LAJMI I FUNDIT:

Kush do të na kuptojë?

Kush do të na kuptojë?

Në lidhje me Kombëtaren e Kosovës në futboll – dhe kjo pavarësisht humbjes nga Çekia dhe pavarësisht nga rezultati i sotëm me anglezët – na ka rrokë njëfarë euforie, njëfarë çmendurie, njëfarë deliri….

Prandaj, edhe mund të gabojmë; mund të keqkuptohemi; mund ta teprojmë…

Po, kush na kupton?

– Do të na kuptoni ju që gjatë fëmijërisë, jeni djegur nga malli i futbollit gjatë muajve të dimrit, deri në pranverë, sepse ka qenë shumë ftohtë dhe baltë që të luani futboll (dhe nuk keni pasur fusha të betonit apo fushat e sotme sintetike);

– Do të na kuptoni ju që keni pasur vetëm dy orë në javë Edukatë Fizike në shkollë dhe, mu në ato orë, fusha kryesore ka mundur të jetë e zënë, ka mundur të bie shi mu atë ditë, apo mësuesi nuk kishte mundur të gjente topin e vetëm që kishte klasa jonë;

– Do të na kuptoni ju që pasdite apo fundjavës keni dashur të luani me “patikat” (atletet) e vetme që kishit, por nana juaj ka dashur që ato t’i keni të pastra për shkollë, kështu që keni luajtur zbathur apo me opinga që nuk ta kanë mbrojtur këmbën e brishtë nga topi i fortë i plastikës.

– Do të na kuptoni ju që keni hequr aq shumë derisa e keni blerë një top të plastikës, i cili është shpërthyer po atë pasdite;

– Do të na kuptoni ju që keni bërë kushedi sa “kontrata’ e marrëveshje me shokët për të blerë një “pollafutball” i cili pasi që ua mavijoste këmbët e vogla, shpërthehej, për të vazhduar “gjithë verën” ta fryni – çdo pesë minuta – me një “fyshtë” kimiku;

– Do të na kuptoni ju që shpesh keni “vluar” nga dëshira për të luajtur një futboll, por keni qenë të zënë duke u ndihmuar prindërve, duke punuar bashkë me ta apo duke ruajtur bagëtinë;

– Do të na kuptoni ju që jeni sikletosur se dielli po perëndon, nata po bie dhe ju nuk po e jepni atë gol të mallkuar (e, atëherë nuk kishte fusha me reflektorë);

– Do të na kuptoni ju, që keni luajtur zbathur futboll;

– Do të na kuptoni ju që kur jeni rritur nuk keni pasur atlete të duhura të futbollit, por keni qenë aq solidarë me njëri-tjetrin sa që nëse njëri ka një palë Adidas “Samba”, atëherë të gjithë kanë

– Do të na kuptoni ju që, kur në rini keni luajtur në fushën e vetme të betonit, me atlete “kinezka”, nuk keni mundur të flini atë natë nga zjarrmia e shputave të këmbëve;

– Do të na kuptoni ju që, kur serbët na okupuan tërësisht, nuk mund të grumbulloheshim as për një turne futbolli, prandaj ecnim nga 7-8 kilometra për në vende ku luanim derisa vinin policia edhe atje;

– Do të na kuptoni ju që keni lënë Drekën e Bajramit pa ngrënë dhe keni ecur (se as nuk ke pasur veturë e as mjete tjera transporti), për në Morinë, ku nuk kishte as ujë afër, apo te Fusha e Mollës, ku nuk kishte asnjë hije për të luajtur futboll në Turneun e Bajramit;

– Do të na kuptoni ju që keni bartur shtyllat nga Shkolla e Dobroshecit, nga ku na përzunë policët serbë, për në livadhet e fshehura poshtë për të vazhduar turneun (në atë turne mbaj mend se kam parë talente të ngjashme me yjet e sotme, që pastaj u vyshkën dhe humbën);

– Do të na kuptoni ju që keni bërë trening profesional dhe keni luajtur lojë, por nuk keni pasur mundësi të pastroheni në fund;

– Do të na kuptoni ju që keni luajtur në Ligën e Parë dhe të Dytë të Kosovës në vitet 1990;

– Do të na kuptoni ju që keni qenë talente për liga profesioniste, por nuk keni mundur t’ua hiqni baltën këpucëve të futbollit pas lojës në livadhet e Kosovës, sepse stadiumet ishin të ndaluara për shqiptarin;

– Do të na kuptoni ju që keni qenë tifozë apo lojtarë, kur një polic serb ndalonte – kur të donte – një lojë kampionale;

– Do të na kuptoni ju që e keni ditur se të shpresosh se një ditë Kosova do ta ketë ekipin përfaqësues në gara ndërkombëtare dhe do të luajë fort dhe si e barabartë me kombet e tjera të botës, ka qenë ëndrra më qesharake dhe më e çmendur, por që, me këmbëngulësi, keni vazhduar të ëndërroni;

Dhe, po, pikërisht ju që keni ëndërruar, do të na kuptoni. Ju, shqiptarë të mirë të Kosovës, që nuk jeni ndalur së ëndërruari për Kosovën. Për Kosovën të lirë dhe të barabartë në familjen e madhe botërore. Po, ju do të ma kuptoni emocionin, gëzimin, lumturinë, ekzaltimin, klithjen, euforinë për djelmoshat e Kosovës. Ju, do të më kuptoni shumë mirë pse sot zemra ime është në festë. Ju do të më kuptoni pse fitorja e Kosovës në futboll nuk është një fitore çfarëdo! Ju do të më kuptoni se kjo fitore është për ata që nuk janë me ne të festojnë! Ju do të më kuptoni se kjo fitore dhe çdo fitore e Kosovës tonë të bekuar, është për ato shqiptare dhe ata shqiptarë, që kanë vdekur me sy çelur, për ta parë Kosovën të barabartë me botën.

Prandaj, e di se do të na kuptoni pse jemi të lumtur e të gëzuar si fëmijë!

Si një fëmijë, të cilit daja ia ka blerë një fanelë të re!

Mrekulli!

Mrekulli, si Kosova jonë!

Në trend

Më shumë

"Unë thjeshtë dua të luaj futboll" - Vini Jr me një gjest të shëmtuar në miqësore, Laporte tallet me të pas ndeshjes

La Liga
I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

Bundesliga
'Mallkimi Kate Middleton': Princesha ishte shtrirë në spital edhe në vitin 2012, infermierja e saj bëri vetëvrasje pak kohë pasi zbuloi pa dashje gjendjen e saj

'Mallkimi Kate Middleton': Princesha ishte shtrirë në spital edhe në vitin 2012, infermierja e saj bëri vetëvrasje pak kohë pasi zbuloi pa dashje gjendjen e saj

Magazina
Arabia Saudite merr pjesë për herë të parë në

Arabia Saudite merr pjesë për herë të parë në "Miss Universe", bukuroshja Rumy Alqahtani do t'i përfaqësojë në garën e bukurisë

Magazina
Një i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Prishtinë

Një i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Zbulohet se sa do të jetë

Zbulohet se sa do të jetë "kostoja ditore" nga shembja e urës në Baltimore

Amerika
Kalo në kategori