Kryeministri në detyrë Albin Kurti, bashkë me kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, zëvendëskryeministren në detyrë, Donika Gërvalla, deputetë të Kuvendit dhe bashkëpunëtorë, bëri homazhe në 36-vjetorin e rënies së dëshmorëve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, në varrezat e dëshmorëve në lagjen Velania, në Prishtinë.

Ai tha se rënia e tyre zgjoi ndërgjegjen kombëtare në nivele të larta, dhe gjithashtu sensibilizoi opinionin publik ndërkombëtar se, në Kosovë ka një popull, i cili nuk nënshtrohet dhe që do të rezistojë deri në lirinë për veten e tij.


“Është tejet interesante se si rënia heroike e Afrimit dhe Fahriut, i ngjanë aq shumë rënies heroike 5 vjet më parë të Rexhep Malës e të Nuhi Berishës. Fahriu e Afrimi në “Breg të Diellit”, ndërkaq, Rexhepi e Nuhiu në “Kodër të Trimave”. Që të dy, luftuan deri në fund, ndërkaq, me 2 nëntor të vitit 1989 në bllokun e III-të, në hyrjen e III-të, aty ku e kishin bazën e tyre ilegale, Fahriu e Afrimi luftuan për më shumë se 6 orë dhe kjo tregon se çfarë luftëtarësh të paepur kanë qenë ata”, tha Kurti.

Më tej, kryeministri Kurti theksoi se jeta, vepra, rënia, konteksti politik shoqëror i rënies heroike të Afrimit e të Fahriut, ka nevojë të studiohet edhe më shumë nga historianët, sociologët dhe shkencëtarët në Kosovë, sepse liria e brezave të ardhshëm, varet se sa mirë e mësojmë dhe e përvetësojmë jetën edhe veprën e atyre, të cilët bënë gjithçka për lirinë e popullit shqiptar.

Lavdi Afrimit e Fahriut dhe gjithë dëshmorëve të kombit tonë!/Telegrafi/