LAJMI I FUNDIT:

Kullat dhe “kasollja” e varfërisë së shqiptarëve

Kullat dhe “kasollja” e varfërisë së shqiptarëve

Ndue Dedaj

1.


“…Në histori do të mbetet ai udhëheqës që do ta nxjerrë Shqipërinë nga varfëria”. Është një frazë e thjeshtë, e shqiptuar nga një njeri i gjeneratës së re, që nuk mëton të jetë filozof, jo se nga profesioni është jurist (në parantezë, mbase do të ishte pretendim i tepërt që Shqipëria të kishte filozofët e saj, kur ata janë aq të paktë në këtë rruzull, aq më tepër që nuk dimë që mendimtarë tanë të kenë parashikuar ndonjë gjë nga këto që kanë ndodhur në këto tridhjetë vjet, le pastaj në të ardhmen; por është një temë më vete kjo sesa mendimi shqiptar është pararendës i zhvillimeve perspektive).

E veçuam frazën e mësipërme qëllimisht, pasi kërkon të shohë përtej asaj që është trendi i sotëm dhe qasja e lidershipeve politike, për me mbet në histori me bëma të mëdha infrastrukturore. Kjo nuk është e re në histori dhe jo vetëm atë shqiptare. Udhëheqës të ndryshëm e kanë ngritur “monumentin” e tyre përmes një qyteti që kanë ndërtuar, një urë me harqe apo kulle të famshme. Padyshim që këto gjurmë të historisë kanë pasur vlerën e tyre, por jo më shumë se ata që kanë lënë gjurmë shpirtërore, përmes bazilikave, skulpturave, simfonive, poemave, romaneve, bienaleve etj. Kullat mahnitëse të Nju Jorkut janë një dëshmi e zhvillimit modern të Amerikës, por ajo që do të mbetet do të jetë “kulla” e Hollivudit, pasi grataçiela përrallore ka dhe në Dubaj, ku nuk ka Hollivud dhe zor se të ketë ndonjëherë, ngaqë ca gjëra janë unike në këtë botë.

Shqipëria, në këtë kontekst, ka kullat e saj të historisë, që janë kështjellat, kulla e Vraninës ku luftoi Oso Kuka dhe e ktheu atë në kala (Fishta e ka gdhendur në “Lahutën” e vet), kulla e Mic Sokolit në Bujan të Malësisë së Gjakovës, kullat e Gjomarkajve në Orosh dhe Shkodër, kullat e Matit, kullat e Jugut etj. Kullat e malësive ishin si për fisnikët, si për njerëz të thjeshtë. Mirëpo, sot nuk është më kjo “barazi” mes njerëzve të një komuniteti, të pushtetshëm a të papushtetshëm, përkundrazi është krijuar një hendek aq i madh mes parisë dhe vegjëlisë. Doemos që e duam të bukur Tiranën dhe me kullat e saj shumëkatëshe, në qendër apo në periferi, por jo që ato t’iu “zënë diellin” të tjerëve, pikë së pari, Teatrit Kombëtar, që është një nga identitetet tona kulturore. Ka dhe një vështrim tjetër, më të thellë, kullat si shprehi e luksit kapitalist, aq më keq, e kamjes së qeveritarëve dhe “kasolles” së varfërisë së shtresave të popullsisë.

Nuk themi se Shqipëria po varfërohet, përkundrazi, në një mënyrë apo në një tjetër, të ligjshme e ta paligjshme, ajo po shndërrohet përditë e më shumë në një vend me kapitale dhe pasanikë, por ai që po varfërohet është njeriu në zgrip, që përbën shumicën e popullatës së vendit. Ai përditë e më shumë po mbetet mbrapa këtij zhvillimi monopolesh, i pamundur, i pambrojtur. Ai është për bukën e gojës, ndërkohë që vendi i tij ka biletat më të shtrenjta të avionit në Evropë, naftën më të shtrenjtë, që ku ta gjesh Maqedoninë për të dyja këto. “Ej, shef, të drejtohet thuajse çdo ditë një bashkëqytetas: A i ke katërqind lekë për një bukë të vogël?” Edhe pse s’të vjen mirë që të merr dhe ty për shef, ajo që të shqetëson është fakti se në psikikën e tij “shefat” janë njerëz të kamur, të dhjamur, të pashpirt. Me “shef” ai kupton kryetarët, drejtorët, gjykatësit, mjekët, nëpunësit zhvatës, pasi deri të ministrat nuk vete dot. Ky njeri, me siguri, nuk ju befason, pasi ua “zë udhën” tri herë në ditë dhe juve, madje disa të tillë për të mbijetuar!

