Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) lidhur me certifikimin e subjekteve politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, deklaroi se është kundër certifikimit të Listës Serbe.

Nga ana tjetër, anëtarët e PDK-së në KQZ, Arianit Elshani dhe Ilir Gashi, theksuan se subjektet politike të regjistruara automatikisht gëzojnë të drejtën për certifikim sipas ligjit dhe rregullores për certifikimin e partive politike.


Elshani tha se nuk ka nevojë për vendim shtesë për subjektet e regjistruara dhe përmendi rastin e partive që kanë qenë në koalicione, si Nisma dhe AAK, të cilat duhet të kenë përmbushur të gjitha obligimet ligjore.

Ilir Gashi nënvizoi se rekomandimet e zyrës po sfidohen dhe kjo është në kundërshtim me ligjin, duke iu referuar nenit 16, pika 3, sipas të cilit partitë e regjistruara certifikohen automatikisht.

Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, sqaroi gjithashtu procedurën për subjektet që kanë qenë pjesë e koalicioneve, duke theksuar se sipas nenit 19, paragrafi 5 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjekti politik i koalicionuar pas përfundimit të mandatit gëzon të drejtën e fituar para themelimit të koalicionit.

Ai përmendi veçanërisht AAK-në, e cila si subjekt parlamentar përjashtohet nga pagesa e certifikimit dhe mbledhja e nënshkrimeve.