LAJMI I FUNDIT:

Kurti flet për vizitën në Estoni – tregon me kë u takua dhe çka bisedoi

Kurti flet për vizitën në Estoni – tregon me kë u takua dhe çka bisedoi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përmbledhur vizitën e tij dyditore në Estoni, ku është takuar me homologen e tij në këtë shtet dhe përfaqësues të tjerë të lartë shtetëror.

Vizitën zyrtare në Estoni kryeministri e ka nisur me homologen e tij, Kaja Kallas, me të cilën ndër të tjera kanë biseduar edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën.


“Shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Estonia i jep Kosovës dhe gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Kryeministrja Kallas ofroi mbështetjen e plotë për Kosovën në rrugën tonë euroatlantike dhe në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët tanë”, ka njoftuar Kurti në Facebook.

Ndërsa, në drekën me Ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, Urmas Reinsalu, ai tha se kanë theksuar ngjashmëritë e përvojave historike dhe situatave gjeostrategjike të Kosovës dhe Estonisë.

“Falënderova ministrin Reinsalu për mbështetjen e Estonisë ndaj Kosovës në politikën e jashtme”.

Kreu i ekzekutivit ka vizituar edhe Akademinë Estoneze për Qeverisje Elektronike (eGA), ku është takuar me Drejtorin Ekzekutiv, Hannes Astok, e në e-Estonia Briefing Centre, është pritur nga Menaxherja e përgjithshme, Ave Lauringson.

“Qeveria e Kosovës tashmë ka vendosur marrëdhënie bashkëpunimi me Akademinë Estoneze të E-Qeverisjes (eGA). Si rezultat, ekspertë nga Estonia po ndihmojnë Kosovën në hartimin e strategjisë së re për E-Qeverisje, që do të shërbejë si udhërrëfyes për transformimin digjital”, ka shkruar tutje Kurti.

Gjithashtu, ka shtuar se fushat e bashkëpunimit që forcojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve ishin tema e takimeve të ndara në Parlamentin e Republikës së Estonisë, Riigikogu, me Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Estonisë, Jüri Ratas dhe Kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit, Andres Sutt.

“Avancimi i bashkëpunimit në fusha të ndryshme, me theks te qeverisja digjitale dhe qëndrimet e dy qeverive mbi zhvillimet dhe sigurinë në kontinentin e Evropës, ishin pjesë qendrore e diskutimeve në takimet që patëm bashkë me Zëvendëskryeministren e Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi, Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ambasadoren jo rezidente të Kosovës në Estoni, Shkëndije Geci-Sherifi dhe këshilltarin tim, Lulëzon Jagxhiu”. /Telegrafi/