Jose Mourinho i ka bërë një nderim të përzemërt sulmuesit të Liverpoolit, Diogo Jota, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident automobilistik në veri të Spanjës, të enjten.

Futbollisti 28-vjeçar portugez u kujtua si një lojtar i përulur dhe i talentuar, i cili kishte kapërcyer shumë vështirësi për të arritur majat e futbollit botëror.


Mourinho, që ndajti të njëjtën trashëgimi kombëtare me Jotan, foli për Sky Sports të premten, ku lavdëroi karakterin dhe përulësinë e lojtarit.

“Kur njerëzit largohen nga kjo botë, zakonisht të gjithë thonë: ‘Ishte një njeri i mirë’. Por, Diogo ishte me të vërtetë një njeri i mirë”, deklaroi Mourinho.

Trajneri i njohur portugez theksoi rrugëtimin e jashtëzakonshëm të Jotas drejt suksesit, duke vënë në dukje se ai nuk e pati të lehtë.

“Ai kishte agjentin tim, ishte pjesë e strukturës sime, kështu që sigurisht e njihja mirë. Dhe njerëzit te Liverpool e dinë se ajo që po them është e vërtetë".

"Ai ishte një djalosh për të cilin asgjë nuk ishte e thjeshtë — ai duhej të luftonte për të arritur aty ku ishte.”

Mourinho gjithashtu shprehu tronditjen dhe dhimbjen e thellë për humbjen tragjike të Jotës dhe të vëllait të tij, të cilët vdiqën në të njëjtin aksident.

“Tre fëmijë që mbeten pa baba, një grua e re që humb burrin, prindër që humbasin të dy djemtë — është çmenduri. Është e vështirë për t’u kuptuar.

"Ndoshta një ditë do ta kuptojmë, por jo tani”, përfundoi ai me emocione. /Telegrafi/

telegrafi sport app