Kur dhimbja nuk duket në analiza dhe sfida e pranimit të migrenës si diagnozë – sqaron neurologu Blerim Myftiu

Shpesh, pacientët ndihen më të lehtësuar kur dhimbja që përjetojnë lidhet me një shkak të qartë dhe të verifikueshëm – për shembull, një tumor i zbuluar përmes rezonancës magnetike. Edhe pse diagnoza mund të jetë e rëndë, fakti që ekziston një shpjegim konkret ofron një lloj qetësie: dhimbja ka një arsye.
Kështu tha neurologu Blerim Myftiu gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital ku tregoi se në praktikën klinike përballen shpesh me një tjetër realitet – më të vështirë për t'u pranuar nga pacientët.
Ai theksoi se kur analizat e gjakut dhe imazheritë dalin normale, por simptomat përputhen saktësisht me kriteret për migrenë, shumë persona vazhdojnë të mos ndihen të bindur nga diagnoza.
“Nëse dikujt i zbulohet tumor pas disa ditësh dhimbje koke, për sa i rëndë të jetë lajmi, personi sërish e pranon më lehtë, sepse e kupton se pse po i dhemb koka. Por, kur për pesë vite me radhë një person përjeton të njëjtën dhimbje – të njëanshme, me ndjeshmëri ndaj dritës, zhurmave apo aromave, shpesh me të përziera dhe vjellje, sidomos gjatë ciklit menstrual – dhe të gjitha analizat rezultojnë normale, është shumë më e vështirë që të pranojë se bëhet fjalë për migrenë”.
Sipas tij, këto karakteristika janë tipike për këtë gjendje neurologjike, dhe mjaftojnë për të vendosur diagnozën.
“Disa pacientëve nuk u mjafton që përshkrimi përputhet me migrenën – vazhdojnë të thonë ‘po unë kam ende dhimbje koke’ ”, shton ai, duke nënvizuar sfidën e madhe që qëndron jo vetëm në diagnostikimin, por sidomos në pranimin e një diagnoze që nuk mbështetet në prova të dukshme laboratorike apo imazherike.
Ky podcast mbështetet nga United Hospital. /Telegrafi/
































