Mbi 1,000 hektarë të kultivuara me mjedra dhe 180 me boronica, Kurti: Frutat e imëta janë sektor me ambicie dhe ndikim

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë sot në Konferencën e 10-të të Mjedrës, të organizuar nga Shoqata “Mjedra e Kosovës”.
Ky vit shënon një edicion jubilar, me mbi 350 pjesëmarrës që përfshijnë fermerë, institucione, kompani eksportuese dhe partnerë ndërkombëtarë. Në konferencë morën pjesë edhe rreth 30 fermerë nga Shqipëria, të cilët po adoptojnë modelin e kultivimit të mjedrës sipas praktikave të Kosovës.

Kryeministri Kurti theksoi se sektori i frutave të imëta, përfshirë mjedrën, dredhëzën dhe boronicën, po shënon rritje të qëndrueshme dhe po gjen tregje të reja, çmime më të stabilizuara dhe kontrata afatgjata. Sipas tij, ky zhvillim është rezultat i një zinxhiri të konsoliduar të prodhimit, përpunimit dhe eksportit, si dhe bashkëpunimit ndërmjet fermerëve, shoqatave, institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Aktualisht, në Kosovë kultivohen rreth 1,000 hektarë me mjedra dhe 180 hektarë me boronica. Sektori gjeneron rreth 10 milionë euro të ardhura dhe mbështet mbi 2,500 vende pune përgjatë zinxhirit të prodhimit dhe përpunimit.

Kryeministri gjithashtu nënvizoi prioritetet e Qeverisë për financim të mençur të prodhimit dhe përpunimit, qasje në tregje dhe standardizim të certifikimeve, si dhe rolin kyç të Shoqatës “Mjedra e Kosovës” në lidhjen e fermerëve me tregun dhe standardet evropiane.
Në përfundim, Kurti premtoi mbështetje të vazhdueshme për sektorin, duke u shprehur se Qeveria do të jetë partner dhe lehtësues, jo pengesë, për të garantuar që prodhimi i fermerëve të ketë vlerën e merituar në treg. /Telegrafi/


















































