LAJMI I FUNDIT:

Kurti priti në takim ambasadorin e BE-së në Kosovë, flasin për Procesin e Berlinit

Kurti priti në takim ambasadorin e BE-së në Kosovë, flasin për Procesin e Berlinit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, njëherësh Përfaqësues Special i BE-së, ambasadorin Tomáš Szunyog, me të cilin foli ndër të tjera edhe për Procesin e Berlinit dhe perspektivën e Kosovës dhe rajonit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Sipas komunikatës për medie, “Puna dhe të arriturat kryesore të 100 ditëve të Qeverisë ishin tema kyçe e takimit”.


“U diskutua për Procesin e Berlinit dhe perspektivën e Kosovës dhe rajonit për anëtarësim në Bashkimin Evropian si dhe Raportin e ardhshëm të Progresit për Kosovën”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Kurti e njoftoi ambasadorin për progresin e shënuar në këta tre muaj, që ka hedhur bazat për reforma afatgjata dhe shtet të drejtë e zhvillimor.

“Formalizmi gradual i ekonomisë dhe intervenimet përmes pakos financiare për ringjallje ekonomike u veçuan si faktorë kryesorë të rritjes së të hyrave buxhetore për 30%, rritjes së aktivitetit ekonomik për 15% dhe eksportit për 66%”, thuhet në komunikatë.

U vlerësua përmirësimi i dukshëm i situatës aktuale në menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe sigurimi i dy milionë vaksinave për qytetarët e Kosovës.

Gjatë takimit u bisedua edhe për sektorin e energjisë në vend, riparimet e nevojshme të termo-elektranave, si dhe prioritetet dhe përkushtimin ndaj të gjitha komuniteteve pakicë në Kosovë. /Telegrafi/