LAJMI I FUNDIT:

Kryeprokurori bullgar gris letrën e dorëheqjes, i quan rivalët “plehra politike”

Kryeprokurori bullgar gris letrën e dorëheqjes, i quan rivalët “plehra politike”

Kryeprokurori bullgar, Ivan Geshev, ka refuzuar të japë dorëheqje, duke grisur letrën e tij të dorëheqjes dhe duke i quajtur rivalët e tij në Parlament si “plehra politike”.

“Unë do ta përfundoj mandatin tim”, u ka thënë gazetarëve 52-vjeçari Geshev më 15 maj gjatë një konference për media. “Unë nuk kam frikë”.

Geshev u përball me thirrjet për të dhënë dorëheqje, pasi kundërshtarët e tij e akuzuan atë për orkestrimin e një shpërthimi pranë makinës së tij në fillim të këtij muaji, i cili u përshkrua si një tentativë për vrasje.


Përveç thirrjeve në rritje për dorëheqjen e tij lidhur me pretendimet se ai organizoi një shpërthim pranë makinës së tij, Geshev po përballet edhe me procedurat e shkarkimit të nisura nga prokurorët e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Mariya Gabriel, kandidate për kryeministre nga partia e qendrës së djathtë GERB, e cila së fundmi fitoi në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Bullgari, ka njoftuar se ministrja e saj e ardhshme e Drejtësisë do të nisë procedurat për shkarkimin e Geshevit.

Megjithatë, Geshev, i cili nuk e ka komentuar incidentin e supozuar me makinën e tij, ka pohuar se ai ishte në shënjestër të “mafias politike, oligarkisë dhe krimit të organizuar” dhe ka drejtuar gishtin kah ish-kryeministri Bojko Borisov për presionin ndaj tij për të dhënë dorëheqjen.

Borisov i ka mohuar akuzat.

Geshev, i cili mban postin e kryeprokurorit që nga fundi i vitit 2019, për një mandat shtatëvjeçar, ka këmbëngulur se ka punuar gjithmonë për të mirën e Bullgarisë dhe të qytetarëve të saj, por ka pretenduar se ishte këshilluar nga një person anonim për të dhënë dorëheqjen e tij deri më 15 maj pasi u kthye nga një udhëtim në Shtetet e Bashkuara.

Ai ka thënë se u kërcënua duke ia përmendur familjen dhe se iu tha që nëse nuk jep dorëheqjen, do të publikohen video kundër tij.

Geshev ka thënë, gjithashtu, se muajin e kaluar kishte marrë një ofertë, për të cilën i thanë se erdhi nga Borisovi, për të filluar një karrierë politike ose për të shkuar si ambasador në Izrael apo Turqi.

Borisov ka mohuar të ketë bërë një ofertë të tillë dhe tha se nuk ishte në gjendje ta bënte një gjë të tillë.

Mediat bullgare dhe zyrtarët e prokurorisë thanë se Geshev dhe familja e tij mezi shpëtuan kur një eksploziv shpërtheu pranë makinës së tij në një rrugë në një zonë rurale.

Megjithatë, sipas ministrit të Brendshëm, Ivan Demerdzhiev, dhe zëvendësit të Geshevit, Borislav Sarafov, i cili gjithashtu drejton Shërbimin Kombëtar të Hetimit, Geshev po udhëtonte i vetëm gjatë shpërthimit dhe makina e tij e blinduar nuk u dëmtua.

Pavarësisht kësaj, Geshev më 15 maj kërkoi dorëheqjen e Sarafovit dhe kërcënoi se do të kërkonte shkarkimin e tij nga Këshilli i Lartë Gjyqësor nëse ai refuzon të japë dorëheqjen.

Disa vëzhgues kanë spekuluar se vetë mbështetësit e Geshevit brenda partisë GERB mund të jenë kthyer kundër tij pas incidentit të 1 majit.

Aktualisht, partia GERB është duke zhvilluar negociata për të formuar një qeveri koalicioni që mund të zhbllokojë një ngërç të zgjatur politik që ka çuar në pesë zgjedhje të përgjithshme në dy vjet.

Presidenti Rumen Radev i ka dhënë kandidates për kryeministre Mariya Gabriel mandatin e parë për të formuar një qeveri dhe ajo ka shtatë ditë për të propozuar Këshillin e ministrave.

Nëse ajo dështon, mandati do t’i jepet grupit të dytë parlamentar më të madh, koalicionit pro-evropian Ne Vazhdojmë Ndryshimin-Bullgaria Demokratike. /rel/

Në trend Botë

Më shumë
SHBA dhe Ukraina darkordohen për armëpushim 30-ditor, reagon për herë të parë Kremlini

SHBA dhe Ukraina darkordohen për armëpushim 30-ditor, reagon për herë të parë Kremlini

Evropa
Kapiteni i anijes me kontejnerë që u përplas me tankerin që transportonte naftë për ushtrinë amerikane – është shtetas rus

Kapiteni i anijes me kontejnerë që u përplas me tankerin që transportonte naftë për ushtrinë amerikane – është shtetas rus

Evropa
Prokuroria e Bosnje e Hercegovinës lëshon urdhër për ndalimin e Dodikut

Prokuroria e Bosnje e Hercegovinës lëshon urdhër për ndalimin e Dodikut

Bosnja
Kryesipuni rus zhvillon bisedë telefonike me drejtorin e CIA-s

Kryesipuni rus zhvillon bisedë telefonike me drejtorin e CIA-s

Evropa
Zëvendëspresidenti amerikan i përgjigjet kritikave të ashpra të kushëririt që luftoi në krah të ukrainasve

Zëvendëspresidenti amerikan i përgjigjet kritikave të ashpra të kushëririt që luftoi në krah të ukrainasve

Amerika
Gabon rëndë Departamenti i Musk, vendos bazën sekrete të CIA-s në listën e ndërtesave për shitje

Gabon rëndë Departamenti i Musk, vendos bazën sekrete të CIA-s në listën e ndërtesave për shitje

Amerika
Kalo në kategori