Kujt i djeg e vërteta
Maqedonizimi i Shkupit bëhet tash e 50 vjet më parë, këtë shqetësim e kemi shprehur vite me radhë dhe, gjithnjë kemi thënë e shkruar për Shkupin shqiptar këndej Vardarit dhe për Shkupin e maqedonasve andej Vardarit. Projekti Shkupi 2014 është vetëm një kontinuitet i asaj që ka nisur decenie më parë si dhe një kundërpërgjigje për arabizimin dhe turqëzimin e Shkupit shqiptar për të cilin asnjëherë nuk u tha asnjë fjalë
Ditëve te fundit jemi dëshmitar të drejtpërdrejt se si dikush mundohet ta shtrembërojë të vërteten dhe të plasojë gënjeshtra me të vetmin qëllim: të tentojë e t’i dobësojë pozitën e një partie politike shqiptare. Dëgjuam shumë të pavërteta sikundër që ishte edhe pallavra se kinse vendimi për ndërtimin e kishës është marrë në mandatin kur në qeveri ishte VMRO-PDSH, kishë kjo që do të jetë pjesë e projektit “Shkupi 2014” gjë që nuk është aspak e vërtet. Ç’është e vërteta, vendimet edhe sot e kësaj dite i merr vetë Gruevski, i cili qeverinë e personifikon me vetveten e tij dhe për gjëra nacionaliste as që e pyet dikë!
Së këndejmi u mor edhe vendimi për ndërtimin e kishës por jo në kuadër të Shkupit 2014, projekt ky që në atë periudhe qeverisjeje as që njihej si projekt. Shkupi 2014 është projekt i qeverisjes VMRO-BDI dhe, këtë fakt askush nuk mund ta mohojë e as do mjete të informimit si dhe do Artana e Ramadana që na u servirën të gatuar nëpër kuzhinat e nëntokës maqedonase.
Një gjë duhet pasur parasysh: vendimi i marrë nga ana e qeverise se atëhershme ishte vendim i gabuar në procedurë (si të gjitha vendimet vetanake të Gruevskit) dhe që në start pamundësonte ndërtimin e kishës në qendër të Shkupit sepse ishte vendim kryekëput në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit (sipas Kushtetutës Maqedonia është shtetet sekular) ndaj dhe, pas ankesës së bërë nga ana e disa partive opozitare dhe organizatave joqeveritare deri te Gjykata Kushtetuese, ky vendim alla-gruevskiane u abrogua. Abrogimi i këtij vendimi e shfajëson tërësish PDSH-në ne raport me kishën ortodokse sllave e cila sërish u gjend në Shkupi 2014.
Përkundër këtyre fakteve dikush po mundohet edhe më tej të derdhë mjegull mbi të vërtetën! E vërteta mbetet gjithnjë një, nuk ka dy të vërteta për një fenomen! Por, në rastin konkret, cila është e vërteta?! E vërteta është se Gruevski e kuptoi gabimin e bërë më parë dhe gjatë këtij mandati (pra ne qeverisjen me BDI) e ndryshoi vendimin e marrë dhe, në vend të ndërtimit të kishës nga ana e qeverisë bashkë me BDI-në solli vendim të ri që të bëjë bartjen e tokës nga prona shtetërore deri te komuniteti sllavo-ortodoks me ç’rast edhe de facto dhe de jure u mundësua ndërtimi i kishës në qendër të Shkupit.
Funksionarët e BDI-së jo njëherë deklaruan se në momentin kur ky truk i Gruevskit do të bëhet realitet atëherë edhe ne si pjesë e qeverisë do të kërkojmë që trualli i Burmali Xhamisë t’i hedhet BFIM-së dhe, edhe kjo të nis me ndërtimin e xhamisë në qendër të Shkupit! Kjo është e vërteta dhe, kjo e vërtetë nuk mund të shtrembërohet duke e akuzuar PDSH-në me një projekt për të cilën nuk ka lidhje! Pra, bashkë-vendimmarrëse për ndërtimin e kishës sllavo-ortodokse në qendër të Shkupit është BDI-ja dhe jo PDSH-ja.
Një e vërtetë tjetër është edhe fakti që, në qeverisjen VMRO-PDSH Gruevski u përpoq që ta kalojë një kishë “në miniaturë”, pra, një objekt me një arkitekturë të përmasave të vogla! Ndërsa sot, në qeversijen VMRO-BDI kemi një objekt grandioz, me një arkitekturë që ia zë frymën tërë sheshit të Shkupit!
Satana nën petkun e engjëllit
Kisha e cila sot është pjesë e projektit Shkupi 2014 është vendim i VMRO-BDI dhe jo siç pretendohet t’i hidhet faj partisë tjetër shqiptare. BDI duhet të mbajë përgjegjsi para qytetarëve shqiptare dhe muslimanëve se cili ishte pazari i tyre politik që lejuan të bartet toka në qendër të Shkupit për komunutetin ortodoks ndërsa po sipas këtij koalicioni qeveritar për komunitetin islam nuk paska vend në qendër të Shkupit. Është e padrejtë dhe joproduktive përpjekja që kjo marrëveshje e fëlliqur të mbulohet përmes akuzave të pabaza duke i derdhur mbi PDSH-në. E vërteta vonon por kurrë nuk harron!
