Zgjedhjet e organizuara nga qeveria e Kosovës ishin zgjedhjet më të këqija të organizuara ndonjëherë. Kompanitë e benzinës, materieve elektrike dhe llamarinës ishin bërë transportuese të votave. Si duket mbijetesa e një partie politike mbetet më e rëndësishme se sa shteti i Kosovës. U sakrifikua imazhi i Kosovës si një vend që organizon zgjedhje të lira dhe demokratike.

Në të gjitha takimet e ndryshme bilaterale ku është diskutuar njohja e Kosovës nga miqtë tanë, SHBA dhe Britani e Madhe, arma më e fuqishme pozitive e argumenteve të tyre kanë qenë pikërisht organizimi dhe mirëvajtja e zgjedhjeve demokratike në të kaluarën. Në këtë rast, fatkeqësisht,si duket disa partive politike, ardhmëria e Kosovës nuk iu intereson.


Mos u habitni se si gati të gjitha shtetet demokratike në botë na e kanë njohur këtë pavarësi. Ishin pikërisht proceset e rëndësishme demokratike, si të ato të zgjedhjeve që kishin lënë një përshtypje të shkëlqyer tek faktori ndërkombëtar si një e arritur e pamohueshme e Kosovës në zhvillim e demokracisë së saj.

Kurse, sot, për herë të parë Kosova po përjeton një deficit të rëndësishëm negativ demokratik. Celulat e arrogancës së partive politike që pastaj u shoqëruan me dhunë gjatë kampanjës elektorale e pastaj presionit dhe parregullsive në qendra të votimeve nga anëtaret kyç të partive politike që janë pushtet, mund ta vulosin fatin e Kosovës në 10 vitet e ardhshme.

Kjo është një shuplakë e fuqishme negative kundër atyre që na ndihmuan më së shumti. Jam më se i sigurt që e kemi humbur shansin për të arritur edhe 30 njohje që na duhen së paku deri ne fund vitit të ardhshëm. Njerëzit që kanë punuar shumë për Kosovën, pavarësinë e saj, janë disi të zhgënjyer nga tradhtia e partive në pushtet të cilët nuk e mbajtën fjalën se do të ketë zgjedhje të lira edhe më të mira se në të kaluarën.

Qeveria e Kosovës, gradualisht po e humb përkrahjen ndërkombëtare dhe Kosova në muajt që vinë edhe do të mund të izolohet. Faktorët që kërkojnë vazhdimin e implementimit të 6-pikëshit dhe nënshkrimit të protokolleve të EULEX-it me Serbinë do të punojnë më lirshëm.

Kundërshtimi i Qeverisë Thaçi dhe partive politike që vazhdimisht po shkaktojnë rritje të deficitit demokratik, e theksuar sidomos në zgjedhjet e fundit, nuk do te jetë edhe aq frytdhënës sepse varësia jonë në faktorin ndërkombëtar edhe më tej do të thellohet. Varësia që reciprokisht do të thotë vazhdim i pasurimit personal të politikanëve, e fenomene të tjera kriminale do të mbeten ende shumë më të rëndësishme se sa partia, e le më shteti.

Humbja e një partie nuk është edhe aq fatkeqe dhe tragjike sa humbja subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Por, aktiviteti kriminal është shumë më i fuqishëm dhe përfitues për këta politikanë për pasurimin e mëtejmë të tyre. Nuk është e rëndësishme nëse Kosova mbetet e izoluar apo jo. Edhe Serbia, një shtet fqinj, organizon zgjedhje në Kosovë, tërësisht të papenguara nga shteti i Kosovës. Organet kriminale paralele të Serbisë ende punojnë lirshëm, në prani të organeve shtetërore të Kosovës.

Sivjet zbritëm për 40 shtete në listën e lirisë së shtypit. Tatëpjeta veç po vazhdon. Raporti i Këshillit Evropian ishte më i keqi ndonjëherë edhe pse ishte shumë më kompletuar se sa i kaluari. Korrupsioni dhe krimi i organizuar është pjesë e këtij shteti. Ky shtet nuk e njeh vetveten, organet e saj, por si duket vetëm organet e kriminale te saj.

Dërrmimi i këtij shteti po vazhdon me ritëm të pandalshëm edhe ne aspektin e sovranitetit. Decentralizimi që po tenton të legalizohet me këto zgjedhje, që është ndarje de-jure e Kosovës është procesi tjetër që këta politikanë e përkrahën,e që po dëshmohet se ishte një sakrificë sa për ta ruajtur aktivitetin e tyre kriminal.

Jeta e qytetarit të Kosovës çdo ditë e më shume po degradohet. Papunësia dhe varfëria e madhe vazhdon. Qytetet e Kosovës, po shndërrohen në slums - xhungla urbane që zhvillimi i tyre po degradohet nga papunësia dhe mungesa e shërbimeve lokale administrative.

E sot, zgjedhjet, organizimi i tyre i shoqëruar më dhunë dhe parregullsi janë një dëshpërim total. Si një qyttear që e jap kontributin tim në një forme tjetër për shtetin e Kosovës, jam tejet i indinjuar nga ky dështim politik që sot e mori Kosova. Si shtet, ne sot ngelëm. Viti i ardhshëm mund të mbetet riprovim, por pasojat e të dështuarit, ne të gjithë i dimë.