Shumë nga ju i keni lexuar Agata Kristin, Leon Tolstojin, Shekspirin, po ashtu keni parë filma të Spilbergut e James Cameronit. Tregimet e këtyre ngjarjeve kanë lënë gjurmë të thella në mendjen tonë. Ende diskutojmë për “Gjeneralin...” e Kadaresë apo edhe për një dashuri të pamundur diku në një fshat në rrethinën e një qyteze në Angli. Por kurrë s’kemi menduar që këta “heronj” janë thjesht të trilluar, fiktivë.

Edhe shkrimi im ka të bëjë me një legjendë. Nuk dua t’ju them që është e vërtetë, sepse, nëse rastësisht dikush e lexon këtë pas 50 vjetësh, do të mendojë se kjo është një përrallë dhe natyrisht për mua do të thonë se jam i çmendur. Por ja… na ishte njëherë… një ndeshje futbolli, Napoli-Milan. Derbi i Italisë? Jo! Derbi i Evropës! 100 mijë tifozë. Të gjithë brohorisin Maradona, Maradona dhe Maradona!
Ishte ai historia. Emri i tij ishte himni kombëtar i qytetit napolitan, i shtetit argjentinas. Por tregimi im ka të bëjë me një djalë të ri atëherë, shtatlartë. Shikim i mprehtë! Ishte djali i Cesares. Falë babait tij ai ishte aty (gazetarët thoshin), ai nga bankina kishte nderin ta shikonte një ndeshje kaq të madhe. Por tregimi këtu merr përmasa anormale. Shih fatin, një lojtar “me përvojë” i Milanit lëndohet. Trajneri kuqezi pa hezitim thërret këtë djalin e Cesares.

Shikuesit qeshin, Maradona ndjehet i poshtëruar, një fëmijë do ta ruante në vazhdim të ndeshjes. Megjithatë më ironi qeshi. Eh sa shakanë do ta bënte me këtë djalin e ri. Por, shou përfundoi pas 28 sekondash, Maradona ndal topin, por... e di që nuk do të ma besoni brenda një sekonde e sheh veten mbi reklamat e San Paolos. Djali i ri, ia kishte marrë topin, pa faull. Tifozët prisnin që dikush t’i zgjonte nga gjumi, sepse në realitet kjo nuk bënte të ndodhte. Por ndodhi!

Djali quhej Paolo. Për tërë ndeshjen Maradona nuk mund ta prekte topin. Tani ky djalë më nuk njihej si djali i Cesare Maldinit. Bota do ta njihte Cesaren si babai i Paolo Maldinit. Paolo nuk ishte as yll, as legjendë, as mbinjeri ishte diçka më shumë. Por çfarëdo të thuash për të, përkufizimi mbetet i mangët, sepse është më pak nga ajo që ai ishte.

Thonë së njerëzit që kanë jetuar në kohën e luftës së Trojës janë krenuar që përjetuan kohën e Akilit. Të tjerët janë krenuar që kanë jetuar në kohën kur Aleksandri i Madh ka pushtuar botën.