Kultura politike dhe shenjat identitare
Kohë më parë një hulumtim i cili përveç tjerash synonte të nxirrte një rezultat për formën në të cilën mbështetej elektorati i partive politike, theksoi një fakt tepër interesant: LDK-ja, doli të jetë njëra nga partitë e rralla elektorati i së cilës besonte fuqishëm në programin e saj. Madje, mbi 60 për qind e tyre e theksuan programin e saj si vlerë identitare me të cilën donin të identifikoheshin.
Meqë teoria e identitetit politik njeh anëtarësinë, liderin, dhe programin si vlera identitare, kurse rajonalizmin, karakterin etnik dhe atë gjuhësor si pjesë të përkatësisë së votuesve, besimi në programin përpara se në anëtarësinë ose në liderin, si dhe përpara karakterit etnik ose atij gjuhësor, sado i pakapshëm mund të duket, shpreh qartë një segment të kulturës politike të cilën LDK-ja e ka kanonizuar në programin e saj nacional, i cili është mbështetur në vlerat tradicionale dhe i cili është trashëguar si vlerë e përbashkët me të cilën qytetarët e Kosovës duan të identifikohen.
Kjo e dhënë bëhet veçanërisht e rëndësishme nëse kemi parasysh faktin se tradicionalisht në Kosovë partitë politike funksionojnë duke u mbështetur në forma të tjera dhe jo në programin politik. Për të provuar një shpjegim të këtij hulumtimi, le ta krahasojmë kulturën politike të cilën LDK-ja e ka trashëguar nga vitet ‘90, duke e ballafaquar atë me shenjat ideologjike dhe me filozofinë politike të cilën e ka kultivuar për dy dhjetëvjetësha, filozofi e cila prek ideologjinë e saj.
Pyetjen mund ta artikulojmë kësisoj: çfarë ka ndikuar që LDK-ja të krijonte te elektorati i saj tradicional një besim kaq të madh në programin e saj, nëse ajo është themeluar si lëvizje për pavarësi dhe nëse ajo është afirmuar si artikuluese e vullnetit qytetar për liri dhe, më tej akoma, si lëvizje e solidaritetit të gjerë qytetar?
Para së gjithash, fakti se ajo është krijuar si parti me orientim nacional, e cila synonte hapur ta përmbyste ideologjinë komuniste dhe të ndërtonte një sistem vlerash sipas rendit demokratik. Kjo ndikoi që filozofia e saj politike, si dhe koncepti realist për zëvendësimin e ideologjisë komuniste, të zëvendësohej me një sistem të papërsëritshëm në të cilin bërthama intelektuale-kulturore, e cila ishte edhe bërthamë strukturore e saj, u identifikua plotësisht me vetëdijen për përfaqësim politik mbi një sistem vlerash. Ajo e artikuloi këtë qëndrim duke e theksuar se karakteri kulturor, i mbështetur në premisa nacional-kulturore, do të jetë thelbi i veprimit drejt lirisë universale.
Theksimi i identitetit nacional, i kulturës dhe i vlerave të traditës ishin dhe mbeten premisa për programin politik të LDK-së. Vetë dr. Rugova i kërkonte dhe i kultivonte me pasion arketipat e kulturës dhe të identitetit shqiptar. Njohja dhe identifikimi me figurat e mëdha të kulturës e të historisë kombëtare i shërbyen atij si premisa për ta ndërtuar një model të veçantë të kërkimit të identitetit personal në arealin e madh të kulturës e të dijeve nacionale. Prijësi nacional i shqiptarëve mbështetej fort në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike si vlerë nacionale dhe në mundësitë e ripërtëritjes së saj sipas normave të modernitetetit, duke nënkuptuar edhe një situatë të kapërcimit nga ajo që po e quajmë këtu idealitet kulturor në vizionaritet politik, pra nga leximi i shenjave nacional - kulturore e i paradigmave të tyre në artikulim të mendimit politik dhe të një strategjie vepruese që nënkupton edhe përfshirjen e kodeve të mëdha vepruese.
Nuk ishte aspak e rastësishme pse ai mbështetej në figurat e heroit nacional të shqiptarëve, Skënderbeut, dhe në shëmbëlltyrën morale të cilën e përfaqësonte Nënë Tereza. Përmes tyre, ai i shpaloste paradigmat e ekzistimit të kodeve kulturore e nacional-kulturore, të cilat u shndërruan shpejt në premisa për program politik. Kuptimi për trashëgiminë nacionalo-kulturore këtu prek kujdesin enorm ndaj vlerave të përbashkëta, ose atë që po e quajmë identitet nacional-kulturor. Prandaj, një lexim i historisë politike të lëvizjes nxjerr një model të krijimit të politikave nacionale (në një program të tipit nacional), i cili premisat kulturore e historike i shndërron në parabazë për veprim politik. Ky është tipar i partive të djathta, madje vlerë identitare e saj.
