LAJMI I FUNDIT:

Ku qëndron Kina në konfliktin e Lindjes së Mesme?

Ku qëndron Kina në konfliktin e Lindjes së Mesme?
Ilustrim

Yuan Dang

Në bregun e lumit Huangpu në metropolin kinez të Shangait, ngrihet një rrokaqiell me çati të gjelbër bakri. Në hotelin me emrin Hotel i Paqes, kanë kaluar netët presidentët si Ronald Reagan dhe Bill Clinton, yjet si Charlie Chaplin dhe George Bernard Shaw. Ajo që dihet më pak është se deri në vitin 1949, ky quhej Hoteli Kethej, i ndërtuar në vitin 1929 nga biznesmeni hebre, Victor Sassoon. Për disa vite ishte ndërtesa më e lartë e Shangait. Sassoon në vitet 20-të jetoi në Shangai dhe aty ngriti biznesin e tij.

Në Luftën e Dytë Botërore, me mbështetjen e tij u ndërtua një lagje 2,5 kilometra katrorë, ku gjetën vend 20 mijë hebrenj nga Evropa që u arratisën, nga përndjekja e nazistëve. Pas luftës dhe ardhjes në pushtet të komunistëve, shumë hebrenj u larguan nga Shangai. Victor Sassoon u detyrua ta shiste, nën vlerë, biznesin e tij te Partia Komuniste. Ky rast tregon se si i trajtuan komunistët hebrenjtë dhe më vonë shtetin izraelit: me paragjykime. Gjatë Luftës së Ftohtë, Kina u tregua rregullisht solidare me vendet arabe dhe ka votuar në kuadër të OKB kundër Izraelit. Vetëm në vitin 1992 Kina vendosi marrëdhënie diplomatike me Izraelin.


Që nga normalizimi i marrëdhënieve me Izraelin, Kina ka qenë, para së gjithash, partnere tregtare. Në vitin 2023 janë këmbyer mallra në vlerë prej 22 miliardë dollarë me Izraelin. Në tetor, kryeministri Netanjahu kishte planifikuar një udhëtim në Kinë, ku pritej të përmbyllej një marrëveshje e tregtisë së lirë me Kinën. Pas sulmit terrorist të Hamasit, vizita është shtyrë.

Ndërkohë, në çështjet politike Kina vendos një vijë të drejtë lidhjeje nga Izraeli në ShBA, rivalja e madhe gjeopolitike e Kinës. Ambasadori kinez në OKB, Zhang Jun, i cili në nëntor ka marrë kryesinë e Këshillit të Sigurimit të OKB, tha: “Kina i bën thirrje superfuqisë, që ka influencën më të madhe te pala e prekur, t’i lë mënjanë interesat e veta dhe baraspeshimet gjeopolitike e të ndërmarrë të gjitha përpjekjet t’i japë fund luftës dhe të rivendosë paqen”. Fjala ishte për ShBA-në dhe Zhang Jun indirekt aludoi për interes në luftë.

“Izraeli është demokraci e konsoliduar, e bazuar në aleancën e fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë Eberhard Sandschneider, politolog dhe partner në firmën konsultuese Berlin Global Advisors për DW. “Për këtë arsye Izraeli gjeopolitikisht sipas pikëpamjes kineze qëndron nën anën tjetër të asaj që Kina ka parasysh momentalisht, forcimin e një aleance antiperëndimore.”

Në forumet online të mbikëqyrura rreptësisht nga censura në Kinë, shikohet një atmosferë antiperëndimore. Veprimet luftarake shikohen si “terrorizim i popullit mysliman më të dobët, përmes popullit dukshëm më superior të hebrenjve”. Ky stereotip me nota raciste gjendet shpesh në mediat sociale kineze. Qindra komente armiqësore ndaj Izraelit u shfaqën tek faqja e ambasadës gjermane në Pekin në platformë Weibo. “Agresorë!”, shkruan dikush. Kurse, te një tjetër shkruhet se “nazistët në Gjermani dhe Izrael janë bërë bashkë dhe dalin kundër njerëzimit”. Përgjigja e përfaqësisë gjermane ishte e qartë: “Është budallallëk me brirë të karakterizsoh pa dallim të gjithë njerëzit si nazistë. Kush kombinon në profilin e tij flamurin e Izraelit me një kryq të Rajhut është ose i pa ditur ose një lloj maskarai pa ndërgjegje. Llogaritë e tilla te ne bllokohen”.

Ndryshe nga zërat në opinionin publik, qeveria kineze thotë se është neutrale në konfliktin e Lindjes së Mesme. Megjithatë, Kina e kritikon Izraelin. Vang Yi, ministri i Jashtëm kinez i shikon operacionet luftarake të Izrealit si “joproporcionale”. Ato kapërcejnë shumë qartë kufirin e vetëmbrojtjes. Njerëzit në Gaza nuk duhet të ndëshkohen kolektivisht, sipas Vangut.

Kina nuk mban marrëdhënie të rregullta me organizatën terroriste të Hamasit, që ka kontrolluar Rripin e Gazës. Por, me PLO-në, me organizatën çlirimtare palestineze në zonat palestineze që është e njohur nga 138 shtete të botës si shtet, por jo nga Izraeli, ShBA-ja apo Gjermania. Kina në verën 2023 përmbylli një “partneritet të zgjeruar strategjik” me Palestinën. Në deklaratën përfundimtare, pas bisedimeve mes presidentit kinez, Xi Jinping, dhe presidentit Mahmud Abas më 14 qershor 2023, thuhet se “Kina mbështet themelimin e një shteti sovran të Palestinës mbi bazën e kufijve të vitit 1967 dhe me Jerusalemin lindor si kryeqytet. Kina mbështet rifillimin e bisedimeve të paqes mes Palestinës dhe Izraelit mbi bazën e parimit ‘tokë për paqe’, të rezolutave të qarta të OKB-së dhe zgjidhjes me dy shtete.”

Si shpërblim përfaqësuesit palestinezë mbështesin politikën “një Kinë”, sipas së cilës vetëm Republika Popullore është qeveria legjitime e Kinës. PLO ka bërë të sajën narrativin kinez, se në rajonin e banuar me shumicë myslimane, Ksinjang, “nuk bëhet fjalë për çështje të të drejtave të njeriu, por luftimin e terrorizmit, radikalizimit, separatizmit”. Në Ksinjang, Pekini ka kohë që ka instaluar një sistem përgjimi të fortë për të kontrolluar ujgurët.

Kina ka pasur gjithmonë marrëdhënie të ngushta me PLO-në, thotë politologu Sandschneider. “Kjo ka arsye historike. Mbështetja e lëvizjeve çlirimtare bën pjesë në linjat e politikës së jashtme kineze. Por, jo kur bëhet fjalë për Ksinjangun apo Tajvanin”.

Nga viti 2019, Kina ka emëruar një të dërguar të posaçëm për Lindjen e Mesme. Që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit, i dërguari aktual, Zhan Jun, ka telefonuar me palët në konflikt dhe disa vende arabe. Kina është për paqen, ka thëna Jun dhe e ka parë shkakun e konfliktit në dështimin për të mbrojtur të drejtat kombëtare të popullit palestinez. Sipas Sandschneiderit, Kina qëndroi larg konfliktit në Lindjen e Mesme dekadat e kaluara, por pamë se Kina po pozicionohej sa fundmi si ndërmjetësuese në afrimin e Arabisë Saudite dhe Iranit. Por, një sukses i tillë nuk ka për t’u përsëritur në luftën mes Izraelit dhe Hamasit. “Besueshmëria tek Kina nuk shkon shumë larg në këtë rast të veçantë mes Izraelit dhe Hamasit”. /DW/