Preokupim permanent i shumë autorëve të së drejtës, në veçanti i atyre nga e drejta ndërkombëtare, në vazhdimësi ka qenë ajo se çka në të vërtet përfaqëson shteti? Cilat janë elementet përbërëse dhe mbi të gjitha kushtet që duhet plotësuar për të qenë i tillë? Po thuajse në çdo definim tjetër shkencor dhe vështrim analitik janë tri nga kushtet themelore që duhet plotësuar që shteti të ekzistojë si subjekt ndërkombëtar: popullsia e përhershme, territori dhe qeveria ose pushteti shtetëror sovran.

Në nenin 1 të Konventës mbi të Drejtat dhe Detyrat e Shteteve (Montevideo, 1933) veç këtyre, shprehimisht kërkohet edhe aftësia për të hyrë në marrëdhënie me shtetet tjera. Vështruar si tërësi, Kosova, që vazhdon të kryesojë listën e shteteve më të reja në botë, me të drejtë konsiderohet se ka plotësuar kushtet elementare për të qenë vend me subjektivitet të plotë ndërkombëtar.


Megjithëse në arenën ndërkombëtare është shënuar progres, sidomos në njohjet nga blloqet e fuqishme siç janë SHBA dhe pjesa dërmuese e UE-së, punë që duhet vazhduar domosdo, Kosova në raport me të drejtën e brendshme vazhdon të sfidohet nga struktura paralele serbe, që veç pamundësisë për shtrirje të pushtetit shtetëror, në pjesën së cilës po i referohemi, shfaqen rrezikshëm me prirjet për destabilitet dhe mundësinë e ndarjes graduale nga pjesa tjetër e territorit të vendit, tashmë të njohur ndërkombëtarisht.

Problemi me shtrirjen e pushtetit shtetëror në veriun e vendit, konkretisht në veriun e qytetit të Mitrovicës, nuk është diçka e re, apo thënë më mirë problem me të cilën liderët aktual të institucioneve të shtetit merren sot. Historiku i tranzicionit politik të Kosovës, në vazhdimësi si pikë të dobët të pothuajse gjithë periudhës së pasluftës e tutje, ka pikërisht shtirjen e ligjshmërisë dhe normalitetit në këtë zonë, që me të drejtë quhet oazë e krimit të organizuar.

Sot assesi nuk duhet nënvlerësuar përpjekjet sporadike të individëve në kuadër të politikës zyrtare, apo edhe iniciativat që përmes marshimeve masovike qytetare (Marshi gjithëpopullor për Mitrovicën - viti 2000), tryezave të përbashkëta debatuese, opinioneve analitike etj., u munduan të sensibilizonin opinionin për rrezikun e madh që paraqiste situata e tensionuar në këtë pjesë të vendit, fakt me të cilin ne të gjithë po përballemi edhe në kohën kur Kosova është anëtare e mekanizmave të rëndësishëm ndërkombëtarë dhe kur potencialisht atë e presin njohje të reja.

Me gjithë këto përpjekje, institucionalisht Kosova asnjëherë nuk ishte e gatshme të ofronte diçka konkrete qoftë për të zbutë këtë gjendje duke krijuar mjedis të favorshëm për zgjidhje të përhershme, qoftë duke ofruar alternativë tjetër konkrete, për ta mënjanuar tërësisht këtë problem.

Kjo mosgadishmëri sot mund të vështrohet në anë të ndryshme. E para që do mundë të justifikonte sadopak këtë gjë, padyshim është faktori UNMIK, që me dashje për 11 vite rresht mbështeti pa rezervë strukturat serbe, gjithmonë nën arsyetimin e të qenit pakicë dhe nevojës për komunikim të veçantë, që nuk nënkupton edhe statusin e veçantë ndaj tyre.

Dhe e dyta që kryekëput është kompetencë vendore, iluzioni që krijoi politika e vendit se edhe ajo pjesë e qytetit të Mitrovicës është pjesë e pa ndashme e territorit dhe një gjë e tillë, pavarësisht faktit se vendorët asnjëherë nuk administruan me atë pjesë të qytetit, gradualisht, për të mos thënë instinktivisht, do të hynte nën ombrellën institucionale të Kosovës.

