LAJMI I FUNDIT:

Kush është “princi” i arit të zi?

Për të pranuar opinioni – pa u trazuar, projektin e ri, por edhe skemën e re të privatizimit të një pjesë të KEK-ut tash, më vonë në tërësi, duhej që KEK-u të dobësohej financiarisht…

Edhe pse nuk ka çarje "të mëdha" në koalicionin qeverisës PDK-LDK, vërehet një ç’akordim zërash; lidhur me martesën e përbashkët, nuk ka dakordancë të mjaftueshme. Mund të thuhet lirisht pa tepruar shumë se tash po pretendohet se cili nga ta është "alfa e omega" e shtetit, apo kështu po fuqizohet autoriteti i institucionit nga kanë burimin ata.


Siç ndodhë me çdo qeveri, fuqia e saj qëndron në mjetet buxhetore, dhe burim i saj ishin dhe janë ministritë kyçe; Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ajo e Transportit dhe e Postë-Telekomunikacionit dhe ajo e Minierave dhe Energjetikës.

E para, para mandatit ekzistues të tashëm, fryhej nga procesi i privatizimit që grumbullonte mjete të konsiderueshme, e dyta nga infrastruktura rrugore duke hapur tenderë të mëdhenj, derisa ministria e tretë manipulonte dhe manipulon me mjete të mëdha buxhetore, duke i "sanuar" humbjet në KEK, për shkak të afarizmit joprofitabil, por edhe duke shtyrë projektin TC Kosova C-TC Kosova e Re, aspak transparent.

Shpesh ndodhë që kupolë e marifeteve financiare-ekonomike është padroni i privatizimit kosovar, i pari nga vendorët, ministri i Ekonomisë dhe Financave, i cili qëndron në hije të vendimeve të rëndësishme të "seriozitetit" financiar të Kosovës, duke përfshirë procesin e privatizimit që dobësojë dukshëm të ardhmen e Kosovës.

Nuk duhet ndonjë analizë e veçantë për të parë realitetin ekzistues, shikoni parametrat e papunësisë, pastaj mungesën e ligjit të punës, ligjin për sigurimin shëndetësor të të punësuarve, ligjin për pensionistët, ligjin për sindikatat, jo ai i të drejtës për organizim sindikal që ka karakteristikat e shoqatave apo të një OJQ-je.

Rriten edhe zërat dyshues të shprehura nga opinioni i gjerë, shumë me arsye, ngase KW-i/MW-i i energjisë elektrike blihej dhe blihet dyfish, e herë-herë trefish më shtrenjtë sesa që ishte dhe është çmimi real në treg, prandaj shpesh opinioni habitet nga prononcimet që kanë firmën herë të ish-ministrit (më shpesh) dhe nganjëherë të ministres së Minierave dhe Energjetikës (më rrallë) për të ardhmen energjetike të vendit.

Nuk ka vlerësime reale të humbjeve nga dalja në trafo dhe shpërndarja në largpërçues, prandaj edhe jepen informata jo të sakta, vetëm për të mbuluar dyshimet e herëpashershme të shfaqura në shtypin ditor.

Realisht detyrat e punës përballen me konflikte interesi në mes të KEK-ut dhe të qeverisë, përpara më shpesh sesa tash, nuk dihej atëherë por as tash ku duhet të adresohen saktësisht problemet. Lidhur me këtë nuk u zhvillua asnjëherë ndonjë debat serioz në Parlament, edhe atëherë, pas rastit tragjik të zjarrit që kishte mbuluar hallën qendrore, ku janë të vendosura turbinat dhe gjeneratorët, duke "dështuar" sistemi mbrojtës-bllokadat edhe rrufepritësi (?); asnjëherë nuk u dha ndonjë sqarim meritor, as që u angazhua ndonjë institucion për t’u hulumtuar shkaqet e vërteta, edhe pse tragjikisht kishte humbur jetën një person dhe shumë të tjerë ishin të prekur nga djegia.

