Laringiti është emri profesional për inflamacionin e mukozës së laringut (grykës), që shfaqet me ngjirje. Zëri është i dobët dhe, ndonjëherë, për shkak të inflamacionit nuk mund të flasim

Në shumicën e rasteve, laringiti është i përkohshëm dhe përmirësohet me pushim dhe kujdes bazë në shtëpi. Kur simptomat zgjasin më shumë se disa javë ose shoqërohen me dhimbje apo vështirësi në frymëmarrje, është e rëndësishme të bëjmë një kontroll.


Ka rol të rëndësishëm në krijimin e zërit dhe gëlltitje

Laringu është një lloj kalimi midis rrugëve të sipërme dhe të poshtme të frymëmarrjes. Ndodhet midis faringut dhe trakesë. Laringu ka rol të rëndësishëm në krijimin e zërit, por edhe në gëlltitje. Kur gëlltisim, një pjesë e laringut mbyll trakenë që ushqimi të shkojë në ezofag dhe jo në rrugët e frymëmarrjes. Menjëherë mbi laring ndodhet faringu (farinksi), një kanal muskulor që lidh hundën dhe gojën me trakenë dhe ezofagun.

- Laringiti thjesht do të thotë inflamacion i laringut, i njohur edhe si “kutia e zërit”. Laringu përmban kordhat e ndjeshme të zërit. Kur ato inflamohen, ënjten dhe ngurtësohen, prandaj vështirësohet krijimi i tingullit normal, thotë dr. Michael Lerner, laringolog në Yale Medicine, mjek i specializuar për çrregullimet e zërit.

Çfarë e shkakton laringitin?

Shkaku më i shpeshtë i laringitit është infeksioni i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, si ftohja, gripi ose COVID-19. Këto infeksione janë më së shumti virale dhe mund të shkaktojnë inflamacion të laringut dhe indeve përreth.

Dr. Majkl Lerner thotë se inflamacioni i mukozës së laringut mund të jetë edhe pasojë e mbingarkesës së zërit, të folurit të gjatë, të bërtiturit, brohoritjes ose këndimit. Laringiti shfaqet edhe te alergjitë ose si pasojë e tymit dhe ndotjes së ajrit. Ndonjëherë shkak është edhe sëmundja e refluksit laringofaringeal, kur, për shkak të kthimit të acidit nga stomaku, pepsinës dhe kripërave biliare në fyt dhe faring, si dhe dobësimit të sfinkterit të sipërm të ezofagut, shfaqen probleme. Pacienti jo gjithmonë ka urth; simptomat janë ngjirje kronike dhe ndjesia e “një topthi” në fyt.

Më rrallë, infeksionet bakteriale ose mykotike mund të shkaktojnë laringit. Laringiti mykotik është më i mundshëm te personat që përdorin inhalatorë steroidë. Pirja e duhanit dhe konsumimi i alkoolit gjithashtu mund të irritojnë laringun dhe t’i përkeqësojnë simptomat.

- Edhe pse kanceri i fytit nuk është shkak tipik i laringitit, ngjirja e vazhdueshme ose dhimbja në fyt duhet gjithmonë të hetohet me kujdes. Ne bëjmë skrining për kancer kur simptomat nuk tërhiqen ose kur janë të pranishme edhe shenja të tjera shqetësuese, thotë dr. Lerner, transmeton Telegrafi.

A mund të shkaktojë laringit të folurit e tepërt?

Po, përdorimi i tepruar i zërit mund të çojë në një lloj dëmtimi që quhet fonotraumë, thotë mjeku. Personat që, për shkak të punës, flasin shumë, si mësuesit, prindërit, trajnerët, aktorët dhe këngëtarët, mund të zhvillojnë ndryshime të zërit pas të folurit shumë të gjatë, sidomos kur përpiqen të mbulojnë zhurmën e ambientit.

- Kur flasim ose këndojmë, kordhat e zërit përplasen dhe vibrojnë vazhdimisht, shpesh edhe qindra herë në sekondë. Këto përplasje të përsëritura mund të shkaktojnë ënjtje, ngjashëm si dëmtimet e nyjeve ose të muskujve nga mbingarkesa, shpjegon dr. Lerner.

Si diagnostikohet laringiti?

Laringiti zakonisht diagnostikohet në bazë të simptomave dhe ekzaminimit fizik. Kur simptomat janë afatgjata ose të paqarta, mjeku mund t’ju drejtojë te specialisti i veshit, hundës dhe fytit (ORL).

Ekzaminimet e specializuara mund të japin më shumë të dhëna. Laringoskopia mund të jetë indirekte dhe direkte. Indirektja është pjesë e kontrollit otorinolaringologjik dhe përdor pasqyrën laringeale.

Direktja përdor instrumente optike, si pajisje endoskopike fleksibile ose të ngurta me dritë dhe kamerë në fund, që japin pamje më të detajuar të strukturave në fyt.

Si trajtohet laringiti?

Trajtimi varet nga shkaku, ndërsa masat konservative zakonisht mjaftojnë që zëri të rikthehet. Këshillohet pushim i zërit sa më shumë që të jetë e mundur dhe marrje e mjaftueshme e ujit. Ndihmojnë edhe lagështuesit e ajrit, ndërsa duhet shmangur tymi i duhanit.

Mjekët theksojnë se antibiotikët përdoren vetëm kur vërtetohet infeksioni bakterial. Kur refluksi kontribuon në simptoma, ndryshimet në stilin e jetesës dhe medikamentet kundër refluksit mund të ndihmojnë.

Karamelet që përmbajnë mentol, te disa persona, mund të shkaktojnë irritim dhe shpesh është më mirë të shmangen.

Kur është e nevojshme të vizitojmë mjekun?

Në shumicën e rasteve, zëri kthehet pas dy deri në katër javë. Nëse ngjirja zgjat më shumë, duhet të kërkojmë ndihmë profesionale.

Rekomandohet të vijmë për kontroll nëse ngjirja zgjat më shumë se katër javë, nëse kemi simptoma dhimbjeje në fyt, vështirësi në gëlltitje ose në frymëmarrje, ose nëse shpesh humbim zërin pa një shkak të qartë. Në këto situata nevojitet hetim më i detajuar, thotë dr. Lerner.

Si mund ta parandalojmë laringitin?

Masat bazë parandaluese janë larja e shpeshtë e duarve për të ulur infeksionet virale. Duhet të shmangim duhanpirjen dhe ekspozimin pasiv ndaj tymit të duhanit. Nëse flasim ose këndojmë gjatë, këshilla është të heshtim sa herë që është e mundur dhe të shmangim të bërtiturin ose të pëshpëriturin.

Në rast të kthimit të acidit, shmangni ose kufizoni vaktet e vona të mbrëmjes, si dhe shtrirjen menjëherë pas ushqimit dhe ushqimet e tharta. /Telegrafi/