LAJMI I FUNDIT:

Kur humb besimi, dështon synimi

Kur humb besimi, dështon synimi
Ilustrim

Ilir Seferi

Samiti i Dytë i Diasporës ishte i jashtëzakonshëm. Diaspora vërshoi rrugët e Tiranës. Diaspora e do Shqipërinë të cilën e thërrasin Nënë. E kush është ai apo ajo që nuk e do nënën?

Si pjesëmarrës në këtë Samit, besuam se kësaj radhe Qeveria shqiptare do të bëjë hapin e duhur në ngritjen e besimit të dyanshëm – mes Qeverisë dhe Diasporës. Dashuria kurorëzohet në saj të besimit të ndërsjellët. Bashkëshortët krijojnë familje, sepse i besojnë njëri-tjetrit. Edhe paraja që është prodhim letre e ka vlerën e saj. Qeveritë e vendeve prej nga shtypen paratë garantojnë se ajo letër ka një vlerë të caktuar, baras me shumën e shënuar në të. Pra, duke i besuar asaj vlere ne e përdorim dhe shkëmbejmë mallra me vlerë, pra blejmë dhe shesim.

Duke i pasë parasysh këto gjëra, ia bëj vetes këtë pyetje: pse ky hendek mes të Diasporës dhe qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës?

Mungon besimi.

Diaspora e do vendin e origjinës e edhe qeveritarët e duan Diasporën. Kështu së paku shprehen. Mirëpo, ka diçka që nuk shkon mbarë. Qeveritë nuk e besojnë Diasporën dhe Diaspora nuk ua ka besën qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës. Për më keq, këto qeveri nuk e besojnë njëra-tjetrën. Edhe pse kanë nënshkruar marrëveshje, ato kanë mbetur në letër si reklama para kamerave. Nuk ka asgjë konkrete, sepse mungon besimi. Ky besim mungon si pasojë e jetesës së popullit në një sistem antikombëtar, në dy shtete të orientuara në drejtime të kundërta.

A mund te rifitohet besimi, kur dihet që ne jemi të një gjaku?

Që të rifitohet besimi duhet të kemi guxim.

A ka sot shqiptarë të guximshëm, që ia ofron vendin atij që e meriton dhe punon, që ta bëjë pastaj partner të besueshëm?

Fillimisht, neve shqiptarëve që jetojmë Diasporë na u duk se ka guxim kryeministrit i Shqipërisë, Edi Rama, duke ofruar dy vende ministrash për dy shqiptarë të Kosovës. Të entuziazmuar nga ky vendim, shpresuam shumë se edhe ata të Kosovës do të bëjnë një hap të tillë, duke emëruar ministra nga Shqipëria. Mirëpo, harruam se Kosovën e udhëheqin shumë parti që kanë stërngarkuar administratën shtetërore e nuk po ia dalin t’i rehatojnë përkrahësit e tyre!

Emërimi i shqiptarëve nga Shqipëria në Qeverinë e Kosovës do të shihej si një tortë. E, qershia mbi këtë torte do të ishte sikur të dy qeveritë të kenë ministra nga Diaspora.

Por, kryeministri i Kosovës u beson vetëm atyre që ia kanë zënë “bishtin më derë” dhe janë në koalicion apo janë familjarë, bashkëpartiakë të tij. Ndaj, Kosova është vendi më i izoluar në Evropë. Të rinjtë nuk duan të qëndrojnë në Kosovë. Qeveria nuk i beson Diasporës e as rinisë, por as rinia e as Diaspora nuk beson në këtë qeveri.

A nuk pritëm mjaft? 20 vjet në paqe? A ka Diaspora njerëz që duhet besuar? Kush mund t’i besojë Diasporës? A ka filluar Shqipëria të ndryshojë për të mirë?…

Këto janë disa nga pyetjet që shtrohen kur takon miq.

Diaspora ka dërguar të holla para luftës, duke mbajtur gjallë sistemin paralel të Kosovës! Diaspora ka dërguar para gjatë luftës duke mbajtur gjallë luftën e UÇK-së! Diaspora ka dërguar para pas luftës, duka e rindërtuar atë. Diaspora në vazhdimësi dërgon remitenca pothuajse në vlerë të njëjtë sa është edhe buxheti i Kosovës!

Ku është çelësi i zgjidhjes?

Peticionet, samitet, mbledhjet, tubimet, investimet nuk e bëjnë Diasporën subjekt, por objekt të atyre që udhëheqin me vendin. Nëse as pas 20 viteve partitë politike në vend nuk besojnë te Diaspora, duke e anashkaluar atë në çdo vendim, i vetmi mjet që i ka mbetur asaj është krijohet Lista Diaspora për të konkurruar në zgjedhjet e lira.

Evropianët edhe ashtu gjithnjë ankohen se nuk kanë partner kredibil në Kosovë. I vetmi subjekt kredibil në Kosovë besoj se do të ishte Diaspora. Besimi i ka rrënjët në guxim, ndërsa guximi i ka rrënjët në mirëqenie.

Diaspora guxon.

(Autori është nënkryetar i Fondacionit BESA në Bajern të Gjermanisë; anëtar i grupit punues të presidentit të Paneuropa-s, Bernd Posselt; si dhe biznesmen i suksesshëm në fushën e hotelierisë dhe turizmit)

Në trend

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Botë
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Kalo në kategori