Kthehet e shëruar Liridona Gajtani, mirëpritet nga familjarët dhe Labi në aeroport (Video)

Liridona Gajtani, vajza 23 vjeçare nga Hajvalia e cila kishte nevojë për shërim jashtë vendit, u rikthye sonte (e martë) në Prishtinë.
Këngëtari Labi, njëkohësisht ndërmarrësi i shumë iniciativave bamirëse kohëve të fundit, ishte i pari i cili i doli në ndihmë 23-vjeçares, e cila ishte e prekur nga leukemia.
Shumë familjarë, miq por edhe vetë këngëtari ishin të pranishëm në aeroportin e Prishtinës "Adem Jashari" për të mirëpritur Liridonën, e cila po kthehej tashmë e shëruar plotësisht.
Labi ka publikuar në rrjetet sociale një video përmes së cilës ka shfaqur momentet emocionuese gjatë takimit me Lirodonën, e cila për shkak të mbrojtjes duhet të qëndrojë me masa mbrojtëse para kontaktit me njerëz.
Për shërimin e Liridonës janë grumbulluar më shumë se 250 mijë euro, gjersa gëzimi i familjarëve për kthimin e saj ka qenë i papërshkrueshëm.
Kjo është një ndër iniciativat më të suksesshme të këngëtarit Labinot Tahiri, por edhe të gjithë atyre që ndihmuan, duke përçuar tek publiku kështu dëshirën dhe mesazhin se çdo kush mund të ndihmojë, dhe të gjithë së bashku kanë mundësinë të shpëtojnë një jetë. /Telegrafi/































































