Kryetari i Prishtinës, kryetar i Kosovës!
Zgjedhjet lokale janë para derës, vetëm sa nuk e kanë hapur këtë derë! Subjektet garuese e kanë filluar fushatën, disa botërisht kurse të tjerat e bëjnë këtë në mënyrë të sofistikuar madje duke i sulmuar ato të parat për shkeljen e kodeksit apo rregullave zgjedhore!
Në fakt, të gjitha subjektet politike dhe jopolitike shikimin po e drejtojnë te grazhdi i cili ofron meny më të pasur, si në aspektin financiar ashtu edhe në aspektet e tjera! Po gjithsesi aspekti financiar është mbizotërues, mos të them përcaktues për secilin subjekt garues i cili , në radhë të parë e ka interesin e Prishtinës e që identifikohet me interesin e Kosovës. Kjo do të vlente për idealistë apo përkthyer në shqip budallenj në mesin e të cilëve bëjë pjesë edhe unë! Realistët e kanë një interes tjetër të cilin bukur mirë e kanë materializuar deri më tani.
Rëndësia e zgjedhjeve lokale qëndron në faktin se kush do t’i marr nën sundim qendrat e mëdha administrative ai do ta udhëheq Kosovën, qoftë si forcë e vetme politike, qoftë si koalicion! Kjo në veçanti vlen për Prishtinën. Në çdo vend të botës, kryetari i kryeqytetit në mos e ka fuqinë e kryetarit të shtetit atëherë është shumë afër tij për kah ndikimi.
Mosgatishmëria për t’u kandiduar, frikë reale apo injorim i sfidës:
Për shkak të rëndësisë së madhe se kush do të jetë kryetar në Kryeqytet, subjektet garuese përcaktohen për kandidatët më të fortë partiakë apo kërkojnë personalitet të rëndësishme e që nuk janë anëtarë të partisë. Çdokush që është i informuar e dinë se çka do të thotë të jeshë kryetar i Nju Jorkut, Romës apo Berlinit. Të gjithë këta pastaj i kanë arritur majat e pushtetit në ato shtete. Në dimensionin shqiptar e kemi rastin e Edvin Ramës i cili nga pozicioni i kryebashkiakut të Tiranës u bë kandidat shumë serioz për postin e kryeministrit të Shqipërisë.
Në Republikën e Kosovës po ngjanë një fenomen krejt tjetër! Subjektet garuese duket se problemin më të madh e kanë pasur kur është dashur të përcaktohen se kush do të jetë kandidat i tyre për kryetar të Kryeqytetit. Ato, deri në fund nuk mund të përcaktohen për kandidatë dhe kur përcaktohen e bëjnë këtë sa për sy e faqe e jo me qëllim ta fitojnë garën! Të shkojmë me radhë. Partia që e ka pasur pushtetin në Prishtinë pas përfundimit të luftës e ka pasur këtë jo se ka pasur ofertën më të mirë por se ato zgjedhje i ka fituar Ibrahim Rugova ndonëse asnjëherë nuk ka kandiduar për kryetar të Prishtinës.
Çdo kryetar i Prishtinës deri më tani ka lënë diçka pas vetes, qoftë për të mirë, qoftë për të keq! Objektivisht edhe nuk ka pasur hapësirë për të bërë diçka më tepër në periudhën e pas luftës. Kosova pa status të definuar, edhe Kryeqyteti ka qenë pa ststus të definuar. Kosova e udhëhequr dhe e plaçkitur pamëshirshëm nga hajnat vendorë dhe ndërkombëtarë nuk ka mundur të ofrojë një Kryeqytet tjetër përveç kësaj Prishtine të cilën e kemi sot! Në fund të fundit, ndonëse Prishtina ka pasur kryetar legal, kryeqyteti deri vonë është udhëhequr nga administratori ndërkombëtar! Realisht, pas përfundimit të luftës Prishtina është administruar nga mafiozët ushtarakë dhe paraushtarakë të shndërruar në profiterë të pamëshirshëm të cilët kanë uzurpuar hapësirat më atraktive dhe më strategjike për materializim të kryeqytetit duke i vendosur në poste politike njerëzit e tyre të cilët i kanë shërbyer krimit të organizuar. Andaj Prishtina u shndërrua në xhungël arkitektonike, pa shpresë të shndërrohet në qytet normal.
Me një infrastrukturë si të Kabulit të udhëhequr nga talibanët, ka qenë vështirë të bëhet më shumë, deri në shpalljen e Pavarësisë. Tash janë krijuar tjera kushte. Tash Kryeqytetit i duhet një njeri i cili vërtet është i vendosur të bëjë ndryshime. Në këto rrethana Prishtinës nuk i duhet një menaxher i mirë sepse ky profil nuk mund të bëjë asgjë! Në këtë fazë të cilën unë e quaj si periudhë e sigurimit të kushteve për mbijetesë Prishtinës i duhet një burokrat i vendosur i cili do t’i zbatojë ligjet me guxim dhe përpikëri! Pastaj i vie radha menaxherit të mirë me kusht që Prishtina të mbijetojë si qytet!
PDK, si parti që i ka fituar zgjedhjet parlamentare ka rënë në pikë të hallit se kënd do ta propozojë për kryetar të Prishtinës. Ka pasur plotësisht të drejtë nëse merret parasysh përvoja e hidhur nga e kaluara. Janë përfolur disa emra dhe në fund Patriarku ka vendosur për Astrit Salihun, i cili mund të jetë çdo gjë por jo edhe kryetar i suksesshëm i Prishtinës. Nuk ka menaxhuar asgjë dhe nuk është burokrat! Pastaj, e ka një hendikep të madh që partia që e ka kandiduar për kryetar është në koalicion me partinë e kryetarit Mustafa dhe nuk është shumë e interesuar ta rrezikojë këtë koalicion andaj në heshtje e pranon Isa Mustafën si kryetar. Pastaj, brenda PDK-së ka pasur pakënaqësi me këtë nominim andaj mendoj se një numër i votuesve nga radhët e PDK-së do të votojë për kryetarin aktual, Isa Mustafën! Andaj besoj se Astrit Salihu është propozuar nga PDK për kryetar të Prishtinës për t’u zgjedhur pikërisht Isa Mustafa!
AKR e Behgjet Pacollit e ka përdorur gjenetikën për ta fituar postin e kryetarit të Prishtinës. Vegim Gashi, një menaxher i suksesshëm është propozuar pasi që babai i tij ka qenë kryetar i mëparshëm i Prishtinës andaj sipas parimit të automatizmit edhe ky mund të bëhet kryetar për çka sinqerisht nuk e besoj se mund të ndodhë. Duket se AKR ka deficit kuadrosh kur nuk ka qenë në gjendje ta gjejë një kandidat që do të mund ta sfidonte seriozisht Isa Mustafën. Ndonëse përflitej si kandidat i mundshëm i AKR-së dhe i PDK-së për kryetar, Behgjet Pacolli u tërhoq dhe në zjarr e hodhi Vegim Gashin i cili e ka vështirë t’i shpëtojë zjarrit!
Mburraveci i licencuar, Daci i Preshevicës tha se e ka pasur një kandidat shumë , shumë të fortë por nuk po garon pasi nuk po donë me e dëmtuar partnerin e koalicionit. Ferpllej se jo mahi!
Rexhep Osmani duhet të jetë i lumtur që iu dha mundësia të kandidojë përmes bajpasit (ADK), sepse partia nënë nuk pranoi ta sponsorizoi kandidaturën e tij. Ky është maksimumi i tij. Bagazhi nga e kaluara e tij është një ndër pengesat kryesore, apo Via Doloressa në rrugën e tij për fronin e kryeparit të Prishtinës!
AAK e Ramush Haradinaj, me kandidimin e Besnik Tahirit ka treguar qartë se nuk ka mendjen me dalë nga “ enklava e Dukagjinit” dhe se Prishtina është çështja e fundit që i intereson për zgjedhjet lokale! Ndryshe do ta kandidonte Blerim Shalën, si emër i njohur apo kuadrin më të fortë të partisë së tij, Naim Malokun! Besniku ka demonstruar guxim dhe durim! Ashiqare, Ramush Haradinaj ka prirje të madhe për humor! Dhe, për këtë e admiroj!
Janë edhe disa kandidatë tjerë të cilët kanë gjasa të hyjnë në balotazh në lagjen e tyre apo në hyrje të banesave të tyre, asgjë më tepër!
Epilogu si prolog:
Me vet faktin se cilët kandidatë i kanë propozuar për kryetar të Prishtinës, shumica e subjekteve garuese janë përcaktuar, jo për kandidatin e tyre por për Isa Mustafën. Andaj, nuk e besoj se ndonjëri prej kandidatëve të propozuar do ta sfidojë seriozisht Isën. Mund të ndodhë që Isa Mustafa të fitojë pa u detyruar fare të hyjë në balotazh. Mund edhe ta kem gabim! Me një gjë pajtohem me Astrit Salihun, se Isa Mustafa është njeri i mirë! Astriti e thotë këtë nga këndvështrimi i tij, unë nga këndvështrimi im!
(Autori i shkrimit është drejtor ekzekutiv i KMDLNJ-së. Qëndrimet janë personale)



































