kompleks burokratik që çon në vonesa të ndjeshme deri sa të çohen materialet në Gaza. Po ashtu, i ka rritur kostot e rindërtimit me 20 përqind.

Të gjitha këto probleme nuk do të zhduken, thjesht sepse nevojitet një rindërtim i jashtëzakonshëm dhe më i madh, parashikon Nathan Brown, një studiues në Institutin Carnegie për Programet e Lindjes së Mesme. Ai vëren se kjo gjendje madje mund të keqësohet. “Nuk ka për të qenë problemi financimi, por politika”, thotë Brown. “Nëse nesër të gjithë akterët, Izraeli, palestinezët, faktorët rajonalë, akterët perëndimorë, thonë ‘ja kjo është e ardhmja, e do të ketë këtë pamje’; pavarësisht, nëse do të ketë një zgjidhje me dy shtete apo një zgjidhje me një shtet, atëherë paratë nuk kanë për të qenë problemi”. Shumë donatorë do të ishin të gatshëm të jepnin para, nëse do të kishte një perspektivë të zgjidhjes së problemit përfundimisht, vëren eksperti.

Ditët e fundit ka pasur raportime, se Emiratet e Bashkuara do të paguanin për rindërtimin e Gazës, por kjo nëse garantohet zgjidhja me dy shtete. Ndryshe ata do të financonin atë që në popullatën e tyre konsiderohet si një ripushtim i Gazës nga Izraeli. Brown thotë se nuk shikon një zgjidhje për momentin. Ka shumë pyetje pa përgjigje, konstaton edhe Yara Asi, politologe në Qendrën Arabe të Uashingtonit. “Nëse nuk ka një qeverisje legjitime në Gazë, a do të jenë donatorët të gatshëm të dërgojnë dhjetëra miliona dollarë?” – pyet ajo. “Mendoj se do të nevojiten disa garanci për një të ardhme politike, për të dërguar më pas para”. Po ashtu, duke iu referuar evropianëve dhe amerikanëve, Asi thekson se ata nuk janë të kënaqur që shkollat e spitalet që kanë rindërtuar ata shkatërrohen. Edhe Izraeli nga ana e tij nuk mund të bëjë rindërtimin pa ndihmën e vendeve të tjera, prandaj “habitem që nuk merren hapa për të zgjidhur këtë problem”, thekson Asi. /DW/