Fillet e zhvillimit te KEK-ut datojnë qysh para pesëdhjetë vjetëve, por që zhvillimi i vërtetë fillon me lëshuarjen ne punë të agregatit të parë për prodhimin e energjisë elektrike në Kastriot/Obiliq. Atëherë ka filluar edhe mihja sipërfaqësore e thëngjillit dhe prodhimtaria e tij në sasi më të mëdha. Zhvillimi i tërësishëm dhe i ardhshëm i KEK-ut mbështetet në pasuritë e mëdha natyrore, përkatësisht në rezervat e verifikuara të thëngjillit.

Hulumtimet kanë treguar se rezervat e përgjithshme të thëngjillit në basenin e "Kosovës" dhe në atë të rrafshit të Dukagjinit bëjnë 10 miliardë tonë, gjë që bëjnë 53 % të rezervave të përgjithshme të linjitit në ish-Jugosllavi, ose 48 % të të gjitha llojeve të thëngjillit në ish-Jugosllavi. Nga rezervat e përgjithshme baseni i Kosovës disponon me 6.5 miliardë tonë linjit ndërsa në basenin e rrafshit të Dukagjinit janë të vendosura rreth 3.5 miliardë tonë.

Linjiti i basenit të Kosovës dhe atij të rrafshit të Dukagjinit i takon formacionit terciar të kliocenit, kështu që bie në rrafshin e linjitit të ri, pjesërisht të drurit e pjesërisht me përbërje të tokës. Fuqia e poshtme e nxehtësisë është 1950 kcal/k ndërsa me rastin e eksploatimit masiv 1700 kcal/kg. Rezervat e tërësishme të linjitit mund të eksploatohen me eksploatim sipërfaqësor. Kushtet e përshtatshme xehtaro-gjeologjike, bashkë me zbatimin e teknologjisë bashkëkohëse mundësojnë prodhimtari ekonomike dhe rentabile.

Vlerësohet se në mbështetje të këtyre rezervave do te mund të ndërtoheshin kapacitete për prodhimin e 80 milion tonë thëngjill në vit. Po ashtu nga aspekti i prodhimtarisë së mundshme, këtu mund të ngrihen termocentrale me kapacitete rreth 10500 MW të cilat do të prodhonin rreth 53 miliardë KWh energji elektrike ne vit, vlerësimi është bë për të bë më të qarta mundësitë e mëdha që ofron ky gjigant, i cili nuk është aspak autonom në afarizëm; janë krijuar raporte centraliste në organizim, gati të njëjta me ato të kohës "brioniane" në ish Jugosllavi.

Qysh në vitet 70-ta janë ndërtuar kapacitete për prodhimin e 9,500.000 tonë thëngjill në vit dhe pesë termocentrale me forcë të përgjithshme 800 MW. Në fillim të viteve të 80-ta është lëshuar në prodhim sistemi i termo-elektranave Kosova B prej 678 MW dhe zgjerimi i mihjes sipërfaqësore Bellaqevci edhe për 5 milion tonë ne vit, dmth me përfundimin e punëve KEK-u dispononte me kapacitete për prodhimin e thëngjillit prej 13.5 milionë tonë në vit dhe me termocentrale me një forcë të përgjithshme 1.587 MW.

Në kuadër të programit Kosova B janë projektuar projektet ideore për zgjerim dhe hapjen e një mihje të re sipërfaqësore të thëngjillit "Sibovci", në basenin e Kosovës me kapacitet 19 milion tonë në vit, dhe të mihjes Dukagjini në basenin e Rrafshit të Dukagjinit, i cili do te jepte 9 milion tonelatë thëngjill në vit, gjithashtu ekzistojnë zgjidhjet ideore për ndërtimin e tri blloqeve të termocentraleve me forcë të përgjithshme 1800 MW, ndërtimi i të cilave ishte paraparë me investimet e përbashkëta të disa republikave në ish Jugosllavi… ishte paraparë edhe bartja dhe distribuimi i energjisë elektrike për konsumatorët.

Se kishte ngritje të krimit në ekonomi dëshmojë "UN News Centre" në artikullin "Crime, economy and multi-ethnic society priorities for Kosovo in 2003, UN envoy says"’/Krimi, ekonomia janë prioritetet e shoqërisë multietnike, thotë i emëruari i KB-së. Pjesa më e madhe e hulumtimeve të hershme janë shfrytëzuar si bazë e hartimit të "Energy strategy of Kosova 2005-2015" – Draft, por edhe për fazën projektuese Kosova C-Kosova e Re; gjë që rrit dyshimin e shfrytëzimit të projekteve ekzistuese duke dëmtuar dukshëm buxhetin e konsoliduar të Kosovës përmes vjedhjes institucionale dhe përfshirjen e MEM-it dhe Komitetit drejtues të projektit Kosova C-Kosova e Re.

Nuk ishin vetëm kompanitë konkurruese të drejtpërdrejtë të përmbylljes financiare të projektit sa ishte edhe emision i pakontrolluar i gazrave nga termocentralet përbëhet prej dioksidit të karbonit të nivelit të lartë, NOx dhe pluhuri. Për shkak të mungesës së mirëmbajtjes së ujërave industriale, termocentralet shkaktojnë ndotjen e ujit. Përkohësisht ruajtja e hirit paraqet problem të veçantë të cilat arrijnë mbi 40 milionë tonë të hirit dhe zënë rreth 150 hektar të tokës bujqësore, po ashtu janë krijuar kratere gjatë eksploatimit të qymyrit në minierat e hapura të linjitit. Hiri nga termocentralet A është transportuar në linja të hapura dhe nuk ka ndonjë ruajtje të veçantë, pra nuk është e mbrojtur nga përhapja e hirit në ajër nga era as nga ndotja e rrjedhjeve të ujit.

Rikultivimi e tokës nuk është dëshmuar si praktikë e nevojshme. Ka shpërpjesëtime serioze midis dinamikës së shfrytëzimit dhe revitalizimit të sipërfaqeve të shfrytëzuara. Është jo funksional sistemi i monitorimit të përhershëm të emisioneve të dëmshme në mjedis. Për shkak të kërkesave të mëdha të energjisë elektrike, aktiviteti tolerohet madje edhe kur normat ligjore dhe kushtet për mbrojtjen e mjedisit nuk janë të përmbushura.

Në nivelin e tanishëm të zhvillimit të sektorit të energjisë, janë krijuar probleme serioze të mjedisit .Çështjet e mjedisit kërkojnë adresimin e qartë në mënyrë që të mos pengojnë zhvillimin e ardhshëm të sektorin e energjisë. Faza kulminate e ngjarjeve të mëvonshme ndodhi pas "Developing strategy for Kosova first 120 days"/Strategjia zhvillimore për Kosovënm 120 ditët e para, 12-14 prill 2007, kur edhe fillojë bartja e kompetencave nga UNMIK-u në EULEX.

Për t’u krijuar konfuziteti edhe më i madh, MEM-i krijoi edhe komitetin drejtues për të zhvilluar projektin TC Kosova C-TC Kosova e Re, pa përfillur mendimin e ekspertëve të KEK-ut, apo për t’i vënë ata para aktit të kryer. Si përfaqësues të kompanive konkurruese u angazhuan zyrtarë të lart të pushtetit qendror, ata ende pa zhveshur mirë gëzofin qeveritar, ngase ai partiak ishte shik-në trend, përfaqësonin interesat e kompanive të huaja si konkurruese, duke nëpërkëmbur interesin e vendorëve-qytetarëve të Kosovës.

A nuk ishte ky konflikt interesi? Dhe a do të duhej që atëherë të reagonin institucionet përgjegjëse, apo nuk duhet të ketë debat në këtë temë në komisionin përgjegjës parlamentar, për t’u mbajtur seanca e dëgjimit, edhe pse përfituesit e shumtë u paguan nga arka e buxhetit të konsoliduar të Kosovës; ndonjëri nga ta ishte në listën e pagave si përfaqësues i firmave të jashtme, nga të cilat u paguan majmë, jo se ishin ekspert në këtë lëmi, por ngase kishin të thurrur bukur rrjetin e merimangës korruptive.

Pa dashje, apo qëllimisht, çdo gjë që sillet përreth ministrisë së energjetikës dhe minierave, është me shumë të panjohura, nuk dihet saktësisht kush është "princi" i arit të zi. Është krijuar kështu lëmshi institucional, dhe në vend të afarizmit të suksesshëm, me KEK-un krijohen pengesa të shumta edhe me konotacion politik.

Për të pranuar opinioni-pa u trazuar, projektin e ri, por edhe skemën e re të privatizimit me një pjesë të tij, duhej që KEK-u të dobësohej financiarisht, kështu pra u krijua varshmëria institucionale bord-menaxher-ministri-qeveri, duke e furnizuar KEK-un me infuzion artificial-derdhjen e mjeteve të reja për sanimin e gjendjes.

KEK-u pra faktikisht humbi edhe pavarësinë afariste; pra aq shumë janë centralizuar marrëdhëniet afariste, saqë nuk mund të flitet për parametra real ekonomik, produktivitetin, rentabilitetin… Nuk u dëgjua fare zëri i punëtorëve, por as që u mbajt ndonjëherë ndonjë tubim i punëtorëve, ngase atë të drejtë ua mori sindikata e pavarur, e cila ishte një zë i shterur, pa asnjë fuqi në marrjen e vendimeve të rëndësishme.

Kryesia e saj vetëm simulonte sindikatën, nuk ishte zëdhënëse e fuqishme e punëtorëve, tregtonte me menaxhmentin për të përfituar për vete, jo për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve. Deformiteti i papresedant në skemën organizative që ka shkaktuar humbje të mëdha është tendenca për shpërbërje organizative dhe financiare të KEK-ut. Nuk është qartësuar asnjëherë, si ndodhi që kuadrot udhëheqëse që ka stipenduar, i ka trajnuar dhe i ka avancuar në karrierë KEK-u, të shfrytëzojnë po ato pozita duke përfituar nga KEK-u fitime të mëdha përmes procesit të tenderimit.

Nuk janë të pakta rastet që udhëheqës sindikatash janë mbështjellë me gëzofin korruptiv. Si ndodhi kjo dhe pse ndodhi kështu nuk ka ndonjë shpjegim, por kjo flet më së miri për ndërgjegjen e ultë të kuadrit udhëheqës, të cilët kanë bashkëjetuar me stafin udhëheqës serb atëherë, por bashkëjetojnë edhe tash me krimin e organizuar, lidhjet janë të gjalla dhe shumë funksionale duke u manifestuar edhe anomali të ndryshme, punëtorët punojnë, ndërsa ish udhëheqësit e tyre i "vjedhin" ata falë "patriotizmit" të kulluar financiar.

Në favor të këtij konstatimi është edhe fakti, se deri më tash nuk u shpërndan mjetet e akorduara nga privatizimi i ndërmarrjeve publike – 20 përqindëshi. Nëse vazhdohet kështu me simulime të institucioneve, atëherë kuptohet që vendimet shumë të rëndësishme do t’i merr një person, apo disa sish, dhe do të sipërojnë mbi strukturën organizative dhe ligjin, ashtu siç u krijua bindja në opinionin amerikan shekullin e kaluar US gouverement -Uncle Sam, nga e cila përfitoj materialisht Uncle Sam, jo me korrupsion por me ndjeshmërinë e tij inventive për biznes.

Patjetër duhet të zbatohet ligji-çështja e përgjegjësisë, e pagesave në institucionet publike dhe në ato me rëndësi të veçantë, apo të rritet disponimi në zbatimin e ligjit. Janë zbehur shpresat që në përbërjen e këtij parlamenti do të tejkalohen interferimet e angazhimit "intelektual" dhe atij politik-brenda institucioneve të njëjta të përfaqësimit, lojaliteti institucional duhet të jetë prioritet, ngaqë çfarëdo kapërcimi ligjor më tepër do t’i përngjante konfliktit të interesit sesa përkushtimit për zbatimin e programit dhe kontratës që ia shpalosin elektoratit.

Përvoja e deritanishme ishte e hidhur, determinon krizë dhe jofunkcionalitet në qeverisje, ku më tepër i jepet prioritet angazhimit medial se sa zbatimit të ligjit dhe kushtetutshmërisë.