Së dyti, LDK-ja shërbeu si një lëvizje e gjerë qytetare për pavarësi. Ajo u mbështet fort në kujdesin qytetar. Le ta rikujtojmë modelin e kujdesit ndaj familjes dhe institucionin e shëndetit, klinikën “Nënë Tereza”. Ky vullnet, i cili artikulohet në program politik të tipit nacional, është po kështu veti e partive popullore, të cilat udhëhiqen nga paradigma nacionale e nacional kulturore, duke i shndërruar më pas në filozofi politike për të ardhmen. Ne nuk mund të mos e përjetojmë shumëfish emocionalitetein teksa flasim për figura nacionale si dr. Rugova, të cilat “solidaritetin” politik të qytetarëve të Kosovës, vetëdijen e dijen e tyre për shtetin, si dhe organizimin politik të karakterit popullor, e artikuluan si vetëdije politike e cila mbështetet fort në traditën kulturore dhe historike të vendit. LDK-ja ruajti këtë karakter popullor.
Krijimi i mekanizmave politikë që e bashkojnë në një ideologji të vetme antikomuniste tërë spektrin politik të karakterit nacional, sikur ishte ta zëmë koordinimi i vazhdueshëm me Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe me udhëheqësin e saj, dr. Berishën, në artikulimin e politikave të përbashkëta nacionale dhe në përmbysjen e ideologjisë komuniste, është theksim e ritheksim jo vetëm i identitetit nacional, por edhe i vetëdijes për të ardhmen e nacionit.
Po kështu, fakti se Lidhja Demokratike e Kosovës e ka ndërtuar modelin e ekzistimit të një kulture të thellë të besimit në vlerat e përbashkëta, në paradigmat nacionale, në ekzistimin e kodeve nacionale, si dhe besimin në proces, pastaj kultivimi i atij që ne sot e identifikojmë si elektorat tradicional, si dhe modeli i përfaqësimit, i cili mbështetej qartësisht në vletrat intelektuale-kulturore, janë premisa të cilat e ruajnë ideologjinë e saj.
Karakteristikë të tretë të mbështetjes së programit të LDK-së në vlerat ideologjike të djathta e nënkuptojmë mbështetjen në traditën familjare dhe bashkëjetesën brenda familjes në kohën kur ajo i nënshtrohej trysnisë së skajshme për shpërbërje të saj.
Kujdesi ndaj familjes, ndaj vlerave që ajo përfaqëson në shoqëri, është kujdesi për vlerat tradicionale të shoqërisë. Vitet ’90 shënojnë model të strukturimit familjar, i cili është artikuluar si vetëdije për mënyrën e organizimit të brendshëm të jetesës. Nuk mund të paragjykojmë rezultatet e kërkimit të një analize që sociologët do të mund ta bënin për këtë fenomen, por mund të konstatojmë se modeli i organizimit të jetesës, solidarizimi me vlerat e traditës dhe me konceptin për nacionin, si dhe ruajtja e kultivimi i shenjave identitare të familjes, janë cilësuar si model i papërsëritshëm i organizimit dhe i vlerave përfaqësuese politike.
Kjo mbase është arsyeja themelore pse një koncept i cili në esëncë është kulturor, pra një koncept i cili mbështetet në paradigma të fuqishme nacional-kulturore, është shndërruar letësisht dhe është përkrahuar skajshmërisht shumë si model politik po ashtu i karakterit nacional-kulturor. Dhe sot, kur LDK-ja po e riharton programin e saj, i cili duhet të shërbejë së paku për 15 vjetët e ardhshme dhe duhet të mbështetet fort në këto shenja identitare, ritheksimi i vlerave tradicionale dhe i kulturës familjare shndërrohet në imanencë politike.
Si rrjedhojë, çfarëdo tendence për të ritheksuar identitetin tonë ideologjik, duhet të na kthejë në modelin e papërsëritshëm politik të djathtë, të artikuluar në një filozofi politike të viteve ’90. Pjesën tjetër do ta shtronim më shumë si nevojë për ta sprovuar e pasqyruar vetveten brenda tij...
(Autori është shef i Departamentit të Komunikimit në LDK. Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë krejtësisht personale)



