Kjo qeveri e koalicionit VMRO-BDI solli një vendim për realizimin e projektit Shkupi 2014, në të cilin kontestuese nuk është vetëm kisha por i tërë projekti në të cilin gjendet edhe kisha grandioze e VMRO-BDI-së dhe, çuditërisht, askush nuk hedh faj mbi partinë shqiptare në pushtet por akoma akuzohet PDSH-ja se paska faj për kishën i cili gjendet në një projekt tërësisht antishqiptare e që për miratimin e të cilit është dashur edhe pëlqimi i shqiptarëve të BDI-së.
Një përfaqësues i BDI-së që paskësh nënshkruar në 13 dokumente për bashkëpunim me shërbimet sekrete maqedonase (kështu u tha në atë emision!) gjatë debatit televiziv në emisionin “Rruga drejt” akuzoi përfaqësuesin e PDSh-së se pse kjo parti hala nuk nisi me ndërtimin e xhamisë në qendër të Tetovës. Për këtë xhami luftoi PDSH-ja, ndërsa BDI-ja luftoi dhe ia arriti qëllimit që në qendër të Tetovës t’i ndajë tokë edhe komunitetit ortodoks për të ndërtuar një kishë sllavo-ortodokse.
Ndërsa, pse akoma pushteti lokal i Tetovës nuk arriti që ta nis ndërtimin e xhamisë në qendër të Tetovës përgjigja qëndron në politikën antishqiptare dhe antiislame e BDI-së, e cila, assesi nuk po mbledh guxim që t’i thotë Gruevskit që në një buxhet të ardhshëm shtetëror duhet të parashihet buxhet edhe për ndërtimin e kësaj xhamie! Le ta shfletojnë arkivin dhe do të shikojnë se në kohën e PDSH-së në buxhetin shtetëror ekziston edhe një zë që parashihet mjete financiare për fillimin e ndërtimit të kësaj xhamie.
Gjithsesi, nga Buxheti shtetëror ishin ndarë mjete financiare edhe për ngritjen e bibliotekës universitare në Tetovë (për ç’gjë assesi nuk jepnin leje strukturat e BDI-së), për salla sportive etj. Ardhja e BDI-së në pushtet stopoi, madje shprehu interesim për të shkatërruar çdo projekt shqiptar të nisur gjatë koalicionimit VMRO-PDSH!
Shkupi ishte qendër e Dardanisë. Po sot?
Dihet botërisht se PDSH me themelimin e Institutit për trashëgimi kulturore hodhi hapat e para drejt një akademie shqiptare, ndërsa BDI jo vetëm që e shkatërroi këtë projekt madhor kombëtar por edhe lejoi punën dhe botimin e Enciklopedisë Maqedonase të Akademisë së arteve dhe shkencave maqedonase e cila është e barasvlershme me projektin famëkeq të Çubrilloviqit si dhe me planet fashizoide të Millosheviqit!
Çuditërisht, për këtë vepër satanizuese asnjëherë nuk u kritikua Ali Ahmeti dhe as ai tjetri i “nënshkrimit 13 faqësh” por vetëm Gruevski. Në momentin kur po mbështetej për muri ministri i Gruevskit i cili po tenton që t’i mbysë nxënësit tanë të klasës së parë me maqedonishten e tij, çuditërisht, armiqtë e shqiptarëve amnistohen dhe kërkohet një shqiptar i cili do të shndërrohet në “mish për top” të strukturave të shërbimeve sekrete maqedonase.
Për hir të së vërtetës duhet thënë një gjë: maqedonizimi i Shkupit bëhet tash e 50 vjet më parë, këtë shqetësim e kemi shprehur vite me radhë dhe, gjithnjë kemi thënë e shkruar për Shkupin shqiptar këndej Vardarit dhe për Shkupin e maqedonasve andej Vardarit.
Projekti Shkupi 2014 është vetëm një kontinuitet i asaj që ka nisur decenie më parë si dhe një kundërpërgjigje për arabizimin dhe turqëzimin e Shkupit shqiptar për të cilin asnjëherë nuk u tha asnjë fjalë. Ky është shqetësimi vërtetë dhe jo ajo se çka do të bëjnë në pjesën e tyre maqedonasit.
Fare në fund: kurrë asnjë shqiptar nuk ka mohur se në të kaluarën Shkupi ka qenë kryeqendër e Dardanisë! Po atëherë, edhe lokaliteti i sotshëm në rajonin e Gjilanit, Novobërda, kur ishte qytet, Londra dhe Parisi njiheshin si katundet më të mëdha në botë!



































