LAJMI I FUNDIT:

Kurti uron që Viti i Ri të ketë më pak padrejtësi, varfëri, ndrydhje, shtypje, diskriminim e izolim

Kurti uron që Viti i Ri të ketë më pak padrejtësi, varfëri, ndrydhje, shtypje, diskriminim e izolim

Deputeti i VV-së, Albin Kurti, ka shprehur dëshirat e tij për vitin 2018. Shkrimin e publikuar në profilin e tij në Facebook, mund ta lexoni të plotë më poshtë.

“Të dashur miq e mbështetës, sot siç e kërkon rasti dëshiroj t’jua uroj dhe unë Vitin e Ri. Qoftë 2018 një vit me më shumë fat e mirësi për ju, kudo që jeni të angazhuar, në punë, në studime, në familje, apo në kërkimin e tyre! Qoftë e sotmja një mbrëmje çlodhëse dhe gazmore pranë të afërmve tuaj!


Do të kisha dashur t’ju uroja që viti i ardhshëm të ketë më pak padrejtësi për ne, më pak varfëri, më pak ndrydhje, shtypje, diskriminim e izolim. Pse jo, të kishim përparim e zhvillim, solidaritet e drejtësi, barazi e demokraci njësoj si vendet të cilat i marrim për shembull. Mirëpo, edhe ju ashtu si unë, e dini se krejt këto nuk arrihen me urata, por me punë të pandalshme të të gjithëve ne. Puna për barazinë gjinore fillon në familje, puna për solidaritetin shoqëror dhe ekonomik fillon në lagje, puna për zhvillim institucional e demokraci fillon në qytetin ku jeton secili prej nesh. Duhet një angazhim i pandalshëm, e jo vetëm kur ka fushatë. Sa më të mëdhaja të jenë përmasat e këtij angazhimi, aq më shpejt do të përparojë shoqëria e kombi jonë. Le të shpresojmë pra se 2018 do të jetë vit i angazhimit e i punës së mirë, që t’i vëmë më në fund fre punëve të këqija.

Edhe një herë ju uroj pushim e festë të mbarë, dhe gëzuar Vitin e Ri 2018” (sic.), ka shkruar ai. /Telegrafi/