2.

Duket si i pashpjegueshëm fakti se megjithëse ka një shekull që ngrihen kantiere ndërtimi, lartohen pallate, krijohen qytete, hapën rrugë, ndërtohen fabrika, miniera, varfëria është përsëri e pranishme, derë për derë, përpos se në dyert e zotnive. Fshati i është kthyer mesjetës. Ç’gjë e re ka ndodhur përgjatë shekullit të kaluar e deri sot me fshatin? Aty ku prodhohet buka, qumështi, perimet, frutat etj.. Asnjëherë gjëja e duhur.

Në vitet ’30, Thethi kishte filluar hapat e parë të turizmit, kurse 30-40 vite më vonë propaganda moniste buçiste: “Kolektivizimi i bujqësisë u hap perspektivë të madhe malësorëve të Dukagjinit”. Të ishte e vërtetë? Aspak. Nuk ka mbetur asnjë gjurmë nga kooperativat çerekshekullore! Pra, ku jemi? Aty ku ishim. Muaj më parë është zhvilluar në Tiranë një takim që u quajt “parlamenti i parë rural shqiptar”, ku mbahet mend vetëm diskutimi kritik “me lot në sy” i një fermereje nga Mirdita, që kishte studiuar në “La Sapienza” dhe asgjë tjetër. Flitet përditë për agroturizmin, mirëpo mes fermerëve që duan të prodhojnë dhe qeverisë, që bën sikur do t’i ndihmojë, janë male të tëra larg. Ka një tufë sekserësh mes privatit dhe shtetit dhe një burokraci skandaloze, edhe pse Kryeministri në fushatën e fundit premtoi reformimin e administratës.

Asgjë nuk do të ndodhë derisa vetingu të përfshijë të gjitha llojet e bordeve që paguhen në këtë vend me para të thata në dorë pa bërë asgjë. Këto dihen, por askush nuk vë dorë. Është një iluzion optimist të besosh se hallet e këtij populli zgjidhën me dëgjesa publike dhe duke u ankuar në portalin e qeverisë, pa e injoruar faktin që gjëra të vogla marrin udhë. Seriozisht problemi është kompleks, kush projekton dhe investon që fshati shqiptar të marrë zhvillim bujqësor, blegtoral, agroturistik? Do të bëhen 100 fshatra dhe kjo është pozitive, po kur do të bëhen dhe tre mijë të tjerë, sa ç’mund të ketë në të gjithë vendin? Ka njëzet e pesë vjet që fshatarët (fermerët) trajnohen nëpër seminare rutinë me ekspertë nga Tirana, që u “mësojnë” atyre me anë të slajderave se si të punojnë tokën, si të ngasin qetë, si të kositin barin, kur atyre nuk iu shitet prodhimi, por iu kalbet në arë! Fermerëve iu duhen lekë për të bërë investime në bujqësi, kredi të buta, politika të zhdërvjellëta ekonomike e bankare dhe jo moral shoqatash e fondacionesh, ku jo pak prej tyre ngjajnë me furriqe ku ngrohin vezët qeveritarët e radhës. “Mrizi i zanave” në Zadrimë është një model se si një sipërmarrje private mund të sfidojë burokracinë (kush më mirë mund të bënte dhe ato trajnimet e agroturizmit në rajon), ndërkohë që sa subjekte të tjera të ngjashme ka që zyrat e shtetit ua përplasin derën turinjve?!…

3.

A ka instrumente matëse të varfërisë së shqiptarëve? Të atij që quhet minimuni jetik, për të cilin ka shkruar gjithë këto vite me shqetësim profesor Ilia Telo? Shteti nuk flet për këtë, por vetëm për “lumturinë” e shqiptarëve, që kinse iu rritën rrogat, pensionet dhe demek iu ulën taksat(!) Të krijohet përshtypja se të vetmit që shfaqen në ekrane si zgjidhës të problemeve emergjente të varfërisë janë disa bamirës. Por varfëria nuk luftohet me Karitas, me gjithë vlerën e tij. Në një shoqëri demokratike “Karitasi” i të varfërve është shteti me politikat e tij socialekonomike. Burrat e shtetit këtu e shfaqin veten dhe jo, ta zëmë, te ngrehinat madhështore urbane, që brezat të thonë nesër: “Tiranën, Shkodrën, Vlorën… e bëri ky apo ai kryebashkiak, Kryeministër”. Nga ana tjetër, ka një dallim të madh, parimor mes një ministri, deputeti, kryebashkiaku që pasurohet me lekët e shtetit dhe Rrok Gjokës, sipërmarrësit të “hekurt” që ndërton me forcat e veta Rrugën e Arbërit. Ai nuk shfaqet në media, nuk rreh gjoksin para shqiptarëve, nuk ngre kultin e tij me “kulla” abuzive të tranzicionit, por bën atë që nuk e bën dot qeveria për dhjetëpesëmbëdhjetë vite. Për të nuk ka veting, por vetëm punë dhe të punësuar prej tij. Kompani të tilla janë pasuri e këtij vendi, pasi ato tashmë kanë fuqinë të ndërmarrin ndërtime kombëtare strategjike.

E mbara do të ishte që varfërinë ta zhduknin politikat sociale të së majtës në pushtet, çka nuk luftohet me rendjen drejt “grataçielave” të luksit në Tiranë dhe në qytetet e tjera, por me punishte e fabrika të vogla që prodhojnë “shqip” dhe krijojnë punësim. Tregu shqiptar është “Gab”, ku mbizotëron malli i huaj. Si mund të flitet për treg tonin, kur ende vërshojnë në dogana me mijëra e mijëra tonelata mishi i pakonsumueshëm i Brazilit? Kurse, po të kreditohej fshati, ne do të prodhonim mish të cilësisë së parë, jo vetëm për vete, por dhe për Ballkanin. Flitet aq shumë për turizmin, si për një shpëtimtar të ekonomisë dhe po ta kemi me gjithë mend, turizmi do të ishte më të vërtetë një burim fantastik të ardhurash. Ama deri tani, sa i përket turizmit malor, kemi mbetur te reklamimi i kullave-bujtina, që presin vizitorë veç në Theth e Valbonë. Po të ishte investuar nga qeveria në Mirditë te Kroi i Bardhë, në bjeshkët e Selitës, ai vend kurativ do të ishte shndërruar në një bankë të ardhurash për një komunitet jo të vogël. Po as rrugë nuk ka për atje e jo më shtëpi pushimi, hotele, energji elektrike, tregti etj.. Iniciativa private ka ndërtuar një Razëm të tërë, edhe pse nuk ka ujë, kurse bjeshkët e tjera me burime të bollshme, presin… atë udhëheqësin e një tipi tjetër, që do të mëkëmbte ekonominë e këtij vendi.

Ai pritet të vijë një ditë! Po pse duhet të jetë patjetër një njeri! Mund të jetë një parti, që ta marrë përsipër këtë mision të shekullit. Të krijojë e shpallë që tani vizionin e vet ekonomik kundra varfërisë. Dhe a e dini? Do të votohej mbi 70 për qind. Se kaq janë të varfrit, në mos dhe më shumë. Opozita mund të jetë alternativa e duhur për këtë projekt, jo vetëm duke sendërtuar platformat dhe standardet për kur të vijë vetë në pushtet, por, së pari, duke ndërgjegjësuar publikun në reagimin e fortë qytetar kundër varfërisë sot dhe tërheqjen e qeverisë në këtë hulli, nga do të duhej të orientohej dhe planifikimi i buxhetit për vitin e ardhshëm. E, që të mos keqkuptohemi nga politologët, që ruajnë korsitë politike nga duhet të mbajë e majta e nga e djathta, duhet thënë me zë të lartë se zhdukja e varfërisë, më në fund, është një mision historik i shqiptarëve, që e kapërcen të majtën dhe të djathtën – mund të jetë secila nga ato lokomotiva e këtij revolucioni, aq më mirë dhe njëra dhe tjetra.

Pse jo? Një aksion i tillë do të duhej të ishte dhe kryekushti i pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian