Por, ndryshimet në Kodin Zgjedhor kanë sanksionuar dhe rastet kur largohet një deputete femër. Sipas neniti 164 të Kodit Zgjedhor, vakanca zëvendësohet me një pjesëtar të listës të së njëjtës gjini, pavarësisht renditjes në listë, raporton Top Channel.

Por, gjithashtu, në nenin 175, pika 2 të Kodit Zgjedhor, parashikohet se “kur ndaj një subjekti zgjedhor është konstatuar shkelja, KQZ-ja zbaton si sanksion plotësues zëvendësimin e çdo vakance në listën e subjektit, në zonën ku është konstatuar shkelja, me kandidatët vijues në listë nga gjinia më pak e përfaqësuar deri në plotësimin e kuotës gjinore”.


“Në rast se KQZ-ja vendos aplikimin e këtij sanksioni, përjashtimi i pikës 2 të nenit 164 nuk zbatohet dhe vakanca plotësohet sipas kësaj pike”.

Më konkretisht, vakancat e krijuara nga deputetët e Partisë Socialiste në qarqet Elbasan, Durrës, Dibër, Gjirokastër e Kukës, qarqe për të cilat PS është gjobitur për mosrespektimin e barazisë gjinore, zëvendësohen detyrimisht me kandidate femra. E njëjta gjë ndodh dhe me Lëvizjen Socialiste për Integrim, vakancat e të cilës, të krijuara në qarqet Berat, Durrës, Gjirokastër e Kukës, plotësohen me kandidate femra, pavarësisht renditjes së tyre.

E gjithë kjo sjell që nga 16 deputetët e rinj, 11 të jenë femra edhe pse pjesa më e madhe e tyre kanë qenë të vendosura në fund të listave. /Telegrafi/