LAJMI I FUNDIT:

Kurti u kërkon ambasadorëve t’i kundërvihen propagandës serbe

Kurti u kërkon ambasadorëve t’i kundërvihen propagandës serbe

Kryeministri Albin Kurti gjatë Konferencës së Gjashtë të Ambasadorëve në Prishtinë ka kërkuar më shumë punë nga diplomacia.

Kurti u ka kërkuar ambasadorëve t’ua shpjegojnë versionin tonë të historisë vendeve ku ata veprojnë.


“I takon diplomacisë t’i integrojë në punë gjithë instrumentet në fushat e mundshme. Përmes integrimit të këtyre fushave mund të krijohen kanalet në të cilat mund të komunikojmë të vërtetën dhe të drejtën. Ju takon juve të thoni se si e dimë ne të vërtetën. Ju jini të pranishëm në përditshmërinë e vendeve ku veproni. Përditshmëria atje ku jeni duhet analizuar sipas individëve, profesioneve dhe institucioneve”.

“Duhet t’ua përçojmë pa drojë dijen tonë për historinë dhe informacionin tonë për aktualitetin. Ata e njohin Ballkanin e tyre, ne duhet t’ua shpjegojmë tonin, atë Ballkan ku fqinji ynë verior po synon me të gjitha mënyrat tri vende fqinje të saj duke i dhënë një ndihmë shumë të madhe Rusisë dhe duke u ndihmuar prej saj”, ka thënë Kurti.

“Propagandat të fqinjit tonë kanë imponuar një datë të fillimit të historisë sonë, thuajse para tyre nuk ka ekzistuar as koha e as vendi, sepse ne nuk kemi pasur profesorë në vende perëndimore”.

Ai thotë se Serbia mund të ketë blerë shumë mallra e armë përgjatë dekadave por “asnjëherë nuk e morën qytetërimin”.

“Gjeopolitika nuk është vetëm çështje materiale”, i është drejtuar Kurti tutje ambasadorëve duke u thënë se shteti pret shumë nga ta.

“Ne kemi një armik ekzistencial që bënë shumë zhurmë dhe përdorë gjithnjë një pozicion hibrid për të përfituar nga ekstremet e vendeve perëndimore. Me të djathtët përfiton duke thënë se Serbia është mbrojtëse e krishterimit, por nga ana tjetër qëndron me rusët deri në fatalitet. Serbia nuk mund ta braktisë lehtë Rusinë pa ndryshime rrënjësore”.

Kurti thotë se mjafton që ambasadorët t’ua kujtojnë të huajve këto fakte e sipas tij më pas “ata vet do të hulumtojnë dhe nuk mund të kenë simpati për Serbinë”./Telegrafi/