Komuna e Lipjanit ka bllokuar njërën kursi të rrugës “Gjergj Fishta” në qendër të qytetit duke i vendosur auto-taksitë që të parkohen, por kjo ka shkaktuar kolona të gjata në këtë rrugë, pasi që aty gjendet shkolla fillore “Vëllezërit Frashëri”. Frekuentimi i qytetarëve dhe i prindërve për t’i sjellur fëmijët në shkollë është mjaftë i madh, prandaj kolonat e gjata të veturave po e vështirësojnë qarkullimin e një pjese të madhe të qytetit.

Lumturije Bytyqi- Hasani, kuvendare nga radhët e PDK-së, ka thënë për Telegrafin se kanë reaguar edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal pak ditë më parë, për t’i larguar auto-taksitë nga ky lokacion, pasi që sipas saj është bllokuar një pjesë e madhe e qytetit duke shkaktuar kolona të gjata.


“Prania e taksive në këtë lokacion ka përkeqësuar ndjeshëm trafikun, veçanërisht gjatë orëve të mëngjesit dhe pasdites, kur nxënësit hyjnë dhe dalin nga shkolla. Vendosja e taksive në rrugën ”Gjergj Fishta” është gabim i madh. Po ashtu, këtuafër taksive janë edhe semaforët dhe po shkakton kolona të tmerrshme”, ka deklaruar Bytyqi Hasani.

Asamblistja Hasani gjithashtu ka bërë të ditur se ka pranuar ankesa nga prindërit e nxënësve të shkollës dhe çerdhes publike që ndodhet në afërsi, të cilët kanë shprehur shqetësimin për kaosin e krijuar në trafik dhe për sigurinë e fëmijëve.

“Duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga Komuna e Lipjanit, apelojmë për largimin e taksive nga kjo rrugë dhe gjetjen e një lokacioni më të përshtatshëm. Komuna duhet të marrë masa që të heqë urgjentisht”, ka shtuar ajo.

Po ashtu rreth kësaj çështje ka pasur reagime edhe nga prindërit

“Më shumë se 20 minuta po i humbim në kolonë pranë shkollës fillore sepse vendosja e auto-taksive në njërën kursi të rrugës, ka bërë tollovi në komunikacion. Komuna është dashur ta mendon këtë çështje sepse këtu ka frekuentim të madh të qytetarëve që vijnë për t’i sjellur fëmijët në shkollë”, ka thënë A.H, prindër.

Në anën tjetër, komuna e Lipjanit nuk u është përgjigjur pyetjeve të Telegrafit, lidhur me këtë çështje./Telegrafi/