LAJMI I FUNDIT:

Kurti viziton mësuesin me të cilin ishin bashkë në burg

Kurti viziton mësuesin me të cilin ishin bashkë në burg

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, u ka uruar Ditën e Mësuesit të gjithë mësimdhënësve në manifestimin e 7 marsit, teksa ka theksuar se historikisht te populli i Kosovës, angazhimi për arsimimin në njërën anë dhe beteja për liri kombëtare në anën tjetër, nuk kanë qenë asnjëherë të ndara.

E gjatë këtij 7 marsi, Kurti ka vizituar dy persona të rëndësishëm për të që kanë pasur profesion mësuesinë.


Kryeministri ka vizituar mësuesin Osman Jakupi me të cilin kishte qenë bashkë në burgjet e Serbisë.

“Me mësuesin Osman Jakupi nga Baksi ishim bashkë në burgjet e Serbisë. Ai ishte i plagosur e i burgosur, i malltretuar edhe në spital përveçse i torturuar në burg. Katër anëtarë të familjes i ka të vrarë gjatë luftës, e vetë mësues me ditar në dorë për 45 vjet e 5 muaj”, ka treguar shkurtimisht Kurti historinë e mësuesit Osman Jakupi.

Derisa gjatë ditës ka vizituar edhe Afërditën që është vajza e mësueses së Kurtit.

“Ndërkaq Afërdita është vajza e vetme e mësueses sime Nafije Dobruna-Deva. Kur unë isha nxënës i fillores Afërdita ishte studente e Matematikës, pastaj ajo u bë profesoreshë në Gjimnaz e mandej Asistente në Fakultet të Ndërtimtarisë, në lëndët Matematikë I, II dhe III.

Sot, më 7 Mars, i takova për t’ua uruar Ditën e Mësuesit”, ka përfunduar Kurti./Telegrafi/