LAJMI I FUNDIT:

Kurti inauguroi rihapjen e linjës hekurudhore Hani i Elezit – Fushë Kosovë, Musliu: Mashtruesi në aksion

Kurti inauguroi rihapjen e linjës hekurudhore Hani i Elezit – Fushë Kosovë, Musliu: Mashtruesi në aksion

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, e ka kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti, i cili të shtunën përuroi dy tunele dhe rihapjen e linjës hekurudhore Hani i Elezit – Fushë Kosovë.

Musliu e ka quajtur Kurtin “mashtrues në aksion”, ndërsa ka thënë se nuk ka nevojë që të jesh inxhinier i ndërtimtarisë apo arkitekt për të konstatuar se tuneli është në fazën fillestare të punimeve.


Kurti “udhëton me tren”, provon rihapjen e linjës Hani i Elezit – Fushë Kosovë: Çast vendimtar për hekurudhën
Lexo po ashtu Kurti “udhëton me tren”, provon rihapjen e linjës Hani i Elezit – Fushë Kosovë: Çast vendimtar për hekurudhën

“Albin Kurti s’paska ditë çka me rrejt sot dhe paska dalë me inauguru rihapjen e tuneleve si pjesë e aksit të linjës hekurudhore Hani i Elezit-Fushë Kosovë. S’ke nevojë me qenë fare inxhinier i ndërtimtarisë apo arkitekt me e pa këtë video dhe me konstatu që ky tunel është në fazën fillestare të punimeve.

Armaturat jashtë betonit, rrjedha e ujit që shihet në tunel, mungesa e ndriçimit, mungesa e murit në hyrje të tunelit janë vetëm disa elemente që shihen qartë dhe të binë në përfundim se inaugurimi  është i parakohshëm. Çka e ka kaq për ngutë MASHTRUESI vetëm ai e di”, ka shkruar deputetja në Facebook.

Ndryshe, të shtunën u bë përurimi i tuneleve 6 dhe 7 dhe rihapjes së linjës hekurudhore Hani i Elezit – Fushë Kosovë.

Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Ndërmarrja Publike “Infrakos”, krahas kryeministrit Albin Kurti, morën pjesë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ambasadori italian në Kosovë, Antonello de Riu, shefi për Bashkëpunim nga Zyra e BE-së në Kosovë, Johannes Stenbaek Madsen, Drejtori i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Kosovë, Sergiy Maslichenko, Kryesuesja e Bordit të “Infrakos”, Edona Nahi, Kryeshefi i kësaj ndërmarrje publike, Naser Krasniqi, ambasadorë, zëvendësministra, deputetë, e qytetarë.

Duke e cilësuar këtë si një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe një çast vendimtar për hekurudhën në Kosovë, Kurti tha se “jemi këtu për të përuruar rindërtimin e linjës 10 që lidh Hanin e Elezit me Fushë-Kosovën, dhe për të rihapur në veçanti dy tunele, njëri me gjatësi 262 metra dhe tjetri me 122 metra, që kanë qenë të shembur tërësisht”. /Telegrafi/