Fataliteti institucional i vendit, konsiston pikërisht në këtë pikë. Inferioritetit përballë presionit ndërkombëtar dhe mungesa e gatishmërisë për të ofruar zgjidhje konkrete, të dokumentuar në pajtueshmëri të plotë me rezolutat dhe konventat ndërkombëtare që rregullojnë fushën e të drejtave të njeriut dhe trajtimit të pakicave, derivoi një gjendje kaosi dhe situatë përmes së cilës, shteti serb nga kjo pjesë e territorit, Kosovën ta mbajë nën tensionin e destabilitetit etnik, të etablojë struktura kriminale duke dëmtuar kështu zhvillimin ekonomik, sundimin e rendit dhe ligjit dhe mbi të gjitha, kuptohet duke u referuar në këto që sapo thamë, të jetë kërcënim permanent për aneksim të tërësishëm të kësaj pjese, duke përfituar edhe mbështetje ndërkombëtare ndaj zhvillimeve të tilla.

Deshëm ne apo nuk deshëm, kjo është situata aktuale dhe ky është kërcënimi më i madh për të cilin me të drejtë preokupohen qytetarët e këtij vendi. Dhe përtej kësaj, e mira që po i ndodhë tërë këtij procesi është vetëdijesimi institucional mbi situatën reale. Kjo automatikisht nënkupton veprime konkrete në drejtim të përmirësimit të situatës. Kështu po ndodhë.

Rikthimi gradual në pronat e tyre i të zhvendosurve, me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Qeverisë dhe kryeministrit Thaçi, ka ndikuar dukshëm në balancimin e numrave mes popullsisë shqiptare dhe asaj serbe. Investimet serbe në këtë fushë kanë qenë të jashtëzakonshme. Çmimet marramendëse të çdo cope toke kanë “bindur” jo pak shqiptarë të asaj pjese. Fundja rikthimi në pronën tënde legale është edhe e drejtë elementare njerëzore.

Insistimi personal dhe shumë këmbëngulës i vet z. Thaçi dhe intenca pozitive për rivendosje të stabilitetit me çdo çmim, përtej favoreve politike që mundë të kemi, sot është hap që ka shënuar kthesën më të madhe në raport me zhvillimet politike në veriun e vendit. Ideja për strategjinë e veriut, të përkrahur tashmë edhe ndërkombëtarisht është treguesi më i mirë se problematikës së veriut mbi të gjitha i ka munguar interesimi për ta trajtuar si problem, në të kundërtën mbështetja shumë e domosdoshme ndërkombëtare nuk do të mungonte.

Këtë më së miri e dëshmoi edhe qëndrimi i Grupit Ndërkombëtar Drejtues, bashkë me deklaratat e zyrtarëve të lartë amerikanë të cilët përmes Stuart Jones përcollën mesazhe të qarta se integritetit territorial i Kosovës është i pa ndashëm. Ajo së cilës duhet kushtuar kujdes tash e tutje është fakti i rregullimit gradual, por të pa kthyeshëm të situatës. Duhet pasur parasysh nevojën që ka rregullimi konsensual i raporteve me biznesin informal sepse në të veç implikimit serb ka edhe një numër të madh të individëve shqiptarë. Roli dhe ndikimi i tyre në banorët e zonës është shumë i madh, si rezultat i asistencës financiare që mundë t’u kenë bërë në këtë kohë krize.

Eksopentët e MUP-it serb, në vazhdimësi kanë dëshmuar aftësinë mobilizuese të masave serbe. Shthurja strukturale e tyre përmes përdorimit sistematik dhe të kontrolluar e demokratik të aparatit të sundimit të ligjit është parakusht për stabilitet të qëndrueshëm. Për këtë qëllim prioritet duhet të kenë edhe investimet në fushën ekonomike. Kjo do të ishte edhe kyçi i zgjidhjes së problemit, por mbi të gjitha i krijimit të klimës së përgjithshme sociale ku çdo banor i asaj pjese, pavarësisht përkatësinë e tij nacionale, do të ndihej mirë me prezencën e tjetrit.

Veriu i vendit sot është sfidë e përbashkët e jona. Sfidimi i tanishëm është çmimi që ne po paguajmë si rezultat i neglizhencës nga e kaluara. Debati se si dhe kur të fillohet me implementimin e kësaj strategjie, që synon mbrojtjen e integritetit territorial dhe vendosjen e pushtetit shtetëror, është e drejtë legjitime e çdo njërit nga ne.

Interesat klanore-politike të politikës ditore që në emër të opozitës debatin nga stadi nacional e transferojnë në atë personal, nuk justifikojnë veprime që më tepër se gjithçka dëmtojnë procesin. Qeveria dhe kryeministri Thaçi duhet mbështetur kur bëhet fjalë për projekte kombëtare. Aspektet tjera të qeverisjes së një vendi edhe mund të diskutohen. Fundja ky edhe është misioni i çdo opozite demokratike dhe i qytetarisë së lirë.