Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul, me të cilin diskutoi mbi marrëdhëniet bilaterale, proceset integruese dhe zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon.

Në fillim të takimit, Kurti i uroi mirëseardhje ministrit gjerman dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pandërprerë të Gjermanisë ndaj Kosovës. Ai theksoi se partneriteti ndërmjet dy vendeve “është i rrënjosur në vlera të përbashkëta dhe vizion të përbashkët për një Evropë të qëndrueshme, demokratike dhe të sigurt”.


Sipas një komunikate të Qeverisë në detyrë, Kurti nënvizoi rezultatet e qeverisjes gjatë këtij mandati, duke përmendur rritjen ekonomike, forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe progresin në luftën kundër korrupsionit, të reflektuar edhe në raportet ndërkombëtare.

Ai ritheksoi se Kosova është e përkushtuar të thellojë bashkëpunimin me Gjermaninë dhe të avancojë drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Kurti theksoi se Kosova meriton statusin e vendit kandidat për BE, duke kërkuar që Komisioni Evropian të dorëzojë sa më shpejt pyetësorin e anëtarësimit.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua rolit të diasporës kosovare në Gjermani, duke vlerësuar kontributin e saj në rritjen e bashkëpunimit ekonomik, investimeve dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet dy popujve.

Në takim u trajtuan edhe zhvillimet në dialogun Kosovë–Serbi. Kryeministri Kurti rikujtoi se edhe më shumë se dy vjet pas sulmit terrorist në Banjskë, organizatori i dyshuar i këtij sulmi, Millan Radoiçiq, vazhdon të jetë i lirë në Serbi, ndërsa Beogradi zyrtar refuzon ta ekstradojë atë dhe grupin e tij, pavarësisht provave dhe aktakuzës së Prokurorisë së Kosovës. Sipas tij, kjo situatë paraqet ende rrezik për sigurinë e vendit.

Në fund, kryeministri Kurti e falënderoi ministrin Wadephul për vizitën, mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë dhe kontributin e trupave gjermane në kuadër të misionit të KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

Megjithatë, në këtë komunikatë, nuk përmendët asnjë qëndrim i ministrin Wadephul. /Telegrafi/