Dy persona janë arrestuar mëngjesin e datës 22.05.2025, nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer vepër penale të cilat ndërlidhen me terrorizëm.

Dy të dyshuarit, Alban Bibaj dhe Muhamet Musliu, janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës ndërsa KALLXO mëson se të njëjtit kishin shfrytëzuar rrjetet sociale për shpërndarjen e propagandës dhe thirrjeve për nxitje e përçarjes e mosdurimit.


Burime të KALLXO tregojnë edhe se njëri nga të arrestuarit ka dy vëllezër të vrarë në konfliktin në Siri e tjetri është i njohur për policinë.Për arrestimin e tyre ka njoftuar Prokuroria Speciale e Kosovës.

Operacioni policor ka përfshirë dy raste të ndara, që kanë rezultuar me tri kontrolle të vendbanimeve në Fushë Kosovë dhe Malishëvë.

“Dy arrestime të personave të dyshuar, mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në ‘nxitja e përçarjes dhe mosdurimit’ dhe shpërndarje e propagandës dhe ideologjisë për organizata terroriste, duke përdorur rrjetet sociale” – thuhet në njoftim.

Ky operacion është kryer nga zyrtarët e Drejtorisë Kundër Terrorizmit të Policisë së Republikës së Kosovës, në koordinim me prokurorin kompetent të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës./Telegrafi/