Kurti me video-mesazh në gjuhën serbe njofton për 121 vende pune të hapura në Ujësjellësin Rajonal “Mitrovica”

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se janë hapur 121 vende të reja pune në katër komunat veriore me shumicë serbe: Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan.
Në një video-mesazh në gjuhën serbe, të publikuar në Facebook, Kurti ka thënë se këto vende pune janë shpallur nga Ujësjellësi Rajonal “Mitrovica”, i cili tashmë ka krijuar njësitë punuese në këto komuna.
Sipas Kurtit, konkursi për 68 prej këtyre vendeve të punës do të përfundojë më 8 gusht, ndërsa për 53 të tjerat më 19 gusht 2025.
“Ujësjellësi Rajonal ‘Mitrovica’ ka formuar njësitë punuese dhe ka shpallur konkurse për 121 vende pune në komunat: Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan. Konkursi për 68 vende pune mbyllet këtë të premte, me 8 gusht, ndërsa për 53 vendet e tjera mbyllet më 19 gusht,” tha Kurti.
Kurti i ftoi qytetarët e këtyre komunave që të vizitojnë faqen zyrtare të KRU Mitrovica për informata të mëtejshme dhe të aplikojnë për pozitat e hapura: https://www.kru-mitrovica.com/konkurset/.















































