Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka pritur sot në takim nxënësin e SHFMU “Vëllezërit Frashëri”, Rejan Krasniqi, i cili së fundmi është shpallur kampion në Garat e 14-ta Ndërkombëtare të Abakusit dhe Aritmetikës Mentale, të mbajtura në Kloten të Cyrihut (Zvicër), organizuar nga Brainobrain International, përcjell Telegrafi.

Ahmeti e uroi Krasniqin për suksesin e arritur, duke vlerësuar lartë përfaqësimin dinjitoz të tij dhe të shkollës në arenën ndërkombëtare.




“Ndjehem jashtëzakonisht krenar për sukseset e nxënësve tanë, të cilët në çdo garë ku marrin pjesë po shpallen kampionë. Këto arritje na bëjnë të gjithëve krenarë dhe janë dëshmi e talentit dhe përkushtimit të fëmijëve të Lipjanit,” tha kryetari Ahmeti.

Rejan Krasniqi tregoi shkathtësi të jashtëzakonshme në garë, duke fituar medaljen e artë dhe duke u shpallur kampion.

Në shenjë mirënjohjeje, kryetari Ahmeti i dhuroi atij pllaketën e Komunës së Lipjanit, si vlerësim për suksesin dhe përfaqësimin e denjë të Kosovës dhe Lipjanit në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/