LAJMI I FUNDIT:

Kurti vs Jasharaj: Cili ma babë, kjo është çështja!

Kurti vs Jasharaj: Cili ma babë, kjo është çështja!

Kryetari i SBAShK-ut, apo “baba i grevave”, siç po i pëlqen Rrahman Jasharajt ta quajnë, dhe kryeministri i vendit, apo “baba i Kosovës”, siç preferojnë ta thërrasin Albin Kurtin militantët e 51 përqindëshit, po vazhdojnë ta mbajnë peng fillimin e vitit të ri shkollor.

Ashtu siç kishte premtuar Rrahman Jasharaj& Co edhe u bë.


Sindikalistët e arsimit thanë se nuk do të ketë fillim të vitit të ri shkollor më 1 shtator nëse Qeveria nuk ua plotëson kërkesën për subvencionimin e pagave me nga 100 euro – deri në nxjerrjen e Ligjit të pagave.

Paralajmërimi i SBAShK-ut u injorua nga Qeveria deri në momentin kur e panë se çelësat e shkollave nuk janë në duart e Ministrisë së Arsimit, por në duart e babës së grevave.

Dhe, tek kur për një gjë të tillë u bind Qeveria, Kurti bashkë me ministrin e tij të parave (Hekuran Muratin) dolën në konferencë shtypi dhe shpalosën pakon e re shtetërore për përballje me inflacionin (ndihmat e njëhershme për socialët – përfshirë këtu pensionistë e studentë – dhe ato për të punësuarit në sektorin publik).

Kërkesës së sindikalistëve për 100 euro shtesë, Kurti e Murati i ranë përgjysmë duke ofruar nga 50 euro deri në Vitin e Ri.

Në konferencën për shtyp, ku kryeministri prezantoi pakon për përballje me inflacionin, nuk e la pa mesazh babën e grevave, Rrahman Jasharin, duke thënë se “Të krijosh ditë pa punë për mësimdhënësit dhe ditë pa mësim për fëmijët është përgjegjësi tejet e madhe. Nuk është veç politike e shoqërore, është historike, sepse pikërisht duke nxjerrë analfabetë funksionalë e duke menduar veç për paga po përfundojnë njerëzit veç për asistencë sociale. Kjo reflektohet automatikisht në zhvillim ekonomik, mandej. Kur ti nuk nxjerr kuadro të mira arsimore, atëherë prodhon ose njerëz për asistencë ose punëtorë krahu në Gjermani. Ne duhet ta rregullojmë sistemin arsimor”.

E, ky mesazh i babës së 51 përqindëshit për grevistët menjëherë i la në hije 50 eurot për mësimdhënësit nga pakoja dhe erdhi si një motiv shtesë për të vazhduar greva.

Pasuan reagimet e komentimet e deklaratës së Kurtit: “Kryeministri po i cilëson analfabetë edhe votuesit e vet …”

Nejse.

Prodhimi i analfabetëve funksionalë e jofunksionalë në shkollat tona, tash e disa vite është temë në vete. Siç është temë në vete reforma në arsim dhe milionat e zhvatur deri sot në emër të “reformave” në arsim. Në emër të “reformës”, miliona euro janë derdhur e kanë përfunduar në kontot e ekspertëve të zhvatjes së fondeve që çuan arsimin në humnerë.

Po nime. Të njëjtit zhvatës herë janë “ekspertë” e udhëheqës “institutesh” e herë këshilltarë e zëvendësministra. Varësisht kush vjen në pushtet si partner i zhvatjes.

E, tash, çështja është se si të hapen shkollat?

Për të dalë nga situata, baba i grevave vazhdimisht po kërkon dialog me Qeverinë – takim me babën e 51 përqindëshit, por Kurti me kryeneqësi po e refuzon.

Ndërsa ka vazhduar “dialogu” mes tyre në media e konferenca shtypi, duke akuzuar njëri-tjetrin. Derisa Kurti po e akuzon Jasharajn se po kontribuon që shkollat të nxjerrin analfabetë funksionalë, ky i fundit, pas një takimi që kishte me njërin nga liderët e partive opozitare, u lëshua në kualifikime politike, duke thënë se “është mirë që të gjithë të bëhemi bashkë që të mos lejojmë që Kosova të kthehet në një shtet diktatorial”.

Derisa po has në derën e mbyllur të kryeministrit, Jasharajt ia hapën dyert e krerëve të partive politike opozitare, të cilët pa përjashtim po e përkrahin në qëndrimet e tij të forta, me demek ta vazhdojë grevën. Opozita këtë punë e ka, bane Zot llugë (si Vetëvendosje dikur, do të thoshin disa).

Ndërkohë, baba i grevave u gozhdua nga militante e “këshilltarë” të babës së 51 përqindëshit. Nisi fushata e etiketimeve e njollosjes së personalitetit të Rrahman Jasharajt, i thanë SPS, ShIK, UDB, hajn, e çka jo, derisa e bënë edhe t’i rrjedhin lotët në një intervistë televizive.

Nejse.

Ndërsa fëmijët tanë kalojnë ditët me celular e tablet në duar, duke qenë viktima potenciale të pedofilëve e kriminelëve të të gjitha ngjyrave në rrjetet sociale, shkollat vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Babës së grevave do të vazhdojë t’i vijë përkrahja. Në anën tjetër, baba i 51 përqindëshit do të këshillohet nga vartësit e vet që të mos lëshojë pe përballë presionit sindikal, pa çka që shkollat po mbahen të mbyllura. Me rëndësi të ruhet fytyra. Por, deri ku do të shkojë kjo çmenduri?

Kurti e Jasharaj duhet të heqin dorë nga inatet. Me inate shpia s’mbahet.

Rrahman Jasharaj ka thënë se edhe mund të heq dorë nga kërkesat maksimaliste, por ai dëshiron takim me kryeministrin Kurti. Ndërsa, ky i fundit nuk jep asnjë shenjë se do ta takojë Jasharajn.

Duket se edhe kësaj pune i nevojitet një ndërmjetës. Të premten (9 shtator) në Kosovë vijnë dy ndërmjetës të rinj (francez dhe gjerman), por jo për grevën. Ata vijnë të ndërmjetësojnë në dialogun me Serbinë, jo për një takim Kurti-Jasharaj.

E, Kurti opozitar dikur ishte kategorik se nuk do të ulej në tavolinën e dialogut me Vuçiqin, por sot si kryeministër po e bën këtë.

Bëje edhe me Jasharajn!

Albin, mos i dëgjo këshilltarët servilë çka të thonë, pranoje kërkesën e Rrahmanit për takim. Ky mund të jetë çelësi i përfundimit të grevës!

Nëse s’mund t’ju japësh para, jepu garanci. Ata do t’i besojnë fjalës tënde. Nuk zhburrnohesh. Mos u tut!

Edhe ti Rrahman, në atë takim, ule pazarin. Negocio.