Kryetari i Junikut ftesë publike kryeministrit Haradinaj: Ndalo punimet e paligjshme në rrjedhën e lumit Ereniku i vogël

Kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuçi, përmes një ftese publike drejtuar Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga kreu i ekzekutivit të vendit që të ndalojë punimet në rrjedhën e Lumit Ereniku i Vogël përgjatë Parkut Nacional të Bjeshkëve të Nemuna.
Kuçi, i cili njëherësh është edhe kryetar i AAK-së në Junik, në ftesën publike ka thënë se “po vazhdojnë punimet dhe veprimet e paligjshme përgjatë tërë Parkut Nacional të Bjeshkëve të Nemuna për marrjen e Lumit "Ereniku i Vogël" nga ana e Komunës së Gjakovës, KRU Gjakova dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Kjo ndikon në devijimin e rrjedhës natyrale - historike të këtij lumi!
Letra e plotë publike e kryetarit të Junikut Agron Kuçi, drejtuar Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj:I Nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj ! Po vazhdojnë punimet dhe veprimet e paligjshme përgjatë tërë Parkut Nacional të Bjeshkëve të Nemuna për marrjen e Lumit "Ereniku i Vogël" nga ana e Komunës së Gjakovës, KRU Gjakova dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Kjo ndikon në devijimin e rrjedhës natyrale - historike të këtij lumi ! Punimet po vazhdojnë përkundër faktit se komuna e Junikut dhe qytetarët e saj kanë dorëzuar kërkesën dhe peticionin për shfuqizimin e vendimeve lidhur me këtë çështje në zyrën tuaj me datë 26.04.2019. I nderuar Kryeministër, veprimet që po bëhen janë të paligjshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin Nr.04/L-147 për Ujërat e Kosovës, Ligjin Nr.04/L-086 për Parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, Ligjin Nr.03/L-025 për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin Nr.03/L-233 për Mbrojtjen e Natyrës dhe me Normat, Konventat Ndërkombëtare të Ujërave. Andaj, mbi këtë bazë, bashkë me shqetësimin legjitim të qytetarëve të komunës sonë, Ju bëjmë Ftesë Publike që si Kryeministër i vendit dhe Kryetar i Këshillit Ndërministror të Ujërave të Kosovës, të veproni ligjërisht dhe t'i shfuqizoni këto vendime. Veprimi i juaj bën që Ju, të mos viheni në anën e qytetarëve të Junikut, Rekës, Lugut dhe as të Kryetarit të Komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjinit por në anën e së drejtës, ligjshmërisë dhe interesit të përgjithshëm. Në pritje të vendimit tuaj, ju përshëndes ! Me respekt, Agron Kuçi - kryetari i komunës së Junikut! /Telegrafi/



















































