Rifat Berisha (1945), nga fshati Gurbardh i komunës së Malishevës, 27 vite më parë ishte zhdukur diku në Bosnje, gjatë rrugëtimit të tij për në Slloveni. Pas 27 vite të zhdukjes, janë gjetur eshtrat e tij, dhe sot janë kthyer në vendlindje, pranë familjes dhe fisit të tij, në Gurbardh.

Në njoftimin e bërë nga Komuna e Malishevës thuhet se eshtrat e të ndjerit Rifat Berisha, sot janë pranuar nga familja, në kufirin e Kosovës me Malin e Zi, ndërsa në pranimin e arkivolit, krahas familjarëve, ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha dhe zyrtarët e Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, të prirë nga Prenk Gjetaj.

Reklama

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, e ka përshkruar “si një moment emocionues, gjetjen pas 27 viteve dhe kthimin e eshtrave në vendlindje, por edhe moment i dhimbjes për familjarët, të cilët për 27 vite jetuan në ankth dhe vuajtje në kërkim të familjarit”.

Reklama

Me këtë rast, nënkryetari Berisha, ka bërë të ditur se në komunën e Malishevës, vazhdojnë të jenë të zhdukur edhe 38 persona.

Ndërsa djali i Rifatit, Driton Berisha, i ka përshkruar momentet e fundit kur e ka parë prindin, kur ishte vetëm 7 vjeç, ndërsa ka treguar se prindi i tij, ishte nisur për të shkuar në Slloveni, në vitin 1992, kur edhe ishte zhdukur diku në Bosnje, gjatë luftës atje.

Reklama

“Nuk jemi ndalur asnjëherë së kërkuari, për 27 vite, derisa e kemi gjetur, prandaj ju bëj thirrje të gjitha familjeve që të mos i humbin shpresat për gjetjen e familjarëve të tyre të zhdukur, por të angazhohen deri në fund”.

Ai më pas e ka falënderuar edhe Komunën e Malishevës, për përkrahje. /Telegrafi/

Reklama