Kush do të qeverisë pas zgjedhjeve?
Kanë mbetur më pak se 24 orë që kurse shqiptarët do të drejtohen për në qendrat e votimit, për të dhënë verdiktin e tyre. 28 qershori, është çelës që do t’i hapë një tjetër mundësi Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sot është heshtje zgjedhore. Heshtja e cila mbërriti pas një fushate të gjatë dhe të ashpër politikisht, me disa incidente sporadike, të cilat mediat i frynë më shumë, duke i vlerësuar shpesh edhe si cenim për procesin zgjedhor.
Gjithsesi, vlen të theksohet se fushata në përgjithësi ishte e qetë dhe pa probleme, pavarësisht “nxjerrjes vrer” të disa politikanëve dhe mediave pranë tyre. Në këtë pikë, përtej interesit politik, mendoj se është interesi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, e çdo tentativë për të prishur imazhin dhe për të përhapur idenë e një gjendje kaotike, nuk janë tjetër vetëm se përpjekje e dëshpëruar e një humbje por edhe një dëshire të ligë anti-Shqipërie. Më shumë se programet, muzika ishte pjesë e kësaj fushate. Shqiptarët, edhe pse të lodhur nga politika, gjetën plot kohë për të qenë pranë tyre në këto mitingje.
E përpos propagandës së fortë, shqiptarët të ndërgjegjshëm kanë ditur të dallojnë të drejtën dhe të vërtetën nga mashtrimit dhe fryrja gjer në marrëzi. Më së miri këto do ta thonë nesër në vendosjen e kryqit në fletën e votimit. Kjo fushatë do të mbahet mend, për lajme me peshë por edhe për kronika qesharake. Grisja e posterave, të cilat fare mirë mund të prishen nga era, shërbyen si kronika televizive në edicionet qendrore.
Kjo tregon në njëfarë mënyre, politizimin e skajshëm të medias, dhe gjithashtu, “hedhjen në kosha” të profesionalizmit dhe etikës gazetareske. Gjithashtu, politika me sa duket mori një mësim nga mediat, duke e organizuar vetë fushatën edhe mediatikisht. Të gjitha kronikat televizive janë përgatitur nga vetë partitë. Megjithatë, edhe në këtë rast, politika mediatike gjeti arsyet për të nxirë diçka apo për të fryrë diçka, pavarësisht minutazhit të balancuar (për t’i shpëtuar gjobave).
Tanimë, ka përfunduar gjithçka. Media sot është inekzistente, sepse historia këtë ditë është në dorën e shqiptarëve dhe jo të gazetarëve. Ata vendosin një herë në katër vjet, pa patur mundësi tjetër. Një filozof do të thoshte që demokracia është sistem i mirë, përderisa nuk ka një tjetër që ta zëvendësojë. Nesër, shqiptarët kanë në dorë fatin e vendit të tyre.
E kjo ditë për ta është me rëndësi, sepse u duhet të zgjedhin drejtuesit e tyre për katër vitet e ardhshme, por gjithashtu edhe vijimësinë e udhëtimit drejt Bashkimit Evropian. Duket se gara midis 35 partive do të jetë më e fortë midis numrit 10 dhe numrit 33. Partia Demokratike (10) kërkon një mandat të dytë, për të vijuar reformat e ndërmarra sipas saj, ndërsa Partia Socialiste (33), kërkon ndryshimin e qeverisjes. “Ndryshimi” duket se është pika më e fortë e këtyre partive, që sistemi i ri, u ka rezervuar të jenë absolut pas zgjedhjeve.
Këto zgjedhje do të mbahen mend edhe si zgjedhjet e përjashtimit të partive të vogla. Edhe pse më pak demokratik se i pari, ky sistem do të përjashtojë pjesën më të madhe të partive, deri më sot pjesë të Parlamentit. Të “vegjlit” duhet të bëjnë llogaritë mirë, për pozicionin e tyre pas zgjedhjeve. Përveç PD-së dhe PS-së, një pol i tretë pas zgjedhjeve do të jetë edhe Lëvizja Socialiste për Integrim me në krye Ilir Metën.
Ai ka deklaruar herë pas herë se do të ketë në dorë fatin e qeverisjes së ardhshme. Rezultati i kësaj ideje do të jetë më 29 qershor dhe më pas. Sondazhet e bëra deri më tani, nxjerrin fituese Partinë Demokratike, me një diferencë jo shumë të madhe nga Partia Socialiste. E nëse PD fiton pak më shumë deputetë se PS-ja, deputetët e LSI-së, do të vendosin balancat.
Nëse numri i deputetëve do të jetë i përafërt, kush do të drejtojë qeverinë? A mundet që Ilir Meta të bëjë koalicion me Sali Berishën? Deri më tani, ka qenë i prerë, duke e mohuar kategorikisht. Por, në politikë asgjë nuk është e sigurt. Në politikë, gjërat ndryshojnë brenda ditës. Me pretendimin e interesave kombëtare, Ilir Meta do të mund të ishte pjesë e qeverisë së djathtë, edhe pse forca e tij është e majtë.
Kjo nuk është e jashtëzakonshme, duke marrë parasysh Gjermaninë, ku partitë bënë koalicion edhe pse ishin të kundërta politikisht. Në Shqipëri ndarjet e programeve politike nuk janë kaq të mëdha, aq sa do ta bënin të pamundur një koalicion të tillë. Këto janë hipoteza, sepse nesër përgjigjen do ta japin shqiptarët me votën e tyre. E më pas, politika do të bëjë manovrimet e saj për të qeverisur. Berisha apo Rama kryeministër pas zgjedhjeve? Këtë e vendos qytetari shqiptar.



































