LAJMI I FUNDIT:

Kriza energjetike rrit kërkesën për dru, qytetarët ankohen për çmime

Kriza energjetike rrit kërkesën për dru, qytetarët ankohen për çmime

Ngrohja me dru, po shihet si një ndër zgjidhjet që kanë qytetarët për stinën e dimrit, pas paralajmërimeve për thellimin e krizës me energjinë eklektrike. Në komunën e Prizrenit, shitësit e drunjve kanë treguar se është rritur kërkesa dhe se çmimi për një metër dru është 75 euro e jo 100 euro, siç është raportuar në media. Qytetarët tek ankohen për çmime të larta, kërkojnë edhe ndihmën e qeverisë.

Paralajmërimet për thellimin e krizës energjetike, në Kosovë, ka shtuar edhe kërkesat për blerje të drunjve.


Shitësit e drunjve në komunën e Prizrenit, duke mos dashur të flasin para kamerës, kanë thënë se në këtë komunë janë shtuar kërkesat, për shkak të frikës së ndërprerjes së energjisë elektrike.

Ata kanë treguar se çmimi për një metër dru është 75 euro, e jo siç është raportuar vazhdimisht se ka shkuar në 100 euro, dhe çmimi është rritur për shkak edhe të rritjes së shpenzimeve të tjera që kanë pasur.

Por, edhe çmimi prej 75 eurove, qytetarëve të kësaj komune po u duket i lartë.cmimet

“Po unë kam blerë, i kam blerë pak më herët ka 50, tash ka 70… po sheh çfarë situate çfarë shtrenjtie, po nuk po kemi çka me ba”, ka thënë një qytetar.

“Ka qenë shumë i lartë se gjendja ekonomike ka qenë shumë e vështirë për qytetarët dhe është shumë i lartë… nuk besoj që është i arsyeshëm”, thotë një qytetar tjetër.

Televizioni ka provuar të marrë një qëndrim nga drejtoria e inspektoratit në komunën e Prizrenit, se nëse ka pasur inspektime të çmimeve dhe nëse kanë hasur në ndonjë rast të abuzimit, mirëpo ata nuk kanë qenë të qasshëm.

Për çmime të larta po ankohen edhe në Prishtinë. Qytetarët kërkojnë edhe ndihmën e qeverisë, për t’u përballur me temperaturat e ftohta të dimrit.

“Prej 80 në 100 po sillet, ata duhet Kurti me na i ble me i siguruar… ose me dal me shku me vjedh me dal me pre gjelbërimin këtu, mos me lanë fminë me vdek prej ftohti”.

Pyetjeve për inspektime të çmimeve të drunjve, nuk u janë përgjigjur as zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë e Industrisë, që nga dita e enjte.

Derisa, nëse janë shtuar prerjet ilegale të pyjeve, nuk janë përgjigjur nga Agjencia e Pyjeve të Kosovës, që është në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë e Zhvillimit Rural./RTV Dukagjini/