Kur Mal i Zi nderon autorin e vargjeve “Kur ushtria kthehet në Kosovë”

Pesë vjet pas vdekjes së mitropolitit serb, Amfilohije, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, vendosi ta nderojë atë me urdhrin më të lartë shtetëror. Është ky një akt që në letër paraqitet si kujtesë për “kontributin shpirtëror e shoqëror”, por që në realitet ngre pyetje të mëdha për drejtimin politik dhe moral të Podgoricës. Kur Mali i Zi e shpërblen me “nderim shtetëror” njeriun që jo vetëm fyente dhe nxiste urrejtje ndaj të tjerëve, por edhe e shpërfytyronte anatominë e trupit të Llazar Hrebelanoviqit për kusure të mitit serb, çfarë mesazhi u dërgohet sot fqinjëve dhe vetë qytetarëve të Malit të Zi me këtë gjest simbolik dhe politikisht të ngarkuar? Ky akt shkon plotësisht në shpërputhje me promovimin e politikave të fqinjësisë së mirë si bazë për stabilitet dhe zhvillim, por edhe për paqe dhe integrim euroatlantik.
Mali i Zi, përveç anëtarësimit - vite më parë - në NATO, synon që deri në vitin 2028 të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Urdhri më i lartë shtetëror që iu nda autorit të vargjeve “Kur ushtria kthehet në Kosovë”, duket të jetë më i sinqertë sesa ndjekja e politikave paqësore e integruese të Malit të Zi.
T’i kthehemi autorit dhe vargjeve luftënxitëse “Kur ushtria kthehet në Kosovë”. Në pranverën e vitit 2023, ato u shfaqën si murale në Serbi me një investim financiar prej 217 000 eurosh nga Ministria e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës e Serbisë, për pikturimin e tyre kudo e në çdo mur publik! Për krenari të tyre, në rrjetet shoqërore ishte lajmëruar edhe grupi i tifozëve “Ylli i Kuq” në Beograd, pasi ata ishin shkruesit e shumicës së atyre fjalëve, duke i bërë me shpenzime vetanake. Për të ndarë përgjegjësinë si çështje përbashkuese nga ky grup, thanë se muralet e para të “pikturuara” me ato fjalë ishin bërë nga tifozët e Klubit Futbollistik “Partizani”, me cilësimin se kjo është çështje serbe e cila qëndron mbi secilën ndasi!
Amfilohije Radoviq, që lindi më 1938 në Moraçë të Ulët të Komunës së Kollashinit në Mal të Zi, ishte Mitropolit i Mali të Zi dhe Primorjes, pjesë e Kishës Ortodokse Serbe. Ai vdiq nga virusi Kovid-19 në tetor të vitit 2020. Procesioni i varrimit u përcoll me tensione për shkak të pandemisë dhe, pavarësisht që kishte vdekur nga Kovidi-19, fytyra e tij ishte ekspozuar dhe ndjekësit e tij e puthnin pa u ndalur. Kjo ngjarje pati edhe mbulueshmëri të madhe mediale, përcjellë me shumë kritika për mosrespektim të rrethanave të jashtëzakonshme në të cilat po kalonte bota.
Mitropoliti Amfilohije kishte vizituar Kosovën për vite me radhë, mirëpo të dokumentuara janë vitet 1999, 2008, 2012, 2015 e 2018 - për shkak të jehonës publike e mediatike që patën - mbështetur edhe nga fjalimet e tij nxitëse. Të gjitha ligjëratat e tij si shërbyes liturgjie, ishin të ngarkuara dhe dita e Shën Vidit ishte rasti i përshtatshëm për t’i folur masës për kombin dhe për fenë serbe. Serbia qiellore, Mallkimi i Llazarit, Beteja e Kosovës, si dhe mitet e tjera në Vidovdan shkojnë “si hallva”! Në Vidovdanin e 2018-ës, si mysafir në cilësinë e shërbyesit të liturgjisë së shenjtë, Amfilohije përdori predikimin e rregullt për të mbajtur edhe një leksion të shkurtër “anatomie” të trupit të Llazar Hrebelanoviqit. “Ta vësh në referendum kokën e Llazarit, këtë mund ta bëjë vetëm dikush që nuk ka mend, nuk ka dituri, nuk ka njohuri, as mençuri, sepse Kosova është koka e Llazarit, kurse trupi i tij ndodhet në Ravanicë. Kjo pjesë tjetër e Serbisë është trupi i Llazarit” - predikoi “shërbyesi” i Zotit, Amfilohije. Mesazhi i tij “anatomik” i hutoi krejtësisht adhuruesit e relikeve të shenjta, pasi mbetjet e trupit të princ Llazarit ndodhen realisht në Ravanicë, në Komunën e Çuprisë në Serbi - dhe atë bashkë me kokën. Edhe më shumë huton vazhdimi i predikimit të mitropolitit: “Të heqësh dorë nga koka e Llazarit, do të thotë të mbetesh pa kokë dhe të heqësh dorë nga vetja dhe nga qenësia jote”. Figura e zemrës, kokës, këmbës dhe gishtit, përdorur në përshkrimet mtiologjike kristiane, është shumë e shprehur në shërbesa dhe nuk befason.
Amfilohije Radoviq, në librin e tij të botuar në vitin 2010 dhe ribotuar disa herë më pastaj me titull “Kosova është koka e Llazarit”, nxjerr e shtrembëron gjithçka në emër të metaforës bindëse për mitin e Kosovës. Ky libër është shkruar edhe si përpunim i lirë i këngës kishtare e popullore: 415 faqe të cilat në emër të ortodoksisë së krishterë serbe nxjerrin vrer ndaj secilit identitet tjetër, përveç “serbit qiellor”, janë në ciklin e fantazive të njohura të historiografisë serbe. Në njërën nga këngët popullore serbe, “Ječam žela kosovka devojka“ (Vajza kosovare korr elbin), figura është te vajza e cila elbin e korrur e ruan për kuajt te të cilët, shpreson ajo, do të vijë - së bashku me dasmorët - edhe “Vajza kosovare”. Ndaj i thotë elbit: “Kuajt e dasmës kanë për të të ngrënë”! Amfilohije e ndryshon këtë, në mënyrë që në këngën e tij “Vajza kosovare” të mos dalë se është duke pritur dasmorë me kuaj, por xhandarë, më saktë konjanikët serbë për kuajt e të cilëve ajo e ruan elbin që ka korrur me mund: “Kuajt e kalorësve kanë për të të ngrënë / kuaj të zi të ushtrisë së shquar serbe”.
Tani, vajza të cilën Amfilohije e ka zgjuar në vetëdijen kombëtare dhe e ka larguar nga dëshira “banale” për martesë, ndërlidhet me “kad se vojska na Kosovo vrati“ (Kur ushtria kthehet në Kosovë). Për më tepër, ajo e sheh qartë se si do të lëviz ushtria serbe përmes Kosovës. Nuk dëshiron të anashkalojë asnjë vend të lavdishëm të historisë serbe, kështu që “do të vijë para kishës së Samadrexhës / do t’u jap ujë kuajve në Sitnicë / do të kalërojë drejt Gazimestanit / dhe do të mbërrijë tek i famshmi manastir i Deçanit / te kisha perandorake e Graçanicës / pastaj tek e shenjta Pejë e bekuar / dhe te qyteti perandorak i Prizrenit” [pred crkvu Samodrežu dođe / napoji konje na Sitnici / projezdi pro Gazimestana / i dojezdi do slavnih Dečana / i do carske larve Gračanice / i do Pećke presvete Krasnice / i Prizrena grada carevoga].
Dhe, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, për shtrembëruesin e tekstit të një kënge popullore, në të cilin pritja e dasmorëve është kthyer në pritje të ushtrisë, nuk mund të kuptohet ndryshe përveçse si thirrje kundër paqes kur mitropolitit serb, Amfilohije i ndan Urdhrin më të lartë shtetëror të Malit të Zi. Ndërsa, ata që shkruajnë atë varg të Amfilohijes në murin pranë fushës së lojërave për fëmijë, e dinë plotësisht se veprojnë në përputhje me raison d’être të politikave nacionaliste, pa e qarë kokën për gënjeshtrat që kullojnë në historinë e tyre!









































