KRU “Gjakova” njofton për përfundimin e punimeve në Osek Hilë në Gjakovë

KRU “Gjakova” ka njoftuar se në kuadër të projektit “Gjakova III”, në fshatin Osek Hilë janë përfunduar punimet për rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit.
Sipas njoftimit, janë përfunduar 740 metra gyp Ø315 OD, janë realizuar 20 kyçje nga sistemi i vjetër i azbestit në rrjetin e ri, si dhe janë zhvendosur degëzimet për katër lagje.
Nga 1 shtatori 2026, banorët e Osek Hilës do të furnizohen përmes rrjetit të ri, i cili pritet të mundësojë cilësi dhe shtypje më të mirë të ujit.
KRU “Gjakova” ka bërë të ditur se punimet do të vazhdojnë edhe në kuadër të projektit “Gjakova III” në Lugbunar, ku parashihet të gjendet zgjidhje për furnizimin me ujë të fshatit Skivjan.
Qëllimi i këtyre ndërhyrjeve është përmirësimi i cilësisë, shtypjes dhe qëndrueshmërisë së furnizimit me ujë për banorët dhe konsumatorët e këtyre zonave.
Nga KRU “Gjakova” kanë theksuar se investimet në rrjetin e ujësjellësit po bëhen me synim të përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve dhe rritjes së cilësisë për konsumatorët. /Telegrafi/





































