Kurti: Kompani nga rajoni më shpesh po ankohen për biletat e aeroplanit se për rregullat e tregtisë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se Kosova është më e sigurt dhe më e fortë ekonomikisht se pesë vjet më parë. Sipas tij, Kosova ka borxhin më të ultë publik në Evropë dhe se indikatorët ndërkombëtarë tregojnë më pak krim të organizuar e më pak korrupsion.
Këto deklarata Kurti i bëri para përfaqësuesve të më shumë se 200 bizneseve në konferencë vjetore të organizuar nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ku është prezantuar performanca industriale për këtë vit dhe planet për mbështetje për vitin e ardhshëm.
Kurti tha se Kosova ka konfirmuar se është një prej historive më të mira të suksesit në rajon.
“Një vend më i sigurt, më demokratik dhe financiarisht më i qëndrueshëm. Indikatorët ndërkombëtarë tregojnë më pak krim të organizuar, shumë më pak korrupsion, më shumë sundim të ligjit dhe një demokraci e cila forcohet nga viti në vit. Borxhi ynë publik është më i ulëti në Evropë, rreth 16 për qind të bruto produktit vendor, që ka mundësuar që Qeveria e Kosovës të ketë politika sovraniste. Pastaj rritja ekonomike mbi katër për qind. Vlerësimi kreditor sovran i kredituar”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se sektori bankar përgjithësisht i kapitalizuar mirë.
"Këto nuk janë vetëm numra për raporte, por garanci për juve, investitorë e sipërmarrës, se Kosova është një adresë serioze për investime afatgjata. Ky stabilitet dhe kjo demokraci nuk janë luks politik, janë themeli mbi të cilin ndërtohet zhvillimi ekonomik. Kur qytetarët ndihen të sigurt natën, kur gjykatat janë më të pavarura, kur administrata është më profesionale, atëherë edhe një investitor nga Zvicra, Gjermania apo diaspora jonë e sheh Kosovën jo më si rrezik, por si një shans. Dhe ajo që është e rëndësishme ta theksoj është që ky progres është për të gjithë qytetarët”, deklaroi Kurti.
Në këtë konferencë vjetore, Kurti tha se ekonomia e vendit është rritur mesatarisht rreth gjashtë për qind për pesë vjet. Ai shtoi se të hyrat buxhetore kanë tejkaluar shifrën 3 miliardë euro.
“Papunësia është edhe më shumë se e përgjysmuar. Mbi 85 mijë vende të reja të punës janë të regjistruara, eksportet janë dyfishuar, kurse investimet e huaja direkte janë rritur mbi dyfish krahasuar me qeveritë e kaluara. Qeveria mund të krijojë kushtet, por këto rezultate i keni prodhuar ju me punën, me rrezikun dhe inovacionin tuaj. Ne jemi munduar që mos t’iu pengojmë, e jo rrallë edhe t’iu ndihmojmë. Por ky sukses ju takon mbi të gjitha juve. Ju e bartni barrën e punësimit dhe jeni faktori kryesor i zhvillimit”, shtoi Kurti në këtë konferencë vjetore.
Kurti tha se gjatë qeverisjes sonë e kemi ulur barrën administrative, kemi digjitalizuar shërbimet, kemi reformuar legjislacionin për investime, konkurrencë, tregti dhe mbrojtje të konsumatorit, në harmoni që të gjitha këto me standardet e BE-së.
"Kemi mbështetur me dhjetëra miliona euro, garanci kreditore dhe programe për eksport mbi 1 mijë biznese prodhuese e eksportuese dhe kemi përkrahur qindra biznese të grave dhe të të rinjve”, shtoi Kurti.
Sipas tij, çdo vit në Kosovë po vijnë më shumë investitorë të huaj.
“Kompani nga rajoni, prej diasporës tonë, por edhe brenda që para pak vitesh nuk e dinin as ku është Kosova në hartë. Tash jo vetëm që e dinë, por shpesh ankohen për biletat e aeroplanit, të cilat po i pengojnë për nga çmimi, shumë më tepër se rregullat e tregtisë për nga përmasa, dhe kjo është shenjë e mirë. Kur transformohen ankesat, është sinjal i progresit”, deklaroi Kurti.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar mbetet sfidë. Ajo theksoi se industria prodhuese përbën shtyllën kyçe të zhvillimit ekonomik.
“Në vitin 2024 ekonomia e Kosovës regjistroi një rritje reale prej 4.4 për qind ku industria përpunuese luajti një rol të rëndësishëm në këtë rezultat pozitiv. Kontributi kryesor i vlerës së shtuar të prodhimit në bruto produktin vendor arriti në 13.1 për qind, një nivel mbi mesataren e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo tregon se industria e Kosovës po konsolidohet gradualisht si një sektor kyç për zhvillimin ekonomik dhe si bazë e rëndësishme për industrializimin e vendit. E vetëm gjatë këtij viti studimet dhe analizat që kryejmë nga MINT siç janë identifikimi i nevojave për fuqi punëtore të kualifikuar në industri, studimi i resurseve natyrore, analiza për industri qarkore dhe skemat mbështetëse për industri dhe harmonizimi i legjislacionit me direktivat evropiane me fushën e investimeve të qëndrueshme dhe të përgjegjshme ofrojnë një bazë për investim të mëtejshëm të industrisë”, tha ajo.
E ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të KIESA-s, Zef Dedaj tha se ndër vite ka pasur rritje të buxhetit.
“Kemi arritur që buxheti i KIESA në total, derisa ishte rreth 3 milionë euro deri në vitin 2021, ta kemi këtë vit 18.2 milionë euro, të gjitha të shpenzuara për sektorin privat. E po ashtu nga një skemë e vetme që ishte për mbrojtjen e prodhimit vetëm 15 milionë euro, kemi arritur deri 17.3 milionë euro, si dhe të shtohen edhe së paku pesë skema të tjera”, tha ai. /KP/









































