Krushqit me nga dy flamuj nëpër dasmat tona
Ka shume vite që dasmat në Kosovë zakonisht bëhen në muajin gusht. Në të kaluarën dasmat zakonisht bëheshin në vjeshtë, për arsye se njerëzit tanë kryesisht merreshin me bujqësi, dhe në vjeshtë, atëherë kur ata mbledhnin të lashtat e tyre, pemët, perimet e të tjera, me mundin e djersën e tyre fitonin sa për të mbijetuar dhe eventualisht të bënin ndonjë dasëm, sepse zakonisht dasmat kanë shpenzime.
Pasi me kalimin e kohëve sigurimi i mbijetesës u vështirësua aq shumë, kjo si pasojë edhe shtypjes ndër vite që i bëhej popullit tonë, shumë nga njerëzit tanë u detyruan që të marin rrugën e gurbetit, në mënyrë që familjeve të tyre tu sigurojnë të paktën mirëqenie ekonomike.
Migrimi në shtete të ndryshme të perëndimit i njerëzve tanë, qoftë për arsye ekonomike, qoftë për arsye të përndjekjeve që u bëhej atyre nga pushtuesit serbosllavë, ishte më intensiv sidomos në vitet e 80-ta, vazhdoi në vitet e 90-ta të fundshekullit që e lamë pas, e fatkeqësisht ky migrim po vazhdon edhe sot.
Sot kemi një numër shumë të madh të bashkatdhetarëve tanë që punojnë përkohësisht në shtetet e perëndimit, dhe pushimet vjetore të tyre zakonisht realizohen në verë, në muajt korrik e gusht. Për këtë arsye, shumica e dasmave që bëhen në Kosovë vitet e fundit bëhen në këta muajt e verës. Kjo për faktin që jo vetëm se ata sigurojnë të ardhura për të bërë e organizuar dasma, por me shumë edhe për faktin se familjet tona e kanë për traditë të bëhen bashkë qoftë nëpër dasma e gazmende familjare, qoftë nëpër momente të dhimbshme .
Në disa nga dasmat që organizohen këtyre dy viteve të fundit, fatkeqësisht është vënë re një dukuri jo e hijshme në organizimin e dasmave, dukuri e cila nuk ka qenë e pranishme në dasmat e mëparshme dhe nuk ka të bëjë me traditat tona kombëtare. Kjo dukuri është përdorimi i dy flamujve, flamurit kombëtar dhe flamurit tjetër të imponuar nga jashtë dhe të përkrahur nga qeveritarët e tanishëm të Kosovës .
Ç`është më e keqja, dasmorët tanë po e ngjitin flamurin kombëtar me këtë flamur dhe kur po u prin krushqve po duket si një flamur, i cili nuk përngjan as në flamurin kombëtar, e as në flamurin tjetër, po shihet si nje flamur pa kurrfarë nuance të dallueshme as të ngjyrës, as të simbolit që përmban ai flamur, me një fjalë, po bëhet një flamur laraman.
Po t`i pyesësh të zotët e dasmës të cilët përdorin të dy flamujt, ata do të përgjigjen me fjalët: Pse ore, çfarë të keqe ka, Shqipëria e Kosova bashkë, dhe menjëherë të vërsulen me pyetjen: A je ti kundër që të bëhet bashkë Shqipëria e Kosova? Në këtë aspekt, mund të themi se nuk kanë faj dasmorët, por kur ka raste që nëpër këto dasma ka të tillë që e mbrojnë me fanatizëm faktin që duhet patjetër të barten të dy flamujt, me arsyetime nga më të ndryshmet, atëherë çfarë t`u themi atyre?
Njëri prej arsyetimeve të cilin e përdorin shumica e atyre që përdorin të dy flamujt është edhe ky: Flamurin kombëtar nuk e hedhim poshtë, por ”flamurin e shtetit të Kosovës” duhet ta mbajmë, se për këtë flamur kanë dhënë jetën dëshmorët!
Me këtë rast, me keqardhje duhet të themi që është krijuar kjo bindje te një masë e popullit tonë, sidomos të atyre që bartin të dy flamujt, se dëshmorët kanë luftuar për këtë flamur! Kjo bindje te këta njerëz është krijuar nga politika aktuale që po udhëhiqet në Kosovë, dhe ne duhet të luftojmë secili që këtë bindje të keqe të kësaj pjese të popullatës sonë, ta ç`rrënjosim sa më parë. Politika aktuale e qeveritarëve tanë ka luajtur dhe po luan me simbolet tona kombëtare, me doket, zakonet dhe traditat tona kombëtare, ndryshe nuk ka si shpjegohet kjo.
Ata njerëz që pranuan ndërrimin e flamurit kombëtar me nje flamur tjetër, ata njerëz janë prijësit kryesorë që tani të ndërrohet edhe karakteri i luftës sonë për çlirim dhe bashkim kombëtar. Janë pikërisht ata njerëz të cilët tani marrin guximin të thonë se dëshmorët kanë luftuar për flamurin me gjashtë yje, se ky flamur po përfaqësoka Kosovën, etj, etj. Janë këta njerëz që tani shkojnë edhe më larg, tek varrezat e dëshmorëve po vendosin flamurin e imponuar nga të huajt.
Ç`është kjo që po ndodh para syve tanë? Pse u duhen krushqve të dasmave tona dy flamuj? Mos ndoshta dikush po ua imponon dasmorëve bartjen e dy flamujve?! Apo, meqë Qeveria e Kosovës dhe përfaqësitë e saj me zor apo me hatër, nuk paskan qare pa e mbajt flamurin me gjashtë yje, atëherë duhet që edhe dasmorët nëpër dasma të mbajnë këtë flamur! Jo, askush nuk ua imponon sot krushqve simbolin që ata mbajnë me vete, dhe asnjeri nuk ka të drejtë t`ua heq nga përdorimi flamurin kombëtar, sepse siç thoshte edhe këngëtari ynë i njohur Ilir Shaqiri, në këngën e tij të para shumë viteve: PA FLAMUR JO S`BËHET DASËM! Dhe se dasma jonë, si traditë e jona që është, nuk bën të njolloset me gjithfarë leckash. T`u prijsh krushqve me dy flamuj të ngjitur, është sikur t`u prijsh pa flamur!
Po ashtu, edhe varret e dëshmorëve tanë nuk duhet lejuar që të njollosen me këto lecka të përkohshme. T`u varësh pranë varreve të dëshmorëve flamurin me gjashtë yje, është në kundërshtim të plotë me përkushtimin, aspiratat, betimin dhe qëllimin e dëshmorëve të kombit. Na mbetet detyrë të gjithëve të jemi dinjitozë, të përgjegjshëm dhe në nivelin e duhur për të mbajtur qëndrim të qartë dhe të drejtë ndaj vlerave kombëtare dhe simboleve tona të patjetërsueshme. Pra, ta respektojmë të gjithë shqiptarët pa dallim flamurin tonë kombëtar, ta mbajmë lartë e më lartë flamurin e Heroit Tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skenderbeut, sepse shekuj me radhë e ruajtën, mbrojtën, valvitën dhe duke u prirë ky flamur, u flijuan breza të tërë shqiptarësh deri në ditët e sotme.
info@lib-ks.org



































