Kusari-Lila: Qeveria shpall Parkun Industrial në Gjilan dhe merr vendim për ish-ndërmarrjet “Metaliku” e “Virxhinia” në Gjakovë

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për shpalljen e Parkut Industrial në Komunën e Gjilanit, si dhe ka miratuar vendime që lidhen me krijimin e Zonës Industriale në Gjakovë.
Në një postim në Facebook, Kusari-Lila i ka quajtur vendimet “lajme super të mira” në 100 ditët e para të Qeverisë Kurti 3.
“Sot, Qeveria e Republikës mori vendim për shpalljen e Parkut Industrial në Komunën e Gjilanit. Afër 200 hektarë në Livoq të Epërm, të gatshme për investime dhe zhvillim industrial”, ka shkruar ajo.
Ministrja ka thënë se kjo hap perspektivë për zhvillim ekonomik dhe rritje të mirëqenies.
“Zhvillim, përparim ekonomik dhe ngritje e mirëqenies për gjithë Kosovën dhe qytetarët e saj!”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Duke folur për Gjakovën, ajo ka theksuar se prej më shumë se një dekade është diskutuar për krijimin e Zonës Industriale dhe se tani, sipas saj, është marrë vendimi në Qeveri për nxjerrjen nga administrimi i Agjencisë së Privatizimit të Kosovës të disa ish-ndërmarrjeve.
“Përfundimisht, sot… u mor vendimi për nxjerrjen nga administrimi i Agjencisë së Privatizimit të Kosovës të ish-ndërmarrjeve ‘Metaliku’ dhe ‘Virxhinia’, si dhe, transferimin e tyre tek Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit”, ka shkruar ajo.
Kusari-Lila ka thënë se është “jashtëzakonisht e lumtur” që brenda 100 ditëve të para të qeverisë janë miratuar vendime për dy komuna që, sipas saj, kanë potencial të madh industrial.
“Arritëm të kemi vendime të miratuara për Gjakovën dhe Gjilanin — dy komuna me potencial të madh për zhvillim industrial, kapacitete të reja prodhuese dhe qasje në tregje të reja rajonale dhe evropiane”, ka deklaruar ministrja.
Në fund, ajo ka shtuar se synimi është “zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët”.
“Qeveri për zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e saj!”, ka shkruar Kusari-Lila. /Telegrafi/











































