Bllokada në Kuvend, vazhdon takimi i Kurtit me liderët e partive parlamentare

Me përjashtim të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, të gjithë liderët e partive tjera parlamentare po marrin pjesë në takimin e thirrur nga kryeministri në detyrë dhe njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Kryeministri në detyrë dhe njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbërritur në Kuvendin e Kosovës për takimin e thirrur me liderët e partive politike.
Para hyrjes në ndërtesë, Kurti u deklarua shkurt për media, duke lënë të kuptohet se zhvillimet e takimit do të përcaktojnë edhe qëndrimet që do të ndahen me publikun.
“Tash po shkojmë në mbledhje. Së pari ta shohim kush po vjen, si po ecën, e mandej shpresojmë të kemi çfarë të themi”, u shpreh Kurti.
Pas tij, në Kuvend ka mbërritur edhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili nuk dha deklaratë para gazetarëve, por tha shkurt se do të prononcohet pas takimit.
Nga PDK, në takim po marrin pjesë, kryetari Memli Krasniqi dhe nënkryetarja Vlora Çitaku. Nga LDK, kryetari Lumir Abdixhiku dhe deputetja Hykmete Bajrami. AAK në takim po përfaqësohet nga Time Kadriaj. Nga Lista Guxo, Faton Peci. Alternativa po përfaqësohet nga Mimoza Kusari Lila dhe nga Nisma Socialdemorate, po merr pjesë kryetari Fatmir Limaj.
Poashtu të pranishëm janë edhe përfaqësuesit e subjekteve minoritare.
Ndryshe, Kurti ka ftuar për takim liderët e subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e legjislaturës së nëntë brenda afatit prej tridhjetë ditësh.
Lëvizje Vetëvendosje, Guxo e Alternativa po këmbëngulin në votim të fshehtë për zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryetare e re e Kuvendit, pasi kjo e fundit ka dështuar në gjashtë votime të hapura të merr besimin, teksa Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA po kërkojnë që votimit të jetë i hapur dhe gjithashtu po kërkojë ndryshimin e emrit të kandidati për kryetar të ri të Kuvendit.
Lëvizje Vetëvendosje, Guxo e Alternativa aktualisht nuk i kanë votat për zgjedhjen e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit. Kjo e fundit ka thënë se do të tërhiqet nga kandidatura nëse dështon të merr besimin në raundin e parë të votimit të fshehtë./Telegrafi/






































