LAJMI I FUNDIT:

Kurti në Spanjë përmend sulmin terrorist serb në veri: Ka forca që synojnë të provokojnë luftëra të armatosura

Kurti në Spanjë përmend sulmin terrorist serb në veri: Ka forca që synojnë të provokojnë luftëra të armatosura

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka folur përpara anëtarëve të organizatës socialdemokrate në Evropë ku sot u bë anëtare edhe partia të cilën vetë Kurti e udhëheq, Lëvizja Vetëvendosje.

Në Kongresin e Partisë së Socialistëve Evropianë (PES) – që po mbahet në Malaga të Spanjës, Kurti tha se “është një nder të jem këtu përpara jush dhe të shpreh në emër të Lëvizjes Vetëvendosje nga Kosova, mirënjohjen time që keni pranuar partinë të cilën unë e udhëheq në mesin e familjes së Partisë së Socialistëve Evropian”.


“Ky pranim, si anëtare vëzhguese në hapin e parë, është një dëshmi nga ana juaj e besimit tuaj ndaj qeverisjes së mirë, efikase dhe premtuese, të qeverisë që unë e drejtoj si kryeministër i Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti.

Ai tha se “ky besim frymëzon një përkushtim kolektiv, nga unë, partia ime dhe Qeveria që drejtoj. Prandaj, ju siguroj që do të vazhdojmë të dëshmojmë  aktivisht përkushtimin tonë ndaj zbatimit të politikave socialdemokratike”.

“Ne duam të tregojmë që progresi demokratik dhe qeverisja e mirë prodhojnë përfitime sociale dhe ekonomike. Me një përkushtimi të palëkundur ndaj sundimit të ligjit dhe një lufte të vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, po krijojmë mundësi të paprecedenta për prioritete të reja — drejtësi sociale dhe barazi, punësim dhe politika të rishpërndarjes në Kosovë, duke i sjellë dobi të gjithëve. Këto veprime tona po adresojnë ato që dy vjet e gjysmë para se të vinim ne në pushtet nuk ekzistonin fare si prioritete”.

Kurti më tej tha se “nuk do të përsëris këtu çka i shkrova PES-së në shtator dhe çka thashë pastaj përpara udhëheqjes suaj, gjatë takimit të Presidencës më 12 tetor. Ju e dini tashmë se të gjitha indekset ndërkombëtare për cilësinë e demokracisë tonë të re, për nivelin e lirive civile dhe të drejtave politike, lirinë e shtypit, progresin në sundimin e ligjit, kanë konfirmuar trendin pozitiv të rrugëtimit tonë, siç u konfirmua sërish këtë javë për të dytin vit radhazi në raportin vjetor të Komisionit Evropian. Sipas këtij raporti pra, Kosova ka shënuar rritjen më të madhe në shkallën e vet, duke përmirësuar nivelin e vet të përgatitjes në pesë kapituj negociues”.

“Ky Kongres po mbahet për t’u përgatitur për zgjedhjet evropiane të radhës, të caktuara për 9 qershor 2024. Në shekullin e XXI, konteksti ndërkombëtar dhe evropian kurrë s’ka qenë kaq brengosës”, tha me tej Kurti.

“Ne po jetojmë në një kohë sfiduese me përplot ngjarje tragjike, duke përfshirë agresionin e pamëshirshëm të Rusisë në Ukrainë, zhvendosjen e armenëve nga Nagorno-Karabakh dhe konfliktin në Izrael dhe në Rripin e Gazës. Kjo e fundit sapo ka mbushur një muaj duke sjellë si pasojë një numër alarmues të viktimave, dhembjes dhe vuajtjes. Sigurisht, gjithë këto ringjallje të luftës e vendosin botën përpara një rreziku të paprecedent të daljes nga binarët drejt aspekteve më të errëta të njerëzimit”, tha ai.

Kurti tha se ndërkohë më afër Bashkimit Evropian, një veprim tjetër agresioni është zhvilluar.

“Ai ka ndodhur më 24 shtator në Kosovë, kur vendi im u sulmua në tokën e vet, në pjesën veriore të territorit, nga një grup i armatosur mirë i terroristëve paramilitarë, të cilët ishin trajnuar, pajisur dhe financuar nga shteti i Serbisë, një fakt që është dëshmuar nga një varg provash të zbuluara pas sulmit. Një zyrtar policor nga Policia e Kosovës u vra dhe dy të tjerë u plagosën. Falë profesionalizmit shembullor të njësive speciale të policëve tanë, Kosova ka arritur t’i mposhtë terroristët, duke iu përgjigjur proporcionalisht këtij sulmi dhe duke shmangur një eskalim të pakontrolluar, gjë që ishte qëllimi i grupit kriminal paramilitar të kontrolluar nga Beogradi”.

“Ky sulm terrorist dëshmon që sot ka forca që synojnë të provokojnë konflikte dhe luftëra të armatosura për të minuar autoritetin dhe besueshmërinë demokratike, për të rrënuar të gjitha parametrat stabilizuese dhe paqen e fituar, për të ripërcaktuar kufijtë dhe imponuar rregulla të reja të rendit”.

“Ne përfaqësuesit e forcave të qendrës së majtë në Evropë, e kujtojmë historinë dhe jemi larg të qenit naivë: Historia evropiane ka vërtetuar gjithmonë se ne jemi në ballë të luftës kundër të gjitha formave të ekstremizmave, për promovimin e paqes dhe të drejtave të njeriut edhe kur dhuna, racizmi, antisemitizmi dhe islamofobia duket se po fiton terren dhe mendje. Vazhdoj të jem optimistë se ne mund ta forcojmë unitetin tonë në mënyrë që ta ndryshojmë rrjedhën e këtyre ngjarjeve”, tha ai.

“Shembull, Kosova e përballur me sfidën për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nën ndërmjetësimin e BE-së: Ju siguroj që e pranoj pjesën e përgjegjësisë që më takon për stabilitetin afatgjatë dhe paqen e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor. Këtu e shfrytëzoj mundësinë të ndaj lavde për grupin S&D për udhëheqjen e saj në rezolutën e miratuar te Parlamenti Evropian më 19 tetor. Deri me tani, ky ishte teksti më i qartë politik për sulmin e 24 shtatorit”, tha Kurti. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Shqiptohen 10 gjoba për dhënien e

Shqiptohen 10 gjoba për dhënien e "Ozempic" pa recetë të mjekut - Spitali i Gjilanit raporton për tre raste me efekte të dyshimta nga përdorimi i tij

Shëndetësi
Arrestohet një person në Bërnjak, kishte vendosur 50 euro në mesin e dokumenteve gjatë kontrollit në pikën kufitare

Arrestohet një person në Bërnjak, kishte vendosur 50 euro në mesin e dokumenteve gjatë kontrollit në pikën kufitare

Kronika e Zezë
Një veturë mbi 5 mijë euro dhe disa para të kursyera, çfarë pasurie ka Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha?

Një veturë mbi 5 mijë euro dhe disa para të kursyera, çfarë pasurie ka Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha?

Lajme
Përleshje fizike mes dy personave në Prishtinë, një polic lëndohet gjatë intervenimit për t'i vënë në kontroll

Përleshje fizike mes dy personave në Prishtinë, një polic lëndohet gjatë intervenimit për t'i vënë në kontroll

Kronika e Zezë
A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

Lajme
Tahiri: Kurti të jap shpjegim pse Serbia mbeti e pa ndëshkuar edhe pas rastit në Banjskë

Tahiri: Kurti të jap shpjegim pse Serbia mbeti e pa ndëshkuar edhe pas rastit në Banjskë

Lajme
Kalo në kategori