Kurti: Për Pejën pesë çerdhe të reja dhe inkubatorin e biznesit pranë Universitetit “Haxhi Zeka”

Kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti, qëndroi në Pejë, ku në një tubim me qytetarë, ka rikonfirmuar mbështetjen e tyre për Lëvizjen VETËVENDOSJE!.
Ai theksoi se angazhimi i Qeverisë Kurti për komunën e Pejës nuk ka munguar, duke renditur projektet në proces si ndërtimi i Qendrës Nacionale të Xhudos, Stadiumit, projekti i ngrohjes qendrore, rruga e Dukagjinit që lidh Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën e Deçanin me Pejën dhe Istogun, si dhe rruga Pejë–Kuçishtë, përkrah rehabilitimit të rrugëve rajonale.
Dëshmi e vëmendjes së pandërprerë të Qeverisë për qytetin e Pejës, janë edhe zotimet e mandatit të ardhshëm, tha Kurti.
Ai renditi prioritetet kryesore si: zgjidhjen e problemeve të kanalizimit dhe trajtimit të ujërave, hapjen e pesë çerdheve në Baran, Raushiq, Leshan, Nabërgjan dhe Novosellë, si dhe mbështetjen e Inkubatorit të Biznesit pranë Universitetit “Haxhi Zeka”.
Më tej tha se forcimi i lidhjeve mes universitetit, sipërmarrësve dhe sektorit privat, si dhe prioritetizimin e ICT-së, turizmit dhe shërbimeve digjitale, ka për synim që të shndërrojë Pejën në qendër të inovacionit në rajon